ATA JANË SHQIPTARË

Nuk është hera e parë që shkruaj për vëllezërit e Rekës së Epërme. Nuk do të jetë as e fundit, nëse do Zoti e më jep jetë e shëndet.

E kam bërë dhe do ta bëj këtë, sepse, si njeri letrash, me bie hise ta bëj; sepse, në stinën kur në shpirtërat e tyre rilindet ndjenja e fashitur etnike, ata kanë nevojë për dorën time, tënden, tonën…; sepse kthimi i tyre tek Ëma, sado i vonuar qoftë, përfaqëson triumfin e së vërtetës ndaj mashtrimit shekullor; sepse ndërgjegjësimi i tyre, sado i pjesshëm qoftë, është tapia e një krahine me trashëgimi të paçmueshme vlerash shpirtërore e materiale; sepse shtëpia jonë po rrezikohet nga  minjtë brejtës të substancës identitare që thirren në etni duke hapur papengueshëm varrin e saj; sepse, në vend të kultivimit të vegzave përbashkuese, po ngritet lugat tendenca e ndarjeve të reja dhe krijimit të kombeve artificiale shqiptare…

E kam bërë dhe do ta bëj këtë, sepse shqiptarët ortodoksë (ata që i dalin zot përkatësisë etnike) aktualisht janë nën trysni që vetëm mund të merren me mend.  Ata janë të gjuhës, gjakut, farës dhe trollit tonë. Janë si unë, si ti, si ne. Edhe feja e tyre është abrahamike, si fetë/ besimet tjera të shqiptarëve, për të cilët Gjyshi im i urtë (ai që më mësoi disa lutje dhe kultivoi në shpirtin tim tolerancën fetare) thoshte se kanë shumë pika të përbashkëta, duke ma argumentuar këtë edhe me sure Kur’an-ore dhe kapituj Biblikë. Ata janë bijë të Rekës së traditave të fisme, asaj “kërthizës së Shqipënisë” së Josif Bagerit, kësaj dige të pakalueshme për gjithkë që synon konvertimin e rekasve në shkretë. Mbi kurrizet e tyre ka rënë njësoj kërbaçi i të kaluarës së dhimbshme. Ata ishin pjesa jonë më fatkeqe, që, të mbetur pak në numër, nuk mundën t’i bëjnë ballë asimilimit, nuk ia dolën të izolojnë në kohën e duhur matrapazët që e shitën Rekën për grada e poste, duke u bërë krah i pushtetarëve sllavë – të parët që ia kthyen shpinën gjuhës dhe që i paraprinë absurdit të zhbërjes së vetvetes.

E kam bërë dhe do ta bëj këtë, i bindur se çështja e ruatjes së tipareve identitare është e drejtë universale, e sanksionuar me ligjet e Zotit dhe ato të botës demokratike, pjesë e të cilëve mëton të bëhet shkretishtja, që gjer më tani e ka bërë këtë sa për sy e faqe.

E kam bërë dhe do ta bëj këtë, sepse nuk cënoj dinjitetin e asnjë individi dhe asnjë bashkësie etnike; sepse nuk mashtroj askë, po hedh dritë mbi një të vërtetë të pashtrembërueshme; sepse nuk përvetësoj vlerat e tjetrit, po i dal zot shpirtit dhe trungut tim të copëzuar; sepse ia kursej shpirtin fqinjit nga mëkati i një gjenocidi të pafalshëm shpirtëror; sepse më dhëmbin dhembjet e Rekës, sepse, sepse, sepse…

E kam bërë dhe do ta bëj këtë për respekt të Branko Manajllovskit (Tanashit) – Prometeut që ia ridha zjarrin Rekës, për respekt të Branisllav Sinadinovskit që sfidoi tendencat sllavizuese të shqiptarëve ortodoksë nëpërmjet instrumentalizimit të fesë, për respekt të bigoreve, këngëve, vajeve dhe mallkimeve të Rekës së harruar e lënë pas shpine, për respekt të nënave, nuseve dhe vashave hijerënda të Ali Podrimjes, të cilat, kur vjen e diela, zbresin te varret dhe qajnë SHQIP.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button