ZGJEDHJA E GABUAR

Kalojnë vitet, ndërrohen qeveritë, fryjnë erëra të ndryshme politike në Evropë, kurse problemet e kulturës shqiptare në Maqedoni mbeten të njëjta. Ndodhi një projekt i madh më shumë politik se sa kulturor në Maqedoni – Shkupi 2014 (ose më drejt Skopje 2014, sepse ai thuajse nuk ka të bëjë fare me traditën dhe me kulturën tone e besa as me të Shkupit) e shkundi pak për krahësh ndërgjegjen e fjetur të intelektualëve shqiptarë dhe u dëgjua ndonjë fjalë kundër politikës së mohimit dhe përjashtimit të vrazhdë të traditës sonë. Si pasojë u bënë nja tri a katër përmendore të figurave tona historike. U bënë, ama edhe këtyre iu hodh një çarçaf i zi mohimi, duke iu shkruar emrat më së pari me shkronja cirilike e përfund me shkronja shqipe. Kështu edhe përmendoret u desh t’u nënshtrohen çallëmxhinjve zyrtarë e antishqiptarë që insistojnë të na mbajnë si qytetarë të rendit të dytë. Del se edhe këto figura mjaft të rëndësishme të së kaluarës sonë mos të pushojnë rehat në amshim, sepse për shkakun tone që jemi qytetarë të rendit të dytë si shqiptarë edhe amshimi i tyre të bëhet i rendit të dytë.

Kjo, e para.

E dyta – askush nga politikanët tonë as gishtin e vogël nuk e luajti e të ndërmarrë diçka për t’u përgjigjur kërkesave të shumë njerëzve tonë  që të vendosen shenja të ndryshme përkujtimore në Shkup e në qytetet tjera, përmes të cilave do të ruhet dhe do të mbrohet kujtesa jonë kolektive për ato ngjarje dhe për ato personalitete të cilat e përbëjnë boshtin e historisë dhe të identitetit tonë.

E treta – vallë a e dinë politikanët tonë kush ka qenë Dervish Cara? A kanë dëgjuar për Bajram Currin, Isa Boletinin, Idriz Seferin, Ali Shkupin, Mehmet Derallën, a dine gjë për shkrimtarët Haki Stërmilli, Sadudin Gjura, Murat Isaku, Nexhat Pustina, Abdylazis Islami, Mustafa Laçi e të tjerë? Si figura të rëndësishme që kanë qenë mburojë e gjuhës shqipe ne jemi në kontakt të përhershëm me veprën e tyre sepse nëpër shkolla flasim shqip, nëpër shtëpitë tona flasim shqip, nëpër ahengjet tona këndohet shqip etj. Koha është që këta emra të jenë pjesë edhe e kujtesës dhe e emocioneve tona si shqiptarë dhe si njerëz që kemi dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për arritjet e këtij vendi deri në këtë shkallë zhvillimi.

Përmendoret e këtyre figurave do të dëshmojnë vazhdimisht se të parët tonë meritojnë respektin e këtij vendi sepse para një shekulli Shkupi u çlirua nga shqiptarët. Burrat që e sollën lirinë e Shkupit atëherë janë figura që i kapërcejnë edhe kufijtë tonë kombëtarë. Ata, madje, meritojnë, edhe më shumë. Kështu kjo do të jetë përgjigje për fushatën e gjatë e të egër antishqiptare që po e zhvillojnë të gjitha pushtetet që nga pushteti i parë që u vendos pas luftërave ballkanike këtu te.

E katërta – politikanët tonë e kanë momentin më të mirë që tash para zgjedhjeve të bëjnë diçka edhe për studimet që lidhen me traditën tonë gjuhësore, folklorike, arkitekturale, ‘i kenë këto vlera në platformat e tyre politike, bashkë me arsimin shqip i cili është duke u fundosur. Prej se ekziston Maqedonia (si republikë në kuadër të Jugosllavisë) e këndej nuk ka pasur kurrë ndonjë projekt i cili do të merrej me çështjet e trashëgimisë kulturore të popullit tonë.

Me angazhimin e politikanëve tonë për zgjidhjen e këtyre çështjeve të gjithë do të fitonim. Edhe shteti do ta dëshmonte se është mbrojtës i politikës së barabarësisë midis qytetarëve të vet, por edhe ne shqiptarët do ta kthenim krenarinë, të cilën të gjitha qeveritë na e kanë shkelur dhe na e kanë përbaltur, madje.

Dhe, mendoj se është koha e fundit që ne ta heqim atë ndjenjën e fajësisë që na e bren ndërgjegjen se nuk i kemi respektuar figurat e rëndësishme të  historisë sonë, se nuk kemi bërë thuajse asgjë për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës sonë, se p edhe të tjerët do të kenë dëshmi se nuk jemi popull i rastit dhe se, përfundimisht, do të dëshmojmë se jemi popull i pjekur.

Neglizhenca që na ka mbajtur peng për një shekull të tërë, në këtë kohë nuk arsyetohet.

Ne nuk jemi pa kapacitete intelektuale që kërkohen për zgjidhjen e këtyre problemeve. Mendoj se zgjedhja e atyre të cilët duhet të vendosen në ballë të oxhakut për t’i kryer këto punë është e gabuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button