Ymeri: Kosova nuk ka udhëheqës, ka administratorë

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në profilin e vet të Facebookut ka shkruar se “pavarësia e kushtëzuar e solli shtetin me kushtëzime dhe me nënshtrime ndaj Serbisë, ndërsa udhëheqësit e vendit i ka quajtur vetëm administratorë, transmeton Koha.net.

Ymeri ka theksuar se pavarësia e kushtëzuar na e solli shtetin me kushtëzime. Kjo është logjikë e shtetrrënimit nën siglën e shtetndërtimit. Sipas kësaj logjike e vetmja mënyrë për ta ndërtuar ekonominë është që të heqim dorë nga resurset ekonomike (mania privatizuese); e vetmja mundësi që të kemi drejtësi është duke hequr dorë nga sovraniteti mbi gjyqësorin (eksperimentet EULEX, Gjykatë speciale, etj.); e vetmja mundësi për ta ndërtuar republikën është të heqim dorë nga karakteri unitar i saj dhe barazia e qytetarëve (‘Zajednica’); rruga e vetme e afirmimit ndërkombëtar është rruga e nënshtrimit politik ndaj fqinjëve (Dialogu me Serbinë), shkruar kryetari i Vetëvendosjes.

Lideri i VV-së ka vazhduar se “tash Isa Mustafa doli me një deklaratë të re: mënyra e vetme për të themeluar ushtrinë, si garant i integritetit territorial, është duke hequr dorë nga integriteti territorial (Ratifikimi i marrëveshjes aktuale për demarkim të kufirit me Malin e Zi).

Ai ka theksuar se shteti i kushtëzuar ka kushtëzuar që në vend të vendimmarrësve që qeverisin me territorin, të kemi administrues që menaxhojnë, mes tjerash, kohën e zbatimit të vendimeve të të tjerëve. Kështu Hashim Thaçi kërkonte që marrëveshja për demarkacion të ratifikohej që dje, Isa Mustafa po e do atë të ratifikuar nesër, e Kadri Veseli mbase pas një jave. Nuk flasin për hapësirën por për kohën. Se atë e administrojnë.

Kryetari i Vetëvendosjes ka shtuar se kur në krye të shtetit nuk ke tjetër përveç administrues atëherë natyrisht që kufijtë e shtetit që do të duhej të ishin ndërkombëtar shndërrohen në administrativ. Me Serbinë nënshkruajnë marrëveshje përmes të cilave kufirin mes Kosovës e Serbisë e trajtojnë si kufi administrativ. Me Malin e Zi nënshkruajnë marrëveshje ku kufi shtetëror e llogarisin kufirin administrativ të Komunës së Pejës.

Ymeri në fund ka thënë se Republika e Kosovës natyrisht që ka nevojë për administratë. Por mbi të gjitha ka nevojë për qeveri, dhe qeverisje vendimmarrëse, në shërbim të së mirës së përgjithshme. Dhe mbi të gjitha ta demarkojmë qartë vijën ndarëse mes administruesve të vendimeve të të tjerëve dhe vendimeve tona për të mirën tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button