SHËNIME NGA ZVICRA (IV)

QYTET URASH E KËSHTJELLASH. Lucerni (Luzern-i) është kryeqyteti i kantonit me të njëjtin emër. Ai gjendet rrëzë malit Pilatus. Një vend me rreth 80 mijë banorë, shumica gjermanishtfolës. Është vendi i heroi legjendar, Willhelm Tellit, i përjetësuar edhe nga pena e atij që kishte ndjerë “dhembjen e botës”, Fridrih Shilerit. E kam adhuruar këtë hero në fëmijëri, figura e të cilit gjendet në pesë frankëshin zviceran. Një arsye më shumë për ta pasur një pesëfrankësh me vete; për ta pasur një hero për kohëra të vështira; për ta pasur një shigjetar symprehtë dhe sypatrembur kundrejt atyre që gënjehen se kanë lindur t’i mbajnë të tjerët të robëruar…

Ja dhe Tora 34 metër e lartë, e ndërtuar rreth vitit 1300. Lucerni është vend monumentesh kulturore e historike. Njihet për muzetë, kishat, urat, kështjellat e shumta, të ndërtuara në shekuj të ndryshëm. Adhuruesit e Richard Wagner (1813-1883), kompozitorit gjenial, i njohur me “dramat muzikore”, mund ta vizitojnë shtëpinë e tij, që tani është muze.

Në Natën e Muzeve, që organizohet në gushtin e çdo viti, mund të vizitoni muzetë e galeritë pa paguar asgjë.

Simbol i qytetit është edhe ura mbresëlënëse, “Kapellbrücke”, e ndërtuar në vitin 1365. Është 204 metra e gjatë. Është e veçantë për pikturat e shumta. Thuhet se kur në fillim kishte 158 piktura, kurse pas zjarrit të vitit 1993, të shkaktuar prej një cigareje, ishin shkatërruar mbi 70 prej tyre. Një dëm që s’llogaritet në vlerë materiale. Shumica e pikturave janë të periudhës së kundër reformacionit. Pranë çdo pikture keni shënime.

LUANI. Në Lucern është “Luani që vdes”, një skulpturë e  përmendur edhe nga Mark Tuin, i cili e paska përshkruar si  veprën më të pikëlluar që është krijuar ndonjëherë në gurë. Është vepër e skulptorit danez Bertel Thorvaldsen. Një luan gjashtë metër i lartë dhe dhjetë metër i gjatë, dedikuar vdekjes heroike të rojeve zvicerane në vitin 1792. Një luan. Çfarë mund të dëshirojë më shumë një luftëtar se sa ta krahasojnë me luanin? A nuk janë aq shumë luanë nëpër stema qytetesh, shtetesh, perandorish?

Tek ne, në botën tonë, janë ngritur skulptura heronjsh e dëshmorësh, pa ndonjë domethënie simbolike. Më shumë ngjallin neuroza kolektive se sa të joshin si vepra arti. E njëjta skemë. I njëjti “frymëzim” prej skulptorësh mediokër që me patjetër një luftëtar ta përfytyrojnë si qenie epike, të paepur po se po, sypatrembur, me një armë në brez apo në supe. Thuajse është vrarë sepse nuk e ka dashur jetën; thuajse nuk ngjan fare me qenien njerëzore. Jo skulptorë të marrë! Edhe heroi është njeri prej gjaku dhe mishi. Dashuron e vuan. Ka virtyte e vese. Po vjen një çast që ai dallon prej nesh. Hedh një hap më përtej. Dhe ngjan si luani që vdes, pasi i janë harxhuar fuqitë e fundit; pasi përkundër dëshirës mbinjerëzore gjymtyrët nuk i binden vullnetit të tij. Dëshiron që ta hedh edhe një hap më tej, por sakaq ndjehet më i qetë se kurdoherë. Sikur ulet të pushojë. Përjetësisht. I përket një tjetër bote. Botës së luanëve. E ndjen, siç thotë një thënie italiane, se vdekja është mënyra më e lehtë deri te lavdia.

