Lëngata e pleqërisë

Ngadonjëherë të dorzohesh është më e vështirë se mos dorzohesh.

Kjo është lufta ndaj anihilimit, shuarrjes e tretjes.

Kjo luftë ndaj dhimbjes, moshës, viteve, pleqërisë, sëmundjeve të shumta, mundimeve dhe plagëve, demonstron një vetë-motivim të fortë.

E cili është gati të largohet? Cili është gati të braktisë gjithçka ka patur, krijuar e ndërtuar?

Edhe pse është i sigurt që luftën do e fitojë vdekja, njeriu prapë lufton! Lufton që të paktën në disa beteja të dalë fitimtar! Lufton që ta shtyjë takimin me të panjohurën edhe për pak kohë… veç pak… por për të do të thotë shumë!

Por pse lufton?

Lufton që të vazhdojë vuajtjen? Që të ndiej akoma dhimbjet e plagëve? Që të vuaj edhe pak nga sëmundjet?

Jo! Ai lufton sepse nga natyra është luftëtar!

photo_gj

Ai lufton se nuk dëshiron ti japë përshëndetjen e fundit familjarëve… lufton se nuk do të ndahet nga fytyrat e brishta të nipërve dhe mbesave të tij..lufton sepse ka fëmijë, të cilët edhe pse të rritur, për të mbeten fëmijë dhe ka frikë ti braktisë. Ai lufton sepse nuk e di ku do shkojë, lufton se ai i frikësohet të panjohurës. Lufton se nuk do te jetë më siç ishte dhe nuk do të ketë çka kishte.

Gjërat më të bukura në jetë, as nuk shihen as nuk preken, ato ndjehen, ndjehen me zemër, dhe për sa kohë zemra e tij e stërmunduar do pulsojë, ai do ta dojë jetën.

Ai e di se kur vepron drejt nuk ke pse të frikësohesh nga asgjë. Ai i thotë vdekjes “JO” pa pasur nevojë ta arsyetojë vetveten.

Edhe pse dergjet në shtratin e vdekjes, tashmë i verbër, i shurdhët, memec, invalid, i paaftë për t’u ushqyer, i paaftë për të jetuar…edhe pse artificialisht në jetë, përsëri dashuria për të afërmit dhe frika nga e panjohura e shtyjnë zemrën e tij të pulsojë edhe pak.. i bëjnë mushkëritë e tij të thithin dhe pak oksigjen.. dhe gjithashtu i jep jetë dhimbjeve të tij.

A mund të bëjë vdekja përjashtim për të?

Aspak!

Kështu është jeta, lindja e fëmijëve kompenson largimin e gjyshërve. Jeta është ambivalente, ajo ve përballë dy ndjenja ekstreme, lumturinë e lindjes së fëmijëve dhe trishtimin e vdekjes së gjyshërve. Ky proces ruan balancat e njerëzimit, askush se ndryshon dot këtë.

A është vdekja fat apo fatkeqësi për një trup plot plagë? A është vdekja trishtim apo shpëtim për atë zemër plot dhimbje?

Sidoqoftë, lufta midis njeriut dhe fenomenit natyror vazhdon. Edhe pse e pabarabartë, kjo luftë është e pashmangshme.

Edhe pse njëra palë e fuqishme dhe e pamposhtur, pala tjetër ka motivimin e duhur, e kur ti shteroje motivimi, ai do luaj me kartën e disiplines, e kur të mbarojë edhe ajo atëhere ai do të mposhtet. Por mos harro: Ai Luftoi!

Ai nuk ka frikë nga dështimi apo zhgënjimi pasi për të këto janë thjesht eksperienca të përkohshme drejt fitores. Një fitues është veç një humbës që e provoi serish!

Ai ka dinjitet, dhe nuk ka rëndësi nëse shpirti i tij do jetojë apo jo mbas vdekjes, rëndësi ka që ai ishte gjallë para vdekjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button