Kush përfiton nga BREXIT, Tramp ose Klinton?

Nga vota e BREXIT duhet të përfitojë Klintoni, por vetëm nëse merr leksion nga kampi Remain dhe nuk përsërit gabimet e tyre

Impakti i BREXIT në SHBA. Shoku nga vota e britanezëve për dalje nga Unioni Europian nuk ka mbetur pa goditur as SHBA-të. Impakti i menjëhershëm ka qenë finansiar. Dy ditët pas Brexit-it kanë rënë ndjeshëm bursat amerikane, çmimi i naftës dhe kamata bazë, ndërsa është forcuar dollari. Pasiguria e vazhdueshme mund të shkaktojë pasoja edhe më të thella, madje sipas disa ekspertëve të ngjashme me katastrofën e 2008.

Mirëpo pa marrë parasysh nëse shoku finansiar do të thellohet dhe do të shkaktojë krizë të vërtetë ekonomike, është e padiskutueshme se Brexit është moment i rëndësishëm në aspektin politik. SHBA-të gjithsesi do të duhet të rikalibrojnë politikën e tyre të jashtme. Në ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që Brexit të luajë rol të rëndësishëm edhe në zgjedhjet e sivjetshme presidenciale. Por këtu shtrohet pyetja: Në favor të kujt shkoi vota për Brexit. A përfiton nga ky rezultat Trampi apo Klintoni?

Paralelet Tramp – Brexit. Për këdo që ndjek politikën në të dyja anët e Atlantikut, nuk mund e të mos vërehet ngjashmëria mes kandidaturës së Trampit dhe mesazhit të kampit “Leave” në Britani. Të dy kampet kanë strukturë të ngjashëm përkrahësish që më së miri mund të përshkruhen si humbësit e globalizimit. Janë këto shtresa kryesisht rurale dhe më të varfëra, një pjesë e madhe e tyre punëtorë krahu që iu janë rrezikuar vendet e punës nga lëvizja e fabrikave në lindje apo nga ardhja e imigrantëve. Mu për këtë të dyja palët kanë gjetur fajtorin kryesor të gjendjes së tyre te këto dy çështje: globalizimi i pakontrolluar dhe imigrantët. Në Britani rezistenca kundër globalizimit ka marrë formën e daljes nga BE; në SHBA kjo e gjen veten te premtimet e Trampit për rinegocim të marrëveshjeve tregtare. Paralelja te imigracioni është edhe më e afërt; si Brexiterët ashtu edhe Trampi premtojnë ndalim të imigracionit të pakontrolluar. Nuk është e rastit pra që Tramp doli i pari të urojë Brexitin dhe britanezët që “kanë rifituar pavarësinë e tyre”.

Paralelet Klinton-Remain. Kampi Klinton dhe demokratët në përgjithësi kanë qenë për mbetje të Britanisë në BE. Thirrje për mbetje ka bërë madje vetë Obama, rast i rrallë kur një kryetar amerikan është përzier në çështjet e brendshme të Britanisë. E gjithë kjo nuk është e rastësishme. Mbështetësit e Klintonit dhe kampi Remain kanë shumëçka të përbashkët. Të dyja palët kanë strukturë kozmopolite që ka përqafuar diverzitetin dhe globalizimin. Janë kryesisht të koncentruar në qytete, të përbëra nga shtresa të ndryshme etnike dhe fetare. Në të dyja anët e Atlantikut këta njerëz janë kundër racizmit e nacionalizmit, duan struktura mbinacionale për të adresuar problemet globale. Ç‘është më e rëndësishmja të dy palët kanë mbështetjen e elitave politike, kulturore e akademike të të dyja vendeve. Me një fjalë janë forca pro status-quosë që zgjidhjen e problemeve e shohin me përmirësime inkrementale brenda kornizave të tanishme politike, ose thënë ndryshe janë ajo që quhet establishmenti politik i kohës.

Vendimtare do të jetë ekonomia. Në suaza të këtyre kornizave vjen dallimi i madh në qasjen drejt zgjidhjes së problemeve ekonomike. Në anën Tramp-Brexit daljen nga kriza ekonomike e shohin tek izolimi nga forcat globaliste, gjegjësisht te ndalja e imigracionit dhe protekcionizmi ekonomik. Kjo do të thotë barriera të reja për tregti me botën, që sipas tyre do të thotë kthim i vendeve të punës në Britani gjegjësisht SHBA. Për të bërë këtë vendet duhet të kthejnë pushtetin nga institucionet supranacionale si BE, OKB, Organizata Tregtare Botërore e të tjera. Jo rastësisht slogani i Brexiterëve ishte “T’a rimarrim vendin tonë”, ndërsa i Trampit “Së pari Amerika”.

Ndërsa për kampin Klinton-Remain zgjidhje për vuajtjet ekonomike nuk është izolimi, por përkundrazi integrimi më i madh dhe bashkëpunimi me vendet tjera të botës. Në të dy anët e Atlantikut slogani mbizotërues i këtij kampi është “Më mirë së bashku” (“Better together”).