Të tillë mund t’i parafytyrojmë edhe ata që shkruajnë. Ca luanë që fuqinë e tyre e kanë te mendja e tyre e çartur, e cila gjithmonë shkon përtej të zakonshmes…

KËSHTJELLA. Në një kështjellë ndjen sikur ke hyrë në tjetër kohë. Në Mesjetë. Aty janë të gjithë gjësendet e kësaj epoke: shpata, thika, mburoja, parzmore, stema. Aty na pret një kalorës i veshur në hekur. Si njëfarë Don Kishoti. Aty ka portrete njerëzish të rëndësishëm të kohës. Mund të ishin ndërtues të kështjellës ose kushedi se çfarë. Ka një bibliotekë ku ruhen libra të vjetër, por edhe botime autorësh të rëndësishëm periudhash të mëvonshme. Biblioteka, sa botë e magjishme. Kur je i lidhur me librin bota zbulon përmasa të çuditshme. Ja Gëte. “Fausti”. Kryevepra e tij dhe e letërsisë botërore. Pastaj “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Një vepër që nxiti efektin “Verter”, pra vetëvrasje të rinjsh, që identifikoheshin me personazhin, që në fakt mund të ishte vetë Gëte. Pastaj Shileri, Helderlini, por edhe autorë më të vonshëm: Max Frisch (1911-1991), autor i “Homo faber” dhe  Friedrich Durrennatt (1921-1990), autori i veprës “Vizita e zonjës plakës”. Dy autorët më të rëndësishëm zviceranë të shekullit 20. Veprat e tyre, sipas studiuesve, fokusohen te kriza identitare e njeriut në kohën moderne.

DÜRRENMAT. Ata që e kanë lexuar veprën dramaturgjike “Vizita e zonjës plakë” të Friedrich Dürrenmatt -it dhe “Medea” të Euripidit mund të heqin paralele ndërmjet hakmarrjes së Medeas ndaj Jasonit apo Klara Cahanasianit ndaj Ilit. Apo se si një dashuri e madhe kthehet në pasion të sëmurë për hakmarrje.

Të dy personazhet e kanë ndjerë braktisjen. Kanë bërë gjithçka për dashurinë. Të dyja janë tradhtuar nga burrat, që interesat materiale i kanë vënë mbi dashurinë. Të dyja nuk heqin dorë nga hakmarrja, që është bërë qëllimi kryesor i jetës së tyre; është bërë njëfarë sëmundje për ta kthyer në vend nderin e nëpërkëmbur. Të dyja janë “të huaja”.

Te autori zviceran ne shohim diçka më shumë se sa kaq: se si paraja blen gjithçka, korrupton një shoqëri të tërë, korrupton shpirtin njerëzor, familjen, priftin (religjionin), policin (mbrojtjen e të drejtës qytetare), konduktorin  (shërbimet publike), mësuesin (arsimin), gjykatësin (drejtësinë), piktorin (artin), gazetarin (mediat), kryetarin e komunës (pushtetin), mjekun (shëndetësinë). Qytetari në kësi rrethanash vetëm duhet të heshtë. Aty ku sundon mjerimi gjithçka mund të blihet me para. Edhe dinjiteti, morali, drejtësia. Ai që ka paranë dikton gjithçka. Paraja mund të sjellë njëfarë mirëqenie, por kjo mirëqenie është njëfarë korruptimi që u është bërë njerëzve, sepse kjo para është fituar me punë të pista.

Zonja plakë apo  Klara Cahanasian, që  dikur ishte detyruar të punonte edhe si prostitutë, pasi qe dëbuar nga Gülleni, një qytezë në Zvicër, siç shkruan autori, pas një padrejtësie që i ishte bërë, duke përdorur kundër saj edhe dëshmitarë të rremë, tani është kthyer si triumfatore në vendlindje. E dëbuara e dikurshme tani pritet me nderime, ngase ka premtuar një miliardë para për ta rimëkëmbur qytezën që falimenton. Në fakt e  ka blerë atë. E ka korruptuar këdo. E ka korruptuar shpirtin njerëzor. Ajo jep gjithë këto para për kokën e të dashurit të saj të rinisë, Ilit. I dashuri i dikurshëm e ndjen rrezikun e hakmarrjes, teksa i sheh të varfrit se si pasurohen apo më saktë se si korruptohen. Dalëngadalë të gjithë bëhen kundër tij, madje edhe familja, gruaja dhe fëmijët. “Asgjë nuk është më e tmerrshme se sa skamja”, e cila “çdo ditë e përqafon racën njerëzore”.

Nga i njëjti autor më ka mbetur në kujtesë edhe një tregim mbi robin dhe padronin. Se si padroni e mban lidhur përdore robin dhe nuk e lëshon. Kështu bëhet rob i robit. Ka frikë ta lirojë sepse i frikësohet hakmarrjes së tij. Ja pse shoqëritë e lira nuk duan robër, sepse nuk duan secili të jetë rob i secilit…

Biblioteka në kështjellë është shumë e pasur me libra që na kanë joshur dikur e na joshin ende. Libra autorësh që ose kanë lindur, ose kanë jetuar ose kanë vdekur në Zvicër. Sa shumë mendje gjeniale kanë ecur nëpër rrugët e qyteteve zvicerane…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button