Çelësi i ndryshimit është në dorën tonë!

Politikanët e Kosovës kurrë nuk kanë bashkëjetuar me qytetarin, me hallet e tij. Këta politikanë i njohin qytetarët njëherë në katër vite, kur është kohë e zgjedhjeve, duke u premtuar punësim, mirëqenie, arsim e shëndetësi cilësor, madje edhe parajsën. Kurse pas zgjedhjeve vazhdon avazi i vjetër i tyre, me vjedhje, abuzime dhe keqpërdorime. Pas zgjedhjeve nuk duan t’ia dinë se a ekziston diku qytetari që ia ka besuar votën. Pikësëpari ne si shoqëri jemi e dështuar, prandaj kemi një klasë politikë të tillë, e dështuar, jo serioze dhe kriminale. Kjo klasë politike nuk e ka hallin që Kosova vazhdon të ngelet e izoluar.
Ata me vetëdije e kanë bërë një gjë tillë, sepse kështu iu leverdis kriminelëve dhe diktatorëve. Populli sa më shumë të jetë i izoluar, atyre u zgjatet sa më shumë jeta në pushtet. Por, për këtë izolim, varfëri dhe dëmet e shkaktuara nga këta horra të politikës, fajin e kanë edhe qytetarët e Kosovës. Qytetarët e Kosovës janë fajtorë që këta fundërrina janë pasuruar me paratë e tyre dhe janë shfrenuar në luks. Qytetarët e Kosovës janë fajtorë që këta po e keqpërdorin votën e tyre dhe pozitën e tyre zyrtare, sepse kur po vjen koha e zgjedhjeve i madh e i vogël po vrapojnë cili më i pari t’ua japë votën. S’ka mundësi që një popull të jetë viktimë, ku pavarësisht se sa vuajnë nga këta politikanë, për 17 vite rresht prapë i votojnë.
Qytetari i Kosovës ka në dorë ta ndryshojë këtë gjendje, e arma më e fuqishme e tij është vota, por nëse nuk sheh asnjë alternativë se për kë të votojë, edhe pse për momentin nuk kanë, atëherë më mirë t’i bojkotojnë zgjedhjet, sepse vota e tyre po i mban në pushtet këta politikanë keqpërdorues, që me votën e tyre kanë krijuar pasuri marramendëse. Përndryshe, kjo gjendje e rëndë nuk do të ndryshojë kurrë, por do të rëndohet akoma më shumë. Prandaj, qytetari i Kosovës duhet të vetëdijesohet njëherë e përgjithmonë, që të jetë aktiv, nëse dëshiron të ketë një jetë të dinjitetshme dhe një shtet ligjor. Nuk i falet më këtij populli nëse vazhdon të mashtrohet e gënjehet nga këta mafiozë të politikës, të cilët këtë gjë janë duke e bërë prej 12 qershorit të ’99-s! Nëse edhe në zgjedhjet e ardhshme këta qelbësira marrin prapë vota, më besoni që Bashkësia Ndërkombëtare do të heqë dorë përfundimisht nga ne, duke e parë që ne nuk ndryshojmë dhe nuk e duam ndryshimin. Por, nëse qytetarët e Kosovës kësaj radhe vetëdijesohen dhe nuk i votojnë prapë këta hajdutë e fundërrina, atëherë këta mashtrues nuk do t’i kemi më në skenën politike. Por, do t’i shohim në burg. Aty ku shumica e kanë vendin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button