Mu për këtë situata ekonomike në Britani në muajt e ardhshëm mund të ketë rol të rëndësishëm në favor të Trampit ose Klintonit. Nëse gjendja ekonomike e Britanisë shkon e përkeqësohet, kjo do të jetë përligje e argumenteve të Klintonit dhe demokratëve. Me plot të drejtë ajo do të marrë Britaninë si shembull se izolimi dhe ksenofobia, të trupëzuar te Trampi dhe Brexiti, nuk sjellin asgjë të mirë.

Mirëpo nëse Britania nuk pëson ndonjë shok të ndjeshëm ekonomik muajt e ardhshëm, ky do të jetë argument i fortë në duart e Trampit. Ai do të mund të thotë se politikat e tij nuk sjellin dështim ekonomik siç akuzojnë demokratët. Nëse Britania në përgjithësi ndjehet më e kënaqur në tetor, Trampi do të mund t’a marrë atë si shembull pozitiv të politikave që propozon edhe ai.

Leksioni britanik për zgjedhjet amerikane. Sido që të jenë pasojat e Brexitit për zgjedhjet presidenciale në SHBA, vota britanike ka disa leksione për zgjedhjet e ardhshme. Kryesisht këto janë paralajmërime për Klintonin dhe demokratët, alarm që mos të marrin asgjë si të sigurtë:

Mos nënçmohen gjasat e Trampit. Gjatë gjithë kohës para referendumit anketat tregonin përparësi të kampit Remain. Të njëjtën gjë treguan edhe exit-pollet pas mbarimit të votimeve. Fitorja për Brexit ishte thuajse e paimagjinueshme dhe mu për këtë ishte shok i vërtetë kur ajo u realizua. Ky është një sinjal i fuqishëm për demokratët në SHBA. Edhe atje anketat tregojnë avantazh të vazhdueshëm për Klintonin. Fitorja e Trampit, përmbysja totale e status-quosë, është thuajse e paimagjinueshme. Por siç tregoi vota britaneze, vetëm pse një gjë është e paimagjinueshme nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë.

E majta është e paparashikueshme. Befasia më e madhe e votës britaneze ishte numri i madh i partisë laburiste që kishte votuar për dalje. Këto janë struktura sociale e ekonomike që në SHBA këtë rradhë janë rreshtuar pas Sandersit. Normalisht supozohet se me humbjen e Sandersit në garat brendapartiake, ata tani do të përkrahin Klintonin. Por Britania tregoi se këta votues nuk duhet të merren si të garantuar. Megjithëse të majtë, ata janë aq të revoltuar me status-quonë saqë në votime mund të bashkohen me të djathtën. Jorastësisht Tramp ju ka bërë thirrje mbështetësve të Sandersit që t’i bashkangjiten kampanjës së tij.

Kushdo që të fitojë, institucionet duhet të ndryshojnë. Është e lehtë, por njëkohësisht e gabuar, që votuesit për Brexit apo për Tramp të klasifikohen si të prapambetur. Vetë fakti se këta votues janë në numër aq të madh flet se diçka nuk është në rregull me institucionet politike e ekonomike të kohës. Vota britaneze duhet të lexohet si udhëzim për BE-në që të rishqyrtojë vetveten. Në SHBA duhet të ndodhë e njëjta gjë me Uashingtonin edhe nëse zgjedhjet i fiton Klintoni.

Dështimi i projektit “Frika”. Me javë e muaj para referendumit britanezët kishin disponim për të qëndruar në BE. Dështimi duhet t’i përshkruhet kryekëput keqmenaxhimit të kampit “Remain”, sidomos të ashtuquajturit projekti “Frika”. Në anën e Remain dolën lloj-lloj ekspertësh e njerëz të famshëm duke prognozuar katastrofa të ndryshme nga dalja, e duke etiketuar kundërshtarët si racistë, ksenofobë e primitivë provincialë. Ky projekt dosido u kthye si bumerang. Në vend që të frikësojë votuesit nga dalja, ai më tepër u lexua si frikë e elitave nga dalja. Gjithsesi nuk ndihmoi as fakti që këta ekspertë nuk kishin qëlluar gjë prej gjëje në të kaluarën, përfshi dhe ndodhjen dhe përballjen me krizën e vitit 2008.

Klinton është fituese nëse nuk përsërit gabimet e Remain. Me çdo parametër Klinton është favorite për të fituar zgjedhjet. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse ajo merr mësim nga gabimet e kampit Remain. Ajo nuk duhet të duket si elitiste, arrogante dhe assesi nuk duhet të nënçmojë mbështetësit e kundërshtarit siç bënë në Remain. Ajo duhet të paraqitet më e afërt me popullatën se me ekspertët e llojllojshëm që mund t’a bëjnë të duket si pjesë e establishmentit që popullata me çdo kusht don t’a ndëshkojë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button