Si ndryshoi drafti i reformës në drejtësi, zbardhen detajet për veting-un

Me publikimin e draftit final që u miratua në Kuvend me votat e 140 deputetëve, zbardhet edhe ndryshimi që ka pësuar nga fillimi i draftit pika e rolit të ndërkombëtarëve që mbajti peng konsensusin për muaj me radhë. Po ashtu zbulohet edhe ndryshimi që ka pësuar përzgjedhja e gjykatësve për Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit, në procesin e veting-ut dhe rivlerësimi i të gjithë gjykatësve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë që punojnë aktualisht.

Ndryshimet

Ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, të miratuara me konsensus të plotë, përcaktojnë se 5 anëtarët jo juristë të dy institucioneve zgjidhen 2 nga radhët e avokatëve, 2 nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës dhe 1 nga shoqëria civile. Anëtarët marrin një mandat 5-vjeçar. Sekretariati i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit verifikon nëse kandidaturat i përmbushin kriteret kushtetuese dhe ligjore, një proces që kryhet jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e tyre.

Një nënkomision i krijuar nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, me 3 anëtarë nga maxhoranca dhe 2 nga opozita përzgjedh kandidatët me të paktën 4 vota. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short. Lista e kandidatëve i shkon Kuvendit, i cili brenda 10 ditësh e miraton atë me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Për kandidatët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, nëse për 3 herë me radhë Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, ata konsiderohen të zgjedhur.

Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë kjo procedurë zhvillohet 2 herë. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së të gjithë procesit. Ky operacion udhëhiqet nga Komisioni Europian. Ai emëron vëzhguesit ndërkombëtarë nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse.

Vëzhguesi ndërkombëtar i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të komisionit, gjyqtarit të kolegjit të apelimit dhe komisionerit publik. Ai paraqet gjetje dhe mendime mbi çështjet që shqyrtohen nga komisioni dhe kolegji i apelimit dhe kontribuon për kontrollin e figurës.

Mund të kërkojë nga dy komisionet e Vetting-ut që të marrin në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë. Monitoruesi ndërkombëtar ka të drejtë të marrë të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për personat dhe dokumentet e nevojshme me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.

Kolegji i apelimit përmes komisionerit publik apo vëzhguesit ndërkombëtar shqyrton deklaratat e gjyqtarëve apo prokurorëve në procesin e rivlerësimit, të shkuarën e tij, interviston bashkëpunëtorë të tyre në institucione të tjera, kanë akses të drejtpërdrejtë në të gjitha bazat e të dhënave qeveritare përveç atyre që janë klasifikuar sekret shtetëror, duke përfshirë edhe dosjet për persona të rivlerësuar, të dhënat personale, llogaritë bankare, të dhënat e automjeteve, të hyrje daljeve në kufi e çdo dokument tjetër. Rivlerësimi përfshin kontrollin e pasurisë, të figurës dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rruga që ndiqet për implementimin e 7 ligjeve

Reforma në drejtësi, kaloi më votën e 140 deputetëve në Parlament. Rruga ligjore për implementimin dhe hyrjen në fuqi, të të ashtuquajturës Kushtetuta e re e Shqipërisë nis me një kërkesë që Kuvendi i Shqipërisë i dërgon Presidentit për të dekretuar ndryshimet kushtetuese të miratuara në seancë. Kreu i shtetit ka në dispozicion 20 ditë për t’u shprehur, dhe në bazë të nenit 177 të Kushtetutës, parashikohet që ai nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.

Në këto kushte parashikohet që afati maksimal kur kreu i shtetit të shprehet është data 12 gusht, nëse Kuvendi i drejtohet këtë të premte Presidentit. Pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndryshimet kushtetuese pritet të hyjnë në fuqi në datën 27 gusht. Hapi tjetër është nisja e procedurave për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), si institucion i ri Kushtetues, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi.

Është Institucioni i Presidentit që organizon procedurën e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të këtij Këshilli. Siç dihet, ky institucion do të përbëhet nga 9 anëtarë të cilët zgjidhen me short, 2 anëtarë nga trupa e Gjykatës Kushtetuese, 1 nga trupa e Gjykatës së Lartë, 1 prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 prokurorë nga trupa e Gjykatave të Apelit, 2 gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit dhe 1 gjyqtar përzgjidhet me short nga Gjykatat Administrative.

