ANALIZË: Cilat projekte e mbijetuan rebalancin, e cilat jo?

Më pak para për ndërtim dhe rekonstruksion të objekteve për mbrojtje të fëmijëve, për programet për rritjen e punësimit nëpërmjet Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, më pak mjete edhe për pajisjen e laboratoreve. Janë zvogëluar edhe mjetet për ndërtimin dhe rekonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme, të cilat shpërndahen nëpërmjet Ministrisë për Arsim. Më pak para për ndërtimin e sheshit Skenderbeu, për rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimin te një pjesë e komunave, si dhe për disa nga hidrosistemet. Janë zvogëluar edhe mjetet për infrastrukturën hekurudhore. Më tepër para për gasifikim, për aksin rrugor Demi Kapi – Smokvicë, për renovimon e objekteve për mbrojtje sociale. Me shumë të njëjtë mbeten zërat te shpenzimet kapitale, për përkthim dhe shtypje të literaturës profesionale, përkthimin e librave të autorëve me renome. Ja sa para dhe për çfarë projekte do të ndahen në buxhetin e rebalancuar për vitin 2016, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Më pak para për sheshin Skenderbeu, për spitalet, për shkollat…

Ja një pjesë e projekteve te të cilat do të ketë zvogëlime ose rritje të mjeteve me rebalancin e buxhetit të vitit 2016:

  • Stimulimi i punësimit

Me këtë program, nëpërmjet Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale me buxhetin fillestar ishin planifikuar 1,5 milionë euro, e tani me rebalancin kjo shumë pothuajse është përgjysmuar në 801.700 euro. Mu këtë program qeveria e potencon si një nga prioritetet kulmore për zvogëlimin e varfërisë.

“Qëllimi kryesor i këtij nënprogrami është rritja e punësimit si prioritet kulmor i qeverisë dhe si mënyrë më e mirë për ballafaqim me varfërinë dhe përjashtimin social. Me masat aktive për punësim u ofrohet mundësi të papunësuarve që në mënyrë aktive të veprojnë dhe të sigurojnë punësim dhe ekzistencë” – thuhet në buxhetin e rebalancuar.

  • Programi për pajisjen e laboratoreve

“Në bazë të projektit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për blerjen e pajisjeve për laboratoret për universitetet shtetërore dhe institucionet shkencore publike blihen pajisje për laboratoritë si investim kapital në infrastrukturën shkencore-hulumtuese, thuhet në rebalancin e buxhetit. Mu te këto shpenzime kapitale ka zvogëlim të mjeteve, në 3,1 milionë euro ose për rreth 161.000 еuro.

  • Ndërtimi dhe rikonstruimi i shkollave fillore dhe të mesme dhe i konvikteve studentore

Me rebalancin e buxhetit të vitit 2016 zvogëlohen edhe mjetet për ndërtimin e shkollave fillore, kështu që në vend të 2 milionë eurove të planifikuara, tani janë projektuar 1,9 milionë euro. Nëpërmjet Ministrisë për Arsim zvogëlohen edhe paratë e dedikuara për rikonstruimin e shkollave fillore për 81.300 еuro. Më pak para do të ketë edhe për ndërtimin dhe riksontruimin e shkollave të mesme, dhe tani në buxhetin e ribalancuar kjo mjete janë zvogëluar në gjithsej 731.000 еuro. Paratë e planfikuara për ndërtimin dhe rikonstruimin e konvikteve shkollore dhe studentore mbeten në nivelin e njëjtë, ndërsa rritje të shumës ka te shpenzimet për ndërtimin e sallave sportive shkollore në shkollat e mesme. Sasinë e njëjtë të mjeteve do ta harxhojë edhe Agjencia për sport dhe të rinj, me qëllim të investimit në infrastrukturën sportive, gjegjësisht në sallat sportive. Me shumën e njëjtë të parave mbeten edhe shpenzimet te Ministria për Arsim që janë të dedikuara për përkthimin e librave nga autorët me renome, me vlerë prej 1,2 milionë eurosh, shkruan Portalb.

  • Ndërtimi i spitaleve, ambulantave…

Nëpërmjet Ministrisë për Shëndetësi, shkurtim të parave ka te shpenzimet kapitale për rikonstruim dhe ndërtim plotësues të objekteve të institucioneve shëndetësore publike, të cilat tani janë zvogëluar në 6,4 milionë euro.

