Stamboll, publikohen pamjet filmike: Polici hero ndaloi kamikazin e shpëtoi jetë të pafajshme

Kamerat e sigurisë së Aeroportit “Ataturk” të Stambollit, të sulmuar mbrëmjen e një dite më parë nga 3 persona të armatosur, kanë regjistruar dhe momentin kur një efektiv policie plagosi njërin prej agresorëve, i cili pas kësaj shpërtheu brezin me eksploziv që mbante në trup, njofton TCH.

I përshëndetur tani nga mediat si hero, polici qëllon sulmuesin duke i penguar hyrjen mes turmës së njerëzve ku do të kishte shkaktuar edhe më shumë viktima, e kur ai bie në tokë, efektivi i afrohet për ta parë. Në atë moment kupton – siç duket, – se militanti kishte lëndë shpërthyese e largohet me vrap, ndërsa disa sekonda më vonë vjen shpërthimi.

Nuk dihet nëse polici vet apo dikush tjetër u vra nga ky kamikaz, por numrin më të madh të viktimave, sipas ministrit turk të Drejtësisë, Bekir Bozdag, e shkaktoi terroristi i parë, i cili iu afrua hyrjes së terminalit ndërkombëtar, hapi zjarr me kallashnikov e pastaj hodhi veten në erë.

Një zyrtar turk, që preferoi të ruante anonimatin, tha për mediet e huaja se agresorët e kishin nisur sulmin e tyre përpara se të arrinin në zonën e kontrolleve të sigurisë me skaner me rreze X. Deri tani, asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e atentatit, por dyshimet më të mëdha bien mbi Shtetin Islamik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button