Në këto kushte në fillim të shtatorit do të jetë zgjedhur trupa prej 9 anëtarësh e Këshillit të Emërimeve. Pas ngritjes së këtij Këshilli, do të nisin procedurat për funksionimin e procesit të vetting-ut. Nëntë anëtarët e KED-së do të zgjidhen pa iu nënshtruar këtij procesi, pasi ende nuk janë përcaktuar strukturat e reja për vetting-un dhe as ekspertët ndërkombëtarë që do ta monitorojnë atë. Ky proces pritet të nisë në muajin shtator me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Të hënën seanca e fundit

Lajmërohet që këtë të hënë do të jetë seanca e fundit e këtij sesioni ku nuk janë përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit 7 projektligjet shoqëruese të paketës Kushtetuese të reformës në drejtësi. Nëse shtatë ligjet të cilat përcaktojnë organizimin dhe funksionimin e institucioneve të reja sipas Kushtetutës së re, nuk miratohen brenda muajit korrik, ato shtyhen për sesionin e ardhshëm parlamentar, në kushtet kur do ketë hyrë në fuqi Kushtetuta e re. Votimi i këtyre ligjeve bëhet me shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvend. Këto 7 projektligje cilësohen si projektligje të emergjencës, për të cilat kërkohet miratimi i tyre seancën e ardhshme. Në total janë më shumë se 40 projektligje që duhen miratuar nga Kuvendi si pjesë e paketës së reformës në drejtësi.

Si ndryshoi roli i ndërkombëtarëve

U votua dje: Neni B-Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit. Ky Operacion përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Europian. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë pas njoftimit të Këshillit të Ministrave. Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse. Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda. Vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra:

a) i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik;

b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figurës sipas nenit DH. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, sipas ligjit;

c) u jep Komisionerëve Publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. Në rast se Komisioneri Publik nuk i zbaton rekomandimet, ai përgatit një raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit.

ç) kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.

Ishte në draftin fillestar

Neni B- Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit. Ky Operacion përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Evropian.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë pas njoftimit të Këshillit të Ministrave. Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse. Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda. Vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra:

a) jep rekomandime për Avokatin e Popullit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik;

b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figurës sipas nenit DH.

Përbërja dhe përzgjedhja e gjykatësve për Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit

U votua dje: Neni C – Dispozita të përgjithshme për Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit. Presidenti i Republikës së Shqipërisë organizon procesin e hapur dhe transparent të aplikimit për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik. Kandidatët i paraqesin Presidentit aplikimet dhe të gjitha deklaratat shoqëruese, sipas ligjit. Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti përpilon një listë me kandidatë të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit monitoron këtë proces. Nëse Presidenti nuk e përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aneksi, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët, sipas ligjit. Jo më vonë se katërmbëdhjetë ditë nga paraqitja e dy listave nga Presidenti, Komisioni, bazuar në vlerësimet e tij, i dërgon rekomandimet Presidentit, i cili ia përcjell ato Kuvendit. Nëse Presidenti nuk e ushtron këtë kompetencë brenda 5 ditëve, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.

Brenda tre ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kuvendi krijon një komision ad hoc me gjashtë anëtarë të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare. Komisioni, me të paktën katër vota, mund të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale tek lista e kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret formale. Komisioni, me të paktën pesë vota, mund kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit tek lista e kandidatëve për votim. Brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën e kandidatëve për votim për secilin pozicion komisioneve ad hoc përzgjedhëse. Dy listat e tjera nuk dërgohen për votim.

Kuvendi krijon brenda dhjetë ditëve dy komisione ad hoc përzgjedhëse të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, ku një komision ka 12 anëtarë dhe një ka 6 anëtarë. Brenda 30 ditëve nga konstituimi i komisionit ad hoc, secili anëtar i komisioni me 12 anëtarë përzgjedh një kandidat për komisioner nga lista e kandidatëve për votim pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Komisioni përzgjedh më pas dy kandidatë nga lista e kandidatëve për votim për komisionerë publik përmes një votimi ku dy kandidatët me më shumë vota quhen të përzgjedhur.

Në rast barazie të votave, fituesit përzgjidhen me short. Dy kandidatë zëvendësues për secilin pozicion përzgjidhen në të njëjtën mënyrë si për komisionerin publik. Brenda 30 ditëve nga konstituimi i komisionit ad hoc, secili prej 6 anëtarëve të komisionit përzgjedh nga lista e kandidatëve për votim një kandidat për gjyqtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik ku secili anëtar i komisionit voton për një kandidat. Komisioni më pas përzgjedh gjyqtarin e shtatë nga kandidatët e mbetur të listës së kandidatëve për votim përmes një votimi të thjeshtë ku kandidati me më shumë vota quhen i përzgjedhur. Në rast barazie të votave, fituesi përzgjidhet me short.

Ishte në draftin fillestar: Avokati i Popullit organizon procesin e hapur dhe transparent të aplikimit për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit në Kolegjin e Apelimit, si dhe të Komisionerit Publik. Të gjithë kandidatët paraqesin pranë Avokatit të Popullit aplikimet dhe deklaratat e pasurive, në përputhje me parashikimet e ligjit. Avokati i Popullit harton një listë emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret përzgjedhëse formale dhe ia dërgon atë Kuvendit. Brenda 30 ditëve nga marrja e listës emërore, në Kuvend me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të tij, zgjedh anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe dy Komisionerët Publikë nga lista e dërguar prej Avokatit të Popullit, duke marrë parasysh rekomandimet e dhëna nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. /shekulli/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button