IA THASH… SHPËTOVA

Javën e kaluar ishim pjesë e një event shkencor të mbajtur në kryeqytetin turk, Ankara, në promovimin e pesë vëllimeve rreth islamit ballkanik, projekt ky madhor – 110 autorë nga vende të ndryshme të botës, gjithsej 2869 faqe, me autorë të mirënjohur si Karpat, Inallxhëk, Jezernik – mecenë i të cilit është TIKA, Agjencioni Turk për Bashkëpunim dhe Koordinim. Dhe në aeroport takojmë një person “të mirënjohur” keqësisht për të gjithë myslimanët e gadishullit tonë, një “profesor” universitar, do të kishim thënë, një portparol i megaloserbizmit ideologjik, një fobocentrik i cili në nga fundi i viteve 1980, më saktësisht më 1989, pati botuar një libër që titullohej Xhihadi bashkëkohor si luftë, përmes të cilit ngjalli islamofobinë në të gjitha trojet e ish-Jugosllavisë, në veçanti në Serbi dhe në një mënyrë edhe gjenocidin. Dhe iftari, në të njëjtën tavolinë me të. Bisedojmë rreth universitetit, Maqedonisë, politologjisë së religjionit, të cilën pretendon se e ka shpikur, dhe kurikulave universitare, në veçanti për atë të shkencave politike, ku serbët, thënë të vërtetën janë shumë para nesh, rreth Shoqatës Ndërkombëtare Sociologjike e të ngjashme.

Të nesërmen pasdite fillon konferenca, në seancën e parë të të cilës folën ish kryeministri i Shqipërisë Aleksandër Meksi, Jevtiqi, një profesoreshë nga Universiteti i Lubjanës, Anja Zalta, greku Ploumidis dhe hungarezja Orsolya. Pasiqë Meksi elaboroi temën e vet rreth arkitekturës islame në Shqipëri, fjala iu kalua serbit i cili foli për çështjen e shtetit osman dhe nostalgjinë e myslimanëve ballkanas për të, atë të islamit politik në raportin shqiptarë-bosnjakë, për dyshen islami tradicional-islami radikal në Ballkan, subjekt ky të cilin e trajtoi pa ndonjë qasje të mirëfilltë shkencore, duke aluduar në “avancimin e islamit vehabit përkundër atij hanefit”, pa kurrfarë të dhënash empirike-kuantitative. Argumente për radikalizmin i kishte tepër të dobëta, deklarime të bazuara shkresurina gazetareske, në skandale mediale, në parcialitete që nuk flasin për tabllonë në tërësi, në përvojën e tij në ushtri (shqiptarët nuk konsumonin mish derri), në shkëputjet nga një shkrim pamflet të një teologu shqiptar nga Berlini. Një ilustrim banal i tij për kalimin nga islami turk në atë arab ishte pohimi se ish-kryetri i BIK-ut, Boja gjoja s’ka ditur të flasë shqip kur është kthyer nga Arabia Saudite, të cilin në mënyrë të tërthortë donte ta paraqiste si nismëtar të radikalizmit islamik kosovar. Aq sipërfaqësor dhe ideologjik e kishte shqyrtimin saqë një pjesë e mirë e auditorit filluan të shikoheshin mes vete dhe me padurim të prisnin që të përfundonte. Ky njeri në periudhën para shkatërrimit të Jugosllavisë ishte njëfarë “Limanovski i politikës së Beogradit” (F. Mehdiu), i cili propagonte tezat e Akademisë Serbe, vepra e të cilit bashkë me jungen-intelektualizmin-imoralist të Shesheljit, me shkrimet e racistit D. Kallaji, me veprën Thika të Drashkoviqit përbënin valvulat kryesore që lëvizën makinerinë gjenocidale si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë.  Dhe gjithë atë ligjëratë denigruese e mbajti para disa nënave të Srebrenicës që ishin prezente aty dhe para delegacionit të cunguar të Bosnjës. Reisu’l-ulemaja boshnjak dhe profesori Enes Kariq, që duhej të fliste në sesionin e dytë e kishin bojkotuar organizatorin për shkak të ftesës që i kishte bërë një personaliteti kontradiktor si Jevtiq.

