Varrmihësit e paqes nuk kanë jetë sa pacifistët

Politika, rregullimi shoqërorë, u krijua si domosdoshmëri për ta lehtësuar mënyrën e të jetuarit. Njerëzit fillimisht nëpërmes “politeas” (rregullimit të poliseve), shtetit… e deri te unionet e ndryshme politike, kanë tentuar forma të ndryshme bashkëpunimi, me qëllim të mirën e përgjithshme.

Teoritë politike kanë shtjelluar rrethana të ndryshme mbi krijimin e bashkëpunimeve, fillimisht fisnore e pastaj edhe shtetërore.

Zhan Zhak Ruso do të thoshte se paqja në mes shteteve vjen nga qielli- është diçka që njerëzimi kurrë nuk do të mund ta arrijë, por që ia vlen të tentohet. Por, si mund të arrihet paqja në mes shteteve kur njeriu është qenie egoiste dhe se esenca e politikës botërore është beteja për fuqi, do të thonin realistët.

Nëpërmjet Bashkimit Europian, politika ishte e suksesshme- në të shumtën e rasteve për të siguruar paqen. Për shumë vite, ky union i shteteve na bindi se ndihma e ndërsjellë është e domosdoshme për njeriun dhe se vlerat si morali dhe e drejta janë universale. Me anë të proceseve eurointegruese u ndihmuan shtetet e Ballkanit të cilat kishin ngecur në kultivimin e të drejtave themelore dhe tek të cilët ishte ngulitur mendësi e mbrapsht e të bërit politikë. Gjitha këto projekte ishin financuar nga banorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, nëpërmes taksave të tyre shtetërore. Veprim ky që forcon idealistët se politika ka të bëjë me bashkëpunimin, kompromisin dhe çdo “flijim” tjetër që ka të bëjë me të mirën e përgjithshme- të drejtat themelore, mirëqenien dhe paqen në botë. Çdo shtet në zhvillim e sipër sytë kishte drejtuar ka vlera europiane- botërore, deri në momentin kur Britania e Madhe kishte vendosur të dalë nga Unioni, vend ky i fuqishëm dhe ndër protagonistët kryesorë për aplikimin e politikave të BE-së.

“Brexit”, tashmë fushata e njohur në Britaninë e Madhe që rezultoi me dalje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian ka bërë një kthesë të madhe në politikën botërore, nga e cila mund të nxirren shumë leksione politike.

Unionet zakonisht krijohen për të krijuar një rend botëror, me qëllim sigurimin e paqes në botë. Kuptohet, këtu hyjnë edhe qëllime tjera, si ato ekonomike por kjo është dytësore, për faktin se si mund të zhvillohej ekonomia botërore nëse bota është në kaos dhe secili është armik i mundshëm. Në moment kur kemi karakter anarkist të shoqërisë ndërkombëtare atëherë shtetet më shumë vënë theksin tek siguria nacionale. Dhe, pikërisht, një moment i tillë po vjen në politikën botërore. Tani shumë shtete do ta shqyrtojnë vendimin për të qenë ende pjesë e Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë, anarkia do të fitojë- në politikën botërore. Nacionalizmi do të forcohet. Tanimë askush nuk do të dëgjojë për vendet në zhvillim e sipër.

“Unë dhe frika jemi bineq”, kështu pat thënë mendimtari i njohur anglez Tomas Hobs. Trashëgimtarët e tij, britanikët dëshmuan se janë frikacak dhe po ikin nga Bashkimi Europian në moment kur më së shumti i duhen Europës, në moment kur kriza nga sulmet terroriste është e madhe dhe në moment kur po pritet valë e madhe e refugjatëve të hyjë në Europë. Ndihma e çdo shteti, pavarësisht madhësisë dhe kapacitetit, është e domosdoshme, sepse nga qasja ndaj krizës me refugjatët varet paqja.

Me kësi qasje britanikët po shndërrohen në varrmihës të paqes, duke i kontribuar anarkisë botërore.

Britanikët për një moment dëshmuan pikëpamjet e realistëve se njeriu është egoist, karakteristikë kjo që pastaj transformohet edhe në formën e udhëheqjes së politikës shtetërore, por kjo nuk do të thotë se njerëzimi duhet të heshtë.

Për fund, na mbetet të shpresojmë në përfundimin Emanuel Kantit, se principi i moralit te njeriu kurrë nuk shuhet, dhe se me zhvillimin e civilizimeve rriten edhe kapacitetet për idenë e drejtësisë dhe së drejtës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button