Terrorizmi nuk ka racë, fe, etni

Franca u godit sërish. Këtë herë në një qytet bregdetar, në Nisë. Një person realisht i çmendur me emrin Mohamed Lahouaei Bouhlel, kishte marrë një kamion me qera, e ngiste atë dhe shtypi të gjallë mbi 85 persona të pafajshëm. Ndërkaq që la edhe disa dhjetëra persona të plagosur. Bouhlel e kishte mbushur kamionin me municion dhe armë, e se shkelte çdo njeri që kishte dalë në shëtitore për Ditën e Shtetit të Francës. Në raportime, thuhet se Bouhlel nuk kishte asnjë lidhje me fenë, madje ai pinte alkool e drogë dhe se kishte kryer krime të vogla. Ajo që duhet thënë qysh në krye të herës është fakti se shpirtrat e njerëzve të gjallë mbi tokë, duhet të jenë me viktimat. Vetëm kjo anë e medaljes është njerëzore, shumë njerëzore.

ISIS goditet dhe kundërpërgjigjet?!

Ka shumë kohë që ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare hedhin tezën se ISIS mund ta godasë Evropën më shumë në këto momente. Pse pikërisht tani? Kjo ka gjasa të ndodhë sepse Amerika dhe aleatët e saj perëndimorë e lindorë po godasin fuqishëm bazat e organizatës terroriste. ISIS për rrjedhojë ka humbur disa territore në Siri dhe në Irak. Organizata terroriste, në këtë mënyrë, ka prirjen të sillet sikundër kafsha e plagosur, e cila bëhet më e egër kur e ndjen agoninë. ISIS pikërisht e mori përsipër aktin terrorist, edhe pse fillimisht u duk se kishim të bënim me një mendje të çmendur, të izoluar nga propaganda e organizatës terroriste. Teza e mësipërme të thotë se për sa kohë që ISIS-i vazhdon të goditet fuqishëm me raketa dhe me mjete të tjera në Siri, në Irak apo më gjërë në Lindjen e Mesme, IS do të kundërpërgjigjet. Kështu që rreziku nga IS është konstant dhe nuk mbaron këtu.

Vrasjet barbare

Terroristi Mohamed Lahovaei Bouhlel, përpos të tjerash, kreu vrasje masive të tmerrshme. Të vrasësh njerëz duke i shtypur ata me kamion është mizori e kaluar mizorisë, që vetëm një mendje e sëmurë mund ta kryejë si veprim. Por se sulme barbare nuk kryhen vetëm në Perëndim. Është e gabuar të mendohet në të tillë mënyrë. Vrasjet barbare nuk po ndalen së kryeri në Lindjen e Mesme, sikundër edhe janë kryer më herët në këtë territor. Sulmet terroriste në shtete si Iraku, Siria, Afganistani apo Turqia janë të shumta. Edhe këto sulme viktima prodhojnë dhe jetë të pafajshme njerëzore janë edhe këta. Jetë njerëzore të humbura, sikundër në Perëndim. Por se në rrjetet sociale kurrë nuk e gjen as flamurin e Irakut, as të Iranit, e as të Jemenit. Propaganda perëndimore qëndron në fuqi.

Tjetër është se për vrasje fëmijësh apo të tjerë në Lindje të Mesme, perëndimi ka jo pak faj. Franca ka qenë dhe mbetet vend kolonizator. Britania po njëjtë, por edhe Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë në shumë shtete të lindjes, ku jo pak herë kanë interesat e tyre vetjake. Sido të jetë, vrasja dhe terrorizmi, në çdo rrethanë, nuk mund të legjitimohen. Terrorizmi nuk është i përligjshëm as kur ka hakmarrje dhe as kur e kryen këtë veprim për shkak se ke vlera të ndryshme me të tjerët. Terrorizmi nuk mund të kryhet as se tjetri i përket një tjetër race, as se tjetri i përket një tjetër etnie dhe as se tjetri i përket tjetër besimi. Kush kryen veprim terrori është terrorist dhe kush kryen vrasje është vrasës. Pak rëndësi ka se ç’përkatësi etnike apo fetare ka vrasësi. Ai është kriminel dhe vrasja e tij as nuk mund të përligjet dhe as mund të përgjithësohet. Përgjegjësia është padyshim individuale.

Dështimi i Shërbimeve të Inteligjencës

Franca, edhe pse gëzon statusin e një vendi me institucione të shëndosha dhe demokratike, po goditet disa herë dhe rëndë madje. Mund të kishte ndodhur që terroristët ta gjakosnin Francën një ose disa herë, por sulmet e njëpasnjëshme ngrenë dyshimet për shërbime inteligjente joefikase. Shteti francez parimisht duhet të pranojë emigrant, mirëpo duhet ti kontrollojë shtetasit e vet ose rezidentë. Terroristët parimisht mund të jenë edhe shtetasit francez edhe jofrancez. Kjo sepse janë mbi 5 milionë emigrant në mbarë Francën që punojnë për demokracinë e këtij vendi. Në rastin konkret sulmuesi ishte tunizian, por kjo pak rëndësi ka. Sulmuesi mund të ishte edhe francez. Por kontrolli ndaj shtetasve është i nevojshëm për disa element si: precedentët kriminal, pranimi në Francë jo i personave të rrezikshëm, kontrolli dhe vëzhgimi i elementëve që përbëjnë kontigjent kriminal. Terroristi Bouhlel fare mirë mund të ishte kontrolluar dhe tragjedia mund të shmangej. Ai kishte patur precedent kriminal, si dhe kishte qenë person problematik. Shërbimet sekrete franceze sidoqoftë duhet të bënin dhe të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Kjo sepse pa kontroll, jo vetëm Franca, por e mbarë bota do të ishte në kaos. Por se terroristët vështirë të ndalen, pasi ato godasin befasisht në mënyrë ç’njerëzore nga Parisi në Stamboll, nga Damasku në Islamabad.

Terroristët nuk janë myslimanë

Islamofobia po shënon rritje në Europë. Partitë ekstreme të djathta dhe të majta besojnë në mënyrë krejt të gabuar se Islami ka ndonjë lidhje me terrorizmin. Islamofobia nuk ekziston vetëm në shtetet e zhvilluara europiane, por edhe në trojet shqiptare. Opinionistë, njerëz të medies e të politikës janë bërë më “europeanist” se se vetë europianët dhe gjoja në hir të vlerave të Europës, nxijnë islamin. Ne kemi opinionistë që për sulmin në Nisë ia linin fajin “islamit të dhunshëm” e se fisheku u duk se doli bosh qysh në fillim sepse më tej u raportua se sulmuesi ishte përdorues droge, veprim i cili bie ndesh me parimet fetare. Të tillët janë shtuar shumë. Këta kanë arritur deri në nivelin e akademikëve, akademi e brumosur keqas me idenë se “Europa është qendra e botës” dhe se “çdo gjë në periferi të Europës, është gjë e keqe”. E turpshme dhe mjerane njëkohësisht që ekzistojnë mendje të tilla. Islami është fe e paqes. Islami nuk ka lidhje kurrfarë lidhje me terrorizmin. Çmenduria islamofobe arrin deri aty sa ne kemi opinionistë që përdorin terma që as ekzistojnë të tilla si “islami i dhunshëm” apo “islami i butë”, kur në fakt feja islame është një. Sidoqoftë, çdo terrorist, në çdo rast që ka sulm, nuk është mysliman. Kjo sepse myslimani i vërtetë nuk vret, nuk pret, nuk dhunon dhe nuk i bën keq askujt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button