Çfarë dreqin po ndodh me këtë botë?

Trishtim, frikë, pikëllim, bosh, por edhe neveri… Po, këto ndjenja janë duke më shoqëruar disa vite me radhë tani, shpesh pyetem “Çfarë po ndodh me këtë botë?” Mirëpo përgjigjen, jo, kurrë nuk e mora. Ndjehem i pavlefshëm, i pafuqishëm, kërkoj ndihmë nga dikush të më mësojë se si unë ta ndihmoj këtë botë, apo thjesht të gënjej veten duke thënë se gjoja “do të bëhet mirë”? Po mirë nuk bëhet, t’paktën jo kështu, kështu nuk po i ndihmojmë botës që edhe ajo të na e kthejë shërbimin. Jam i tillë unë? Nuk e di, por shpresoj që jo.

Unë e di që kurrsesi nuk dua dhe nuk do të bëhem një baltavec që shpreson mrekulli të cilat qeniet me të cilat po e ndan universin nuk e merituan, një lakmitar i asaj që nuk e meriton, një gojëtar llafeshumë e fjalë bosh, por nuk do të bëhem as edhe një dele e urtë e budallaçkë në tufë me plot të tjera. Jo i pëshpërit vetes, ti mundesh më shumë, edhe pse kjo pëshpërimë vjen edhe më e zbehur se ç’është zakonisht pëshpërima, por unë dua asaj ti besoj, dua atë pëshpërimë zë paktë shprese ta forcoj. Paska ngelur një fije optimizmi tek unë! Ura! E tani? Të marr lapsin e përsëri të shkruaj, të shkruaj për problemet aktuale të kësaj bote që gradualisht është duke u çmendur, duke e humbur arsyen.. Dal për një kafe me shoqëri dhe ç’më shohin sytë? Një burrë duke e rrahur gruan e tij në mes të rrugës dhe jo, nuk është se u habita, unë ka kohë që nuk habitem më këso lloj hajvanllëqesh, por kjo më lëndon çdo herë e më shumë, e nuk mundem të qëndroj indiferent ndaj një gjëje aq të shëmtuar, aq ofenduese edhe për atë që e shikon, por më habitën njerëzit që as qerpiku fare nuk u lëvizi, madje nxorën telefonat e shumë të entuziazmuar po inçizonin, po! Po inçizonin ngjarjen sikur të ishte ndonjë gjë e bukur! Në rregull, kjo kaloi, mora rrugën për në shtëpi, Ç’kanë gjithë këta njerëz që po më shikojnë? Diçka nuk është në rregull me mua? Ardit i thash vetes mjaft më, vetëm ec dhe injoro. Hmm “Të ec dhe injoroj”  Nuk është ky arti të cilit ia them më së miri, nuk është ajo që e bëj çdo ditë për çdo gjë që nuk më pëlqen? Nuk është kjo ajo gjë që të gjithë ne një mënyrë apo një tjetër jemi duke e bërë? Eh, e tillë është kjo jetë! Apo jo, e tillë është kjo kohë. Por jo në fakt të tillë janë këto njerëz dhe të tillë kanë qenë gjithmonë!

Në botën që e ndërtuam me urrejtje frikësohem edhe të ngre zërin për atë që s’më pëlqen sepse ndjehem i kërcënuar.. E kam shumë seriozisht, e ndjej të rrezikuar jetën time jetën, andaj unë zgjedh të përdor metodën e famshme “Ec dhe injoro!”. Arrita në shtëpi, e lava fytyrën dhe e lëshova kompjuterin të shoh se ç’po ndodh në botë… Ç’të shoh! Vëllai e vrau vëllain, gruaja rrihet deri në vdekje, vriten 50 homoseksualë në një club nate, terroristët sundojnë Francën etj.. E përsëri më vjen ajo pyetje “çfarë dreqin po ndodh me këtë botë, këto njerëz! “Unë i shkreti, lëshova kompjuterin për t’i ikur pak realitetit të trishtë ballkanik, me qëllim që të zhytem në imagjinatë, të zhytem në atë të ashtuquajtur “Ëndërr Evropiane” ah unë shkreti unë! Lexoj komente, gjithmonë i shokuar, lexoj se si injoranca, antivlera dhe idiotllëku janë duke dominuar qoftë edhe në komente tek një video terroristësh ku mijëra njerëz humbin jetën, ku qindra e mijëra shpirtra t’pafajshëm shuhen, pa asnjë faj.. E dini me çfarë merren idiotët e facebook-ut? (Sepse kështu me pëlqen ti quaj). Ata merren me FETË, vazhdimisht shajnë njëra-tjetrën që e tyre të dalë sa më e bardhë, përkatës të feve të ndryshme e shajnë fenë e tjetrit për të gjitha ndodhitë e trishta, shajnë dhe lavdërojnë fetë për disa like, për të fituar në shoqëri një vend që atyre u pëlqen.

