Papa Françesku: Kisha duhet t’u kërkojë falje homoseksualëve

Duke folur për reporterët në bordin e avionit që do ta kthente atë nga Armenia në Romë, Papa Françesku tha gjatë së dielës se të krishterët dhe Kisha Katolike Romane duhet të kërkojë ndjesë ndaj homoseksualëve për mënyrën sesi janë trajtuar, por jo vetëm: duhet të kërkojë falje edhe për mënyrën sesi i ka trajtuar femrat, për mbylljen e një syri mbi punësimin e të miturve dhe për ‘bekimin e kaq shumë armëve’ në të kaluarën, njofton TCH.

Në bisedën pa dorashka prej një ore, që tashmë është kthyer në simbol të udhëtimeve ndërkombëtare të Atit të Shenjtë, atij i është kërkuar të japë një mendim nëse binte dakord me komentet e bëra nga një kardinal katolik gjerman, se kisha duhej t’u kërkonte falje homoseksualëve.

Papa Françesku ndryshoi humor duke u pikëlluar, kur një reporter e pyeti nëse kjo falje ndaj tyre ishte bërë edhe më urgjente pas vrasjes së 49 personave në klubin e natës për homoseksualë në Orlando të Floridës më herët gjatë këtij muaji. Ai u kërkoi madje predikuesve të kishës, që të mësojnë besimtarët në vijim se homoseksualët “nuk duhen diskriminuar më, përkundrazi duhen respektuar”.

“Mendoj se kisha nuk duhet të kërkojë falje vetëm…ndaj një personi gay që ka ofenduar në të kaluarën, por duhet të kërkojë falje edhe ndaj të varfërve, ndaj grave që janë shfrytëzuar, fëmijëve që janë shfrytëzuar apo janë detyruar të punojnë. Duhet të kërkojë falje gjithashtu edhe për bekimin e dhënë ndaj përdorimit të aq shumë armëve në të kaluarën”.

Kisha predikon se tendencat homoseksuale nuk përbëjnë mëkat, por aktet homoseksuale po, ndaj dhe homoseksualët duhet të përpiqen të jenë të matur e të virtytshëm. Françesku përsëriti gjithashtu edhe versionin e modifikuar të shprehjes së famshme “Kush jam unë të gjykoj?”, të cilin e kishte shprehur për homoseksualët gjatë udhëtimit të parë të tij në vitin 2013. “Pyetja është: një person që ndodhet në kushte të atilla, që ka vullnet të mirë dhe që përgjigjet para Zotit, atëherë kush jemi ne ta gjykojmë?”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button