Tramp pranon nominimin e një partie krejtësisht të re republikane

Konventa tejet e pazakontë republikane nxorri në pah përçarjet e mëdha te partia republikane dhe ndryshimin radikal të kursit dhe identitetit të saj për shumë çështje

Konventë e pazakontë. Me fjalimin e Donald Trampit ku pranoi nominimin për president të partisë, mbrëmë ka përfunduar konventa republikane. Konventa ka filluar me kontroverze në ditën e parë, për t’u stabilizuar në shenjë uniteti në dytën e ditë kur edhe formalisht u votua që nominimi t’i jepet Trampit. Por i gjithë uniteti ra në ujë në ditën e tretë. Në konventë për herë të parë u prezantua kandidati për nënkryetar Majk Pens, por para kësaj stuhi të vërtetë shkaktoi Kruz i cili në fjalimin e vet refuzoi të mbështesë Trampin për president. Uniteti është rikthyer në ditën e katërt dhe të fundit, që kulminoi me fjalimin e Trampit kur ai pranoi nominimin për president.

Ted Kruz – anti-Tramp i llojit të vet. Kundërshtarët e Trampit në partinë republikane përgjithësisht mund të ndahen në tre pjesë. Disa si Kasiç, Bush, Romni, Mekejn e të tjerë kanë refuzuar t’a mbështesin atë edhe pas fitores dhe nuk kanë marrë pjesë fare në konventë. Të tjerë si Rubio, Peri, Karson e Uoker kanë përpirë qëndrimet e mëparshme dhe kanë mbështetur në fund Trampin. Në grupin e tretë bën pjesë vetëm Ted Kruz, i cili erdhi në konventë dhe mbajti fjalim në ditën e tretë. Për habi të të gjithëve, ai në fjalimin e tij përmendi vetëm njëherë Trampin dhe përfundoi duke thirur republikanët të votojnë kë të duan. Pra në mes të konventës republikane ai ka refuzuar të mbështesë kandidatin zyrtar të saj për president.

Me këtë gjest Kruz u kritikua ashpër nga të gjithë anët e përkrahësve të Trampit. Por të nesërmen Kruz ka vazhduar të mbajë qëndrim, duke thënë se nuk mund të përkrahte njeriun që i ka bërë akuza të ashpra familjes së tij dhe i cili fundja nuk është fare konzervativ. Si do të përfundojë Kruzi do varet nga rezultati i zgjedhjeve. Nëse Tramp pëson debakël ai mund të mbahet mend si hero që refuzoi t’a mbështesë atë, në të kundërtën mund të ketë të ardhme të vështirë në partinë republikane.

Diversitet folësish. Në ditën e katërt ka pasuar një ansambël divers folësish, ndoshta të pazakontë për konventë republikane. Kanë folur një numër i madh zezakësh, pastaj latinësh, por gjithsesi më i çuditshëm për republikanët ishte fjalimi i biznismenit Piter Thiel, themelues i PayPal. Thiel është homoseksual, një tabu e vërtetë te republikanët, por megjithatë i është dhënë hapësirë të flasë në konventë në mbështetje të Trampit. I gjithë ky diversitet është tentim i Trampit që të jetë sa më inkluziv, një mënyrë tjetër se si ai po e ndryshon partinë republikane.

Fjalimi i Trampit – një parti krejt tjetër republikane. Konventa ka përfunduar me fjalimin e Trampit. Në fjalim ai edhe formalisht ka pranuar nominimin për president nga ana republikane. Por vetë fitorja e tij dhe fjalimi ku përshkroi se si do të qeveriste tregon se sa ka ndryshuar këtë vit partia republikane. Ky ndryshim nuk është i madh vetëm në ndonjë pikë ose çështje, por ka kapluar gjithë spektrin e politikave disa-dekadëshe republikane, si në politikën e jashtme, ekonomi dhe në çështjet kulturore e sociale.

Politika e jashtme. Në fjalim Tramp ka ravijëzuar qëndrime për politikën e jashtme totalisht të kundërta me dogmën republikane. Partia republikane tradicionalisht është njohur si internacionaliste, pa hezitim që të jetë agresive në momente të caktuara. Përkundrazi Tramp ka kritikuar ashpër involvimin amerikan nëpër botë, si luftërat në Irak e Libi. Sipas tij Amerika nuk ka çka përzihet nëpër botë nëse nuk cenohet direkt interesi i saj, një qëndrim tejet izolacionist. Sidomos është kundër ndërrimit të regjimeve në shtete të huaja, duke pohuar se bota do të ishte më e qetë sikur në pushtet akoma të ishin Sadami në Irak e Gadafi në Libi.

