“Vargje në verandë”, shkrimtarët e rinj i ndanë fjalët e shpirtit me dashamirët e letërsisë

Fjalët e mbushura me plot frymë pozitive nga shpirti dhe ndjenjat e pastra të artit letrar të qëndisura bukur, mbizotëruan në ngjarjen letrare “Vargje në verandë”, në “Librarinë e Çarshisë” në Shkup, i organizuar dhe prezantuar nga disa shkrimtarë të rinj nga Maqedonia ku i lexuan poezitë dhe prozat e tyre për të gjithë dashamirët e letërsisë, raporton Portalb.

“Këto takime letrare kanë dëshmuar faktin se të rinjtë shkruajnë për qejf, sepse gjithmonë kemi pasur numër të madh të të rinjve që janë paraqitur për të marrë pjesë në këso ngjarje. Pas dy viteve po takohemi në verandën e “Librarisë së Çarshisë” duke e konceptuar këtë ngjarje pak më ndryshe se ngjarjet e tjera, gjithnjë me tendencën që t’u ikim klisheve organizative”, tha njëra ndër organizatoret e ngjarjes dhe pjesëmarrësja si poete, Arlinda Baftiu.

Në një atmosferë shoqërore, 9  shkrimtarë të rinj recituan nga dy shkrime letrare. Fillimisht i recituan vargjet e tyre, ndërkaq për t’u bërë ky event më kreativ, organizatorët kishin përgatitur një surprizë të paparalajmëruar, por të këndshme për pjesëmarrësit.

Pasi lexonin poezinë apo prozën autoriale, ato më pas zgjidhnin një prej 9 luleve që mbanin një shkrim të njërit prej shkrimtarëve pjesëmarrës. Kolegu e recitonte shkrimin e kolegut, ndërkaq më pas duke i uruar për suksese të mëtutjeshme, letrën e mbante lexuesi, ndërkaq lulja në shenjë respekti i dhurohej pronarit të shkrimit, transmeton Portalb.

“Vargje në verandë” - Shkup
“Vargje në verandë” – Shkup

“I tërë ky event u konceptua me surpriza. Shkrimtarët e rinj i lexuan shkrimet e shokëve dhe shoqeve të tyre, pa paralajmërim, ashtu siç ju rastisi dhe kjo besoj që krijoi pak më shumë afërsi dhe miqësi mes tyre”, tha poetja, Baftiu, duke shtuar se, pos kësaj, një surprizë ngazëlluese ishte edhe një vullnetar nga publiku që kërkoi t’i ndajë vargjet e tija me të pranishmit.

Poetja Baftiu që njëkohësisht është edhe moderatore në TVM2, theksoi se i inkurajon të gjithë të rinjtë që merren me poezi duke shtuar se për hir të respektit ndaj kohës, efektit të ngjarjes, por edhe për të mos ia prishur dëshirën askujt, këtë herë ka pasur seleksionim për pjesëmarrësit.

“Këto janë arsyet e vetme që kemi shkuar me selektimin e shkrimtarëve, është pikërisht fakti që askujt të mos i themi – jo. Besoj që të rinjtë e tjerë që janë të interesuar do të kenë rast që herëve tjera të na bashkëngjiten në këto evente”, shtoi Baftiu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button