Reagimet e partive për euro-obligacionet, pushteti akuzon opozitën e kënaqur me shtyrjen

Shtyrja e nxjerrjes në shitje të euro-obligacioneve në vlerë prej 650 milionë eurove, ka prodhuar reagime të shumta në skenën politike. Pushteti dhe opozita madje edhe kanë shkëmbyer akuza në adresë të njëra tjetrës, të cilat i ndërlidhën edhe me “akte terroriste financiare”, shkruan TV21.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Social-Demokrate, thotë të ketë parandaluar një krim të madh kundër popullatës, duke e përfshirë atë siç thuhet në borxh abnormal.

Në reagimin e këtij subjekti thuhet se me këtë shtyrje është pamundësuar vazhdimi i klientelizmit të klasës pushtetarë, të cilën do ta vuanin gjeneratat e ardhshme.

“Nuk do të lejojmë që të bëhet dëm shtesë me borxhe të reja mbi kurrizin e gjeneratave të ardhshme. Nuk do të lejojmë kolaps ekonomik dhe keqpërdorimin e parave për korrupsion zgjedhor. Buxheti ka para për rroga dhe pensione. Kjo huamarrje ishte për shpenzime joproduktive, korrupsion dhe krim”, tha ish zëvendësministri i finansave, Kire Naumov.

Partia në pushtet reagoi pa humbur kohë. VMRO-DPMNE shkroi në një komunikatë se lëvdatat që po ia atribuon vetes opozita, janë siç thuhet, përpjekje për ta lëkundur stabilitetin financiar të shtetit.

Madje, sipas kësaj partie në pushtet, kjo paraqet një “akt klasik të terrorizmit financiar”.

“LSDM-ja kreu edhe njëherë krim financiar, duke u përpjekur me gënjeshtra dhe të pavërteta ta bllokojë euro-obligacionin, mënyrë kjo e cila është e zakonshme për financimin e çdo shteti evropian. LSDM-ja u mundua të ndërhyjë në sistemin financiar me qëllim që t’i parandalojë investimet në çerdhe, shkolla, rrugë, spitale, hapjen e vendeve të reja të punës dhe projekteve të tjera”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Për shtyrjen e nxjerrjes së euro-bondeve në tregun financiar, reaguan edhe partitë e vogla.

Kështu FRODEM nëpërmjet një kumtese thotë se bankat komerciale dhe investitorët më në fund kanë vendosur që mos ta financojnë, siç e quajnë ata, regjimin e partisë në pushtet.

“Bankat komerciale dhe investitorët më në fund vendosën mos ta financojnë më regjimin, e themeluar nga strukturat kriminale partiake si dhe patriotët e rrejshëm. Vardari i turbullt e mori me vetë “ekonominë më të suksesshme të botës”. Nga ujërat e trazuara të Vardarit, shelgat  nuk dhanë fryte. Falë pushtetit të kriminalizuar e të pangopur, nuk do të ketë rroga dhe pensione. Nuk do të kemi para për bukë, kurse fajtorët për këtë do të hanë çokollata nga qumështi, shkruan në kumtesën e FRODEM-it”.

Kurse nga PRSD-ja, thonë se banka botërore e ka njohur diagnozën  e këtij, siç e quajnë ata,  pushteti të korruptuar dhe kriminalizuar.

“Vendimi për bllokimin e realizimit të euro-obligacionit, me të cilin Qeveria dëshironte t’i fusë në borxh qytetarët me 650 milionë euro të reja, është mesazh i qartë i sektorit bankar botëror se nuk do të hyjë në asnjë lloj biznesi financiar me një pushtet të korruptuar e kriminal. Bankat botërore e njohën diagnozën e ish ministrit të financave, Zoran Stavrevskit: “Ne jemi budallenj, shpenzojmë për çokollatë, kurse nuk kemi për bukë”.

Përndryshe, javën e kaluar, Qeveria e lëshoi euro-obligacionin në vlerë maksimale prej 650 milionë eurosh, kurse agjentët kryesorë ishin, Siti grup, Dojçe Bank, Sosiete Zheneral dhe Erste Bank.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button