Idetë e Jevtiqit janë të një njeriu që ka urrejtje substanciale-patologjike për gjithçka që ka të bëjë me islamin. Ai etiketën fundamentalistë ua ngjet by default të gjithë besimtarëve myslimanë, duke krijuar kështu një bazamanet për t’i satanizuar dhe atakuar ata. Ja disa prej pohimeve të tij, të cilat i citon Norman Cigar, hulumtues amerikan nga Strategic Studies Institute: “Islami kundërshton çdo relacion të drejtë, tolerancën, dialogun dhe koekzistencën.” “Myslimanët nuk e kuptojnë robërinë dhe barazinë në mënyrën e njeriut të qytetëruar”. “Kur’ani dhe sheriati lejojnë eliminimin e atyre që kanë fe tjetër”. Ai madje pohon se islami ndalon turizmin, sportin, se përmes ndalimit të alkoolit nxit   ksenofobinë dhe segregacionin e 100%-të. Ky njeri ka gjeneruar madje edhe terma oksimoronë si “fundamentalizmi shekullar islamik”, “islami komunist”, ka shënjestruar promilat e fertilitetit të myslimanëve, tokën e varrezave e ka quajtur “çështje të madhe politike”.  S’është e rastësishme që Cigar Memorandumin e Akademisë Serbe, trumpetimin e intelektualëve dhe orintalistëve serbë e ka cilësuar si “asfalltim të rrugës së gjenocidit”.

Dhe pas përfundimit të seancës së parë, në pjesën e pyetjeve-komenteve, morëm fjalën për të diskutuar me të për tezat e shtruara. Së pari e pyetëm për librin e përmendur më sipër, për pasojat e tij destruktive në qasjen dhe aksionin antiboshnjak dhe antishqiptar, për gjenocidet e bëra, më pas për tezat rreth “zakoneve aziatike” të islamit dhe për atë nëse ndjen fajësi për gjithë atë klimë islamofobe që i ka kontribuar me një pamflet libër si ai rreth xhihadit. Përmendën edhe inkoherencën e tezave të tij në vijën  fundamentalizëm, talibanizëm, terrorizëm, vehabizëm përmes të cilave etiketohen besimtarët muslimanë ballkanas, pa bërë dallime mes politikës ditore dhe politologjisë dhe sociologjisë së religjionit të cilat diskursin e vet e ndërtojnë në bazë të studimeve, pa e parë mirë fakticitetin e debateve dhe përthyerjeve fetare ndër shqiptarë, duke i paraqitur shqiptarët vetëm në fotografinë e islamit dhe islamizmit (islamit politik), duke harruar çështjen e islamofobisë brendshiptare, tezën për “rrënjët e krishtera të shqiptarëve”, polemikën Kadare-Qose, tek-tuk konvertimet në kristianizëm etj. Protagonisti që e kishte gjetur vendin në këtë konferencë në saje të tolerancës maksimale të organizatorit, i hutuar nga pyetjet që s’i kishte pritur pas bisedës së afërt në darkë, pohoi respektin që ka për islamin dhe shprehu elozhe për Profetin islam, pa hyrë në brendësinë e tezave të veta kontradiktore  pa kurrfarë sfondi akademik. Me fjalë të shkrurtra, u rrok për emocionalitetin e auditorit për të mbulur irracionalitetin e vet.

Këtë njeri, që mes tjerash ka edhe një libër me titull provokativ Šiptari i islam (Prnjavor, 1995), e kisha lexuar më parë, para 20 e ca viteve, dhe ja rasti, e takova për të polemizuar, ia thash ca të vërteta dhe e shpëtova veten nga një barrë e brendshme, lava një obligim intelektual.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button