Rritje ka te shpenzimet për pajisje mjekësore për nevojat e institucioneve shëndetësore publike, të cilat tani me rebalancin janë rritur në 4,3 milionë euro, mirëpo shkurtim të konsiderueshëm ka te mjetet e dedikuara për ndërtimin e ambulantave në mjediset rurale. Nëpërmjet Ministrisë për Shëndetësi, zvogëlim të shpenzimeve kapitale ka edhe për Spitalin klinik të Tetovës dhe Spitalin e përgjithshëm të Kërçovës, të cilat me rebalancin janë zvogëluar në 1,6 milionë euro. Shkurtim të konsiderueshëm të mjeteve ka edhe për ndërtimin e Qendrës së re klinike në Shkup dhe në Shtip.

  • Projekte nëpërmjet Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale…

Me rebalancin shkurtohen edhe paratë për ndërtimin e sheshit Skenderbeu, të cilat janë planifikuar si shpenzim nëpërmjet Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale.

“Në kuadër të këtij nënprogrami janë përfshirë aktivitetet investuese për rregullimin e hapësirave publike, me qëllim të ndërtimit të sheshit Skenderbeu” – thuhet në buxhetin e rebalancuar. Kështu, në vend të 3,1 milionë eurove, në buxhetin e zvogëluar kjo shumë është shkurtuar në 2,7 milionë euro.

Nëpërmjet kësaj ministrie u zvogëluan edhe shpenzimet për zhvillimin rajonal për 813.000 еuro dhe tani ato janë 1,6 milionë euro.

“Qëllimi i këtij nënprogrami është promovimi i zhvillimit të barabartë rajonal në vend, duke i zvogëluar disparitetet në shkallën e zhvillimit ndërmjet rajoneve planifikuese. Nga mjetet e përgjithshme të planifikuara për zhvillimin e barabartë rajonal, 70% do të ndahen për realizimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese, 20% për zhvillimin e zonave me nevoja të veçanta për zhvillim dhe 10% për zhvillimin e fshatrave”, thuhet në buxhet.

  • Projektet e infrastrukturës dhe ato energjetike

Me rebalancin e buxhetit më pak para janë planifikuar për hidrosistemin Zletovica dhe tani kjo shumë zvogëlohet në 1,1 milionë euro. Nëpërmjet Ministrisë për Bujqësi, në nivel të njëjtë mbeten edhe shpenzimet për hidrosistemin Lisiçe, mirëpo zvogëlim ka te programi për ujitjen e luginës jugore të Vardarit. Zvogëlim ka edhe te zëri kapital “Investimet në infrastrukturën hekurudhore” nëpërmjet Ministrisë për Transport dhe Lidhje. Në fakt, me buxhetin fillestar ishin planifikuar gjithsej 35,8 milionë euro, e tani kjo shumë është zvogëluar në 14,6 milionë euro.

Me rebalancin e pësoi edhe rrjeti i ujësjellësit dhe i kanalizimit për Vizbegun, për të cilin tani nuk janë planifikuar aspak mjete. Zvogëlim të madh të mjeteve ka edhe te zëri “Zonat zhvillimore turistike” nëpërmjet Ministrisë për Transport, të cilat tani janë zvogëluar më shumë se dyfish, në 65.000 еuro. Janë përgjysmuar edhe paratë për ndërtimin e sistemit për furnizim dhe ujë dhe objektet infrastrukturore në Sopisht, dhe për tre herë janë zvogëluar edhe mjetet për ndërtimin e plazheve në Dojran, Prespë dhe Ohër.

Më pak para në krahasim me buxhetin fillestar janë planifikuar edhe për zonat e lira ekonomike, të cilat këtë vit në dispozicion do të kenë 7 milionë euro.

Nga ana tjetër, më tepër para janë planifikuar për gasifikim, me ç’rast tani me buxhetin e rebalancuar për këtë projekt energjetik është planifikuar të harxhohen 17,3 milionë euro.

Zvogëlim të mjeteve të përgjithshme ka edhe për ndërtimin e banesave sociale, me çka shuma e re e projektuar është 4,7 milionë euro. Nëpërmjet Ministrisë për Drejtësi, zvogëlim ka te paratë për reformë të gjyqësisë, ndërsa në nivelin e njëjtë mbeten mjetet e dedikura për shtëpitë përmirësuese, gjegjësisht për burgjet në vend. Shpenzimi i përgjithshëm te zëri i shpenzimeve kapitale është pothuajse 50 milionë euro. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button