Nga Ferizaj në Brazil me biçikletë

Qëndrim Guri është njëri ndër tetë yjet e Kosovës, të cilët do ta përfaqësojnë vendin e tyre në pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike që do të mbahen gjatë gushtit në Rio të Brazilit. Kampioni i shtatëfishtë i Kosovës në çiklizëm ndihet i lumtur që do ta shijojë garën prestigjioze, të cilën e kishte ëndërruar në Kosovën e izoluar. Ferizajasi shpreson ta përfaqësojë sa më mirë vendin dhe popullin e tij

Kosova do të prezantohet në Lojërat Olimpike historike me sporte të ndryshme. Prej tyre “hise” për pjesëmarrje në “Rio 2016” i ka rënë edhe çiklistit Qëndrim Guri, i cili mori ftesë në momentet e fundit, pasi u përzgjodh nga komisioni trepalësh.

Ferizajasi është kampion absolut i Kosovës, ndërsa ka arritur suksese edhe në rajon. I lindur më 27.11.1993 në Ferizaj, Qëndrimi është pjesë e familjes gjashtanëtarëshe. Ai tregon se e ka nisur karrierën më 22 tetor 2008 dhe nga ajo kohë i ka varguar sukseset një nga një.

Guri është kampion i shtatëfishtë i Kosovës, ndërsa tri herë është zgjedhur sportisti i vitit nga Federata e Çiklizmit të Kosovës. Po ashtu, ai është zgjedhur edhe tri herë sportisti i vitit në qytetin e tij, Ferizaj. Ndër të tjera, Qëndrimi ishte fitues i garës që është mbajtur për nder të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. E kulmi i karrierës për të ishte pjesëmarrja në Lojërat Evropiane në Baku të Azerbajxhanit vitin e kaluar.

Por, pa dyshim se maksimumi i karrierës së tij do të regjistrohet me pjesëmarrjen në Olimpiadë. Ai do të garojë në kategorinë elite, si dhe në disiplinën “Road Race” (rrugore).

Guri pritet të niset për në Brazil më 2 gusht, ndërsa garën e parë e ka më 6 gusht.

“Për mua është një gëzim i madh sepse për herë të parë Kosova po merr pjesë me një çiklist në një Olimpiadë, siç është ajo e ‘Rios’”, ka thënë fillimisht Guri për “Zërin”.

Ëndrra po bëhet realitet

Si për çdo sportist, edhe për Qëndrimin pjesëmarrja në një Olimpiadë ishte një ëndërr fëmijërore. Tash, garuesi nga Ferizaj e ka mundësinë ta realizojë këtë ëndërr me pjesëmarrje në “Rio 2016”.

“Pjesëmarrja në Olimpiadë ishte një ëndërr për mua që më në fund u bë realitet. Jam shumë i lumtur që po marr pjesë në një eveniment aq prestigjioz”, vazhdoi ai.

Synimi i Gurit

Gara e “Rios” nuk do të jetë aspak e lehtë për Qëndrimin. Ajo është e gjatë mbi 200 kilometra dhe synim i garuesit kosovar është ta mbyllë me sukses garën, në një konkurrencë mjaft të fortë, ku medalja mund të konsiderohet thuajse e pamundur të fitohet.

“Synim imi në ‘Rio’ është që ta përfundoj garën, edhe pse është shtegu i gjatë plot 250 kilometra. Ka 6 malore nga 7% me gjatësi 8 kilometra për çdo malore. Por, gjithsesi do të mundohem ta përfundoj garën, edhe pse është një konkurrencë shumë e fortë”, përfundoi Guri.

Qëndrimi është njëri nga tetë sportistët kosovarë që do të marrin pjesë në Olimpiadë. Për Kosovën kjo është hera e parë që prezantohet në një eveniment aq prestigjioz. Majlinda Kelmendi me shokë e shoqe do të synojnë të paraqiten sa më mirë në “Rio”, duke synuar edhe medalje olimpike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button