Realitetet nuk janë të njëjta

Ndodhin keqkuptime të ndryshme midis njerëzish të cilat nyjën e kanë te kuptimi ose keqkuptimi i gjërave. Disa njerëz gjërat e vogla në këtë botë i shohin tejet të mëdha, ndërsa ato të mëdhatë i minimizojnë, ia ulin vlerën dhe nuk i hetojnë fare. Të tjerët, merren me gjërat e mëdha duke anashkaluar gjërat e vogla dhe duke i krijuar probleme të një pas njëshme vetvetes dhe shoqërisë.

Në këtë botë ka gjëra të mëdha dhe të vogla. Ekzistojnë realitete. Jemi ne. Por, lidhja midis njerëzve nuk duhet që të ndodh nga interpretimi i koncepteve dhe jetës. Paramendoni të njoftohem me realitetin tënd përmes interpretimit të dikujt tjetër? Madje edhe përmes interpretimit tënd? As t`i nuk mund ta interpretosh realitetin tënd si duhet. Këto janë procese të cilat ndodhin, dhe njeriu duhet ta trajnoje vetveten që të jetoje me to dhe t`i nuhas realitetet pa pasur nevojë për ndihmën e interpretimit. Dhe kjo gjë ka të bëjë me raportet njerëzore-shoqërore, e nuk po flasim për dijet e ndryshme shoqërore, shkencore, metafizike etj.

Bota e interpretimeve ka shkatërruar bashkëpunimin dhe bashkëjetesën midis njerëzve. Kjo gjë ndodh kështu nga arsyeja e egos që gjendet te ne. Nuk mund të pretendojmë se kemi shkatërruar egon, jemi shndërruar në krijesa tjera pa ego dhe tash po kuptohemi me telepati pa u ndikuar aspak nga interpretimet. Shekulli në të cilin po jetojmë është ai i informacioneve, të përpunuara e pa përpunuara. Ai grup, ajo forcë, ai shtet, ai njeri që i posedon informacionet i pari, gjendet një hap para të tjerëve, ka krijuar një realitet të tij, të cilin të tjerët e interpretojnë para se ta kuptojnë. Interpretimet e informacioneve, të njëjtat i shndërrojnë në dezinformacione përmes të cilave manipulohen njerëzit, shtypen popujt, shkelen të drejtat. Nëse realiteti yt është jetesa me probleme të natyrave ekonomike, realiteti i tjetërkujt është jetesa me probleme të natyrave shpirtërore. As ti dhe as tjetri nuk jeni pa një realitet, përderisa ekzistoni.

Të kuptosh realitetin e tjetrit është tejet e rëndë. Gjendja e këtillë huton mendjen, sepse ne po tentojmë që t`i ikim vetvetes dhe të strehohemi te llafosja për personalitetin, dinjitetin dhe po e vëmë në peshoje integritetin e tjetrit. ‘Ai nuk është njeri i mirë’, kjo frazë shpesh herë përdoret nga ne me vend e pa vend, para se me peshuar vetveten se sa ne jemi njerëz të mirë. ‘Ai po e humb kohën kot’, ndërsa ne po merremi me të që po humb kohën kot duke harruar vetveten se jemi futur në kthetrat e djallit të mallkuar, i cili, kohën na ka kthyer kundër nesh. ‘Ajo nuk është e moralshme’, e morali jonë qenka në kulmin e ekzistencës që po gufon në katër anët e botës si katër lumenj të mëdhenj që rrjedhin vazhdimisht. A nuk e kemi parë me sytë e tonë transformimin e njerëzve, të rinj të dikurshëm që dëgjonim duke folur fjalë të pahijshme, dhe sot të njëjtit i dëgjojmë duke na thënë:’ Mos fol fjalë të pahijshme për nderin e vajzave’?!

Bota e ka një të mirë në mesin e shumë të këqijave: transformohet. Me rëndësi është fundi i çështjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button