Qe mysliman? Qe i bardhë? I zi? Grua? Burrë? Kishte mjekër? Po! Këto komente dominojnë në videot që zemra po më dhemb kur i shoh, madje shpesh refuzoj t’i shoh deri në fund. Nuk e përballoj dot.. Ne dreq të gjitha fetë, në djall të mallkuar le të shkojnë të gjitha religjionet. A ka vallë ndonjë tjetër rrugë? Mua asnjëra ende nuk ma qetësoi shpirtin, asnjëra nuk shlyen mëkate, asnjë kërcënim i asnjë feje nuk e ndaloi njeriun, të vdekshmin, të sillet me përgjegjësi ndaj njerëzve të tjerë me të cilët po e ndan planetin, bile pjesa dërmuese e këtyre që ushtrojnë dhunë dhe ia japin vetes të drejtën t’ia mohojnë dikujt jetën aludojnë se po e bëjnë këtë të jenë sa më afër Zotit. Por siç thotë Herman Hese: ‘A nuk ishin të gjitha shembëlltimet e perëndive sende të krijuara si unë e ti, të nënshtruara ndaj rrjedhës së kohës, të përkohshme e kalimtare?’ Jam lodhur dhe nuk dua aspak të di se cili religjion çfarë promovon! Unë dua qetësi në shpirt, dua paqe, dua dashuri, kërkoj shumë? E frikshme kjo botë, e zezë, e errët! Përgjigje dua, më përgjigjet njeri? E di dikush se çfarë dreqin është duke ndodhur me këtë botë? Përse bytha e një aktoreje po merr më shumë vëmendje se sa një familje e pastrehë? Përse dikush jeton në mjerim e dikush në pallate të arta, a nuk e kishim të gjithë të njëjtin Zot, atë qëna trajtonte të gjithëve njëlloj, të drejtin, të pagabueshmin? Apo.. Apo s’e kemi fare, e na ngeli thjesht sa për të ngushëlluar veten e për t’i dhënë një shpresë naive! Një shpresë që po zbehet, që po e humb shkëlqimin, po vyshket, po vdes!

Përse burri respektohet e gruaja vazhdimisht po njolloset, edhe sa gjatë do të na e përcaktojë rëndësinë ajo që e kemi në mes të këmbëve. Pse? Pse? Pse? Shumë pyetje në kokë, po të ik të fle për t’u zgjuar nesër me po të njëjtën ndjenjë, me po të njëjtën vuajtje, në këtë rrugë pa krye, në këtë humbje. Të zgjohem aty ku ndjehem i rrethuar nga dhembja, nga pas më fryn plot ngrohtësi flladi i vuajtjeve të heshtura. Gjithçka gënjente, gjithçka ku tërbon gënjeshtër e mashtrim, gjithçka shtirej si të përmbante kuptim, lumturi e bukuri; dhe gjithçka ishte veç kalbësirë e parrëfyer. Shije të hidhur kishte bota. Vuajtje ishte jeta. Por një qëllim kam unë, një dëshirë kam unë, të zgjohem dhe të mos lexoj gjak, të mos lexoj dhunë, të mos lexoj urrejtje.  Aty dua të zgjohem, aty ku nis fundi i shkaqeve, aty ku nis përjetësia e pabrengë.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. qenke munduar te behesh engjull por nuk di a ke vrejt veten se ke ofenduar njerzit ne besim ne fe? paske ofenduar te gjitha fet ,e ne anen tjeter i quan idiot ata qe ofendohen me fe ? je kontradiktor… ,perndryshe ndaj pakes se kush kend e ofendon lirisht hyn dhe fillo te hulumtosh nuk do gjesh dot ne net nje shqiptar te perkatsis musliman qe fillon i pari dhe ofendon bashkombasin e fes tjeter kurse te kunderten gjithmon do ta gjesh si ne portale si ne rrjete sociale si ne youtube etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button