Tramp sot zgjedh nënkryetarin

Gingriç, Pens dhe Kristi konsiderohen si kandidatët më seriozë për nënkryetar

Kandidatët për nënkryetarë. Republikanët të hënën dhe demokratët një javë më pas do të mbajnë konventat e tyre partiake ku edhe formalisht do duhet t’i nominojnë Trampin dhe Klintonin si kandidatë të partive të tyre për kryetarë të SHBA-ve. Njëkohësisht konventat janë momenti i fundit kur të dy partitë duhet të nominojnë edhe kandidatët për nënkryetarë.

Formalisht kandidatët për nënkryetarë zgjidhen njëlloj si ata për kryetarë, pra me votime në konventë. Mirëpo ndryshe nga kryetarët që zgjidhen në seri votimesh paraprake ku grumbullojnë delegatë, zgjedhja e nënkryetarit zakonisht i lihet në diskrecion vetë kryetarit. Në këtë rast pra kandidatin republikan për nënkryetar do t’a nominojë Trampi dhe atë të demokratëve Klintoni.

Pasi konventa republikane nis pas tre ditësh, është koha e fundit që të dihet nënkryetari republikan. Tramp ka premtuar se atë do t’a bëjë publike në konferencë për shtyp në Nju Jork, sot në orën 11. Ja emrat që qarkullohen si nënkryetarë potencialë të Trampit.

Majk Pens. Pens si duket është kandidati më serioz. Ai është guvernator aktual i shtetit të Indianës, ndërsa përpara ka shërbyer në Kongres 12 vite me rradhë. Aty ka arritur majat duke përfunduar si lider i republikanëve në Dhomën e Ulët të Kongresit.

Aduti më i fortë i Pensit është se ai është anti-teza e Trampit dhe kështu mund të shërbejë si komplement i tij, për të tërhequr votuesit që akoma nuk mund të paramendojnë të votojnë Trampin. Pens është pjesëtar i të ashtuquajturit establishment, insajder që njeh mirë mënyrën si funksionon Uashingtoni. Njëkohësisht është i kristerë evangjelist dhe vjen nga pjesa rurale e Amerikës. Është i njohur si person i përkushtuar ndaj familjes, ndryshe nga Trampi me tre martesat dhe aferat e panumërta të tij.

Problem për Pensin mund të jetë fakti që gjatë votimeve brendapartiake në Indiana ka përkrahur Kruzin. Mirëpo pikërisht për këtë shkak, me zgjedhjen e tij Tramp mund të dëshmojë se nuk është person që mban inate dhe se mund të harrojë armiqësitë e kaluara për hir të unitetit partiak.

Njut Gingriç. Gingriç është një nga figurat më të njohura të politikës amerikane 20 vitet e fundit, politikan tejet inteligjent por njëkohësisht tepër kontraverz. Në vitin 1994 me platformën e tij “Kontratë me Amerikën” udhëheq partinë republikane drejt fitores së parë për Dhomën e Ulët pas 40 vitesh, për t’u bërë pastaj spiker i Dhomës. Për fat të keq gjithë këtë kapital politik e shfrytëzoi për ballafaqim me Klintonin me rastin Levinski, përderisa në të njëjtën kohë edhe ai tradhëtonte gruan e tij të dytë me një punonjëse, e cila më pas u bë grua e tij e tretë. Kandidoi për kryetar në vitin 2012, por humbi garën brendapartiake nga Mit Romni.

Përparësia e Gingriçit është se njeh mirë mënyrën si funksionon Uashingtoni, pikë e dobët kjo e Trampit. Ai do të mund të bëhej urë mes Kongresit dhe Trampit, nëse ky bëhet kryetar. Gingriç poashtu është i njohur si orator i mirë në publik dhe politikan elokuent, me aftësi për të shpjeguar probleme komplekse me fjalor të thjeshtë.

Nga ana tjetër Gingriç është poaq i paparashikueshëm dhe kontravers sa Trampi. Njëlloj si Trampi ka tendencë të dalë jashtë skriptit dhe të flasë ç‘ti vijë në mendje. Në jetën private ka patur disa afera dhe tre martesa. Pra me kandidim të Gingriçit do të dukej sikur republikanët ofronin dy Trampa, edhepse i dyti tejet më inteligjent dhe elokuent se i pari.

Kris Kristi. Kristi ishte njëri nga kandidatët e sivjetëm për kryetar, që u tërhoq nga gara pas rezultatit të dobët në Nju Hempshër. Kristi ishte i pari që mbështetit Trampin pas tërheqjes, për çka morri kritika të ashpra nga bashkëpartiakët që atëkohë akoma mendonin se mund t’a ndalin Trampin. Në njëfarë mënyre do dukej sikur Trampi tani ja kthen favorin nëse e zgjedh për nënkryetar. Të dy poashtu kanë miqësi paraprake më të gjatë.

Problem për Kristin është fakti që ai nuk është aspak i popullarizuar as në Nju Xhersi, ku për momentin shërben si guvernator. Poashtu nuk duket se ka diçka që mund t’i shtojë dhe ndihmojë Trampit.

Xhef Seshëns. Senatori nga Alabama njihet si “Trampi para Trampit”. Ai është ndër të parët që ka ngritur publikisht problemin e imigracionit me fjalor të ngjashëm si Trampi, prandaj nuk është për t’u habitur që ishte ndër poliitikanët e parët që mbështetën Trampin kur ky u kandidua për kryetar. Por përveç përputhjes ideologjike, Seshëns nuk ka çka të shtojë te kandidatura e Trampit. Ai nuk mund të sjellë vota shtesë për Trampin, pasi ata njerëz që mund të tërheqë Seshëns veçmë janë në anën e Trampit.

Majkëll Flyn. Flyn është gjeneral i pensionuar, që në periudhën 2012-2014, pra nën administratën e Obamës, ka shërbyer si drejtor i shërbimit të inteligjencës të forcave të armatosura. Përbën raritet si demokrat i spikatur që përkrah Trampin, kryesisht për qëndrimet e tij rreth sigurisë kombëtare. Zgjedhja e Flyn do t’i ndihmonte shumë Trampit për të tërhequr demokratët e pakënaqur. Nga ana tjetër me zgjedhjen e tij Tramp rrezikon të irritojë një pjesë të mirë të bazës republikane, pasi Flyn ka qëndrime të kundërta me partinë për çështje kulturore si aborti apo martesat homoseksuale.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button