“Duke i ndjerë pasojat e sanksioneve nga BE, qytetarët do të vetëdijësohen”

Pas formave të ndryshme jo të dhunshme, me të cilat BE provoi ta ndihmojë Maqedoninë të del nga kriza politike, ky union shtetesh ndryshoi sjellje ndaj Maqedonisë. Kohët e fundit vendosi bllokadë finansiare: ia ndaloi Maqedonisë marrjen e 69 milion eurove nga Fondet IPA, gjë që drejtpërdrejtë prek Korridorin 8; pezulloi 27,1 milion eurot e para nga fondet IPA për Maqedoninë  dhe zvogëloi 20,5 milionë euro nga IPA 2. Kjo është goditje e rëndë dhe vërejtje serioze nga BE dhe do të ndiqet edhe me sanksione tjera, pasojat e të cilave fillimisht dhe më së shumti do t’i vuajnë qytetarët, vlerësojnë për Portalb njohësit e çështjes. Ndërsa shpresojnë që duke i ndjerë pasojat qytetarët do të vetëdijësohen dhe do të kërkojnë llogari nga fajtorët që sollën të njëjtat dhe se kështu do t’i japin fund udhëheqjes jo-demokratike dhe anti-perëndimore me vendin.

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

“Vetë fakti që BE ka filluar t’i shkurtojë mjetet financiare të IPA fondeve e që pastaj do të kalojnë edhe në fonde tjera d.m.th. se ka filluar faza e sanksioneve ndaj Maqedonisë, në formë në fillim pak më të butë për ta vendosur në sprovë qeverinë e Maqedonisë.”-tha Ismet Ramadani, “Përndryshe mendoj se kështu duhet të veprohet me këtë qeveri. Mendoj se këto sanksione do të rriten dhe do të ishte ndoshta edhe më mirë që të vijë edhe faza e sanksioneve drejtpërdrejt kundër aktorëve të kësaj krize, d.m.th. atyre që e udhëheqin qeverinë.”

 

“Pasojat janë të mëdha. Së pari janë politike, sepse ato janë sanksione politike dhe janë vërejtje serioze nga ana e BE-së për Maqedoninë. Shkaku është cituar mungesa e reformave. Me këtë dënohet pushteti për gjithë këtë lëshim. Ajo që është e rëndësishme është se ky është vetëm hapi i parë dhe më tutje paraqiten masa të tjera që mund ta rrisin izolimin politik të RM-së. Nga ana tjetër nuk duhet lënë pas dore fakti se gjithsesi ata janë vetëm para që i ndihmojnë RM-së dhe që ne nuk do t’i marrim. Pra edhe financiarisht jemi të prekur, për shkak të mos-marrjes së kësaj ndihme.”-tha Malinka Ristevska Jordanova.

Njohësit e çështjes u përgjigjën edhe në pyëtjen se kush do t’i vuajë këto pasoja.

“Fatkeqësisht në këtë fazë qytetarët do t’i vuajnë pasojat. Zaten ato edhe janë duke i vuajtur pasojat. Mirëpo kjo në një mënyrë e trazon vetëdijen edhe të atyre qytetarëve që akoma mendojnë se kjo qeveri është e mirë, se kjo qeveri është pozitive. Duhet në një mënyrë këto sanksione të vetëdijësojnë edhe atë pjesë të qytetarëve që e përkrahin këtë qeveri, të vijnë në përfundim se kjo qeveri nuk sjell asgjë të mirë për këtë shtet dhe për qytetarët dhe pastaj sigurisht që do të vijnë pasojat për vetë udhëheqësit, liderët që janë pjesëmarrës në këtë qeveri.”-tha Ramadani, sipas të cilit ana pozitive e sanksioneve është rritja e revoltës te qytetarët, gjë që do të përshpejtojë largimin e qeverisë aktuale jodemokratike, tashmë edhe me indikacione anti-perëndimore dhe do të kontribuojë në ndryshimin e udhëheqjes me shtetin.

Malinka Ristevska Jordanova
Malinka Ristevska Jordanova

“Për fat të keq, pasojat distribuohen edhe në ekonomi, distribuohen më gjerësisht tek qytetarët. Megjithatë në këtë moment, Komisioni Evropian nuk ka zgjidhje tjetër për sanksion. Kurse e jona është që si qytetarë, si subjekte t’i kërkojmë më në fund përgjegjësi qeverisë për këta pasoja.”- tha Jordanova.

Ndryshe, Qeveria lëshoi euro-obligacion të ri në vlerë prej 650 milionë euro. Paratë, sipas Gazetës zyrtare të Maqedonisë, do të shfrytëzohen për mbulimin e de‐citit buxhetor për këtë dhe për vitin tjetër si dhe për mbulimin e borxheve të vjetra. Euro-obligacioni do të paguhet për 10 vite, ndërsa do të lëshohet përmes përfaqësisë së Dojçe Bank në Londër./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button