Shqetësues është edhe qëndrimi i tij për aleancat ndërkombëtare të SHBA-ve. Ai ka thënë se nuk do t’i dilte automatikisht në ndihmë ndonjë partneri në NATO, por së pari do të vlerësonte raportin amerikan me atë shtet. Kjo do të thotë se ai në njëfarë mënyre do t’i linte dorë të lirë Putinit në vendet baltike, një ndryshim radikal nga Mit Romni i cili para katër vitesh theksonte se Rusia është armiku numër një i SHBA-ve.

Qëndrime të ngjashme Tramp ka edhe për institucionet tjera ndërkombëtare. Në përgjithësi pra republikanët me të do të ktheheshin drejt izolacionizmit, krejtësisht të kundërt me trashëgiminë historike republikane të mishëruar sidomos te Ronald Regan.

Ekonomia. Në arenën ekonomike republikanët janë të njohur si parti e tregjeve të lira dhe tatimeve të ulta. Megjithëse premton se do të ulë tatimet, Tramp ka qëndrim krejtësisht të kundërt në çështjen e tregtisë së lirë. Ai mendon se kjo i shkaktuar dëm të madh klasës së mesme amerikane dhe detyrimisht duhet të rishikohet. Tramp thotë se do të anulojë NAFTA-n, tregtinë e lirë me Meksikon e Kanadanë e gjithsesi do të ndalë implementimin e TTIP – marrëveshjes transpacifike me shtetet e Azisë Lindore.

Tramp ka qëndrime të ndryshme edhe për një sërë çështjesh tjera, sidomos me involvimin e qeverisë në jetën ekonomike. Ndryshe nga dogma republikane ai premton involvim më të madh federal, që do të thotë se është kundër partisë së tij për çështje si reforma shëndetësore, sigurimi social e pensional e të tjera.

Çështjet sociale e kulturore. Nëse ka diçka që identifikon republikanët më tepër se çdo gjë tjetër, ato janë qëndrimet e tyre konzervative kulturore për fenomene të tilla si martesat homoseksuale, transeksualët, aborti e të tjera. Duke tentuar të jetë më inkluziv, Tramp ka reteruar dhe ka thyer tabutë republikane për të gjitha këto çështje. Shembull më i mirë është ftesa e Piter Thiel për të folur në konventë. Për momentin kjo taktikë e Trampit ka rezultuar me sukses pasi ai fitoi zgjedhjet republikane, por nuk dihet sa të qëndrueshme janë këto bindje te republikanët.

Demografikisht akoma parti e meshkujve të bardhë. Në vitet e kaluara republikanët kanë tentuar të joshin struktura tjera në partinë e tyre, si minoritetet zezake e latine apo gjininë femërore. Megjithë tentimet e herëpashershme të Trampit për të qenë më inkluziv, retorika e tij kundër imigrantëve e myslimanëve ka dhënë efekt krejtësisht tjetër. Partia republikane sot është edhe më e bardhë dhe më mashkullore se që ka qenë tradicionalisht.

E ardhmja e partisë republikane. A ka ndryshuar partia republikane përgjithmonë, apo fenomeni Tramp është vetëm diçka e përkohshme? Kjo është pyetja më e rëndësishme e kohës, e cila deri diku do të marrë përgjigje me zgjedhjet e nëntorit. Nëse Tramp fiton dhe zbaton agjendën e tij të zbardhur në fushatë dhe konventë, atëherë lirisht mund të thuhet se partia republikane nuk do të jetë kurrë më ajo e njëjta. Përgjigja do të jetë më e vështirë nëse Tramp humb zgjedhjet. Kjo mund të bindë bazën republikane që të rikthehet te politikat dhe identiteti i saj tradicional si parti e tregjeve të lira, pro-biznesi dhe anti-qeveritare. Por ka mundësi që ndryshimet e identitetit veçmë të kishin filluar që më herët, në ç‘rast Tramp është vetëm manifestim momental dhe jo shkaktar i këtyre ndryshimeve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button