REBALANCI I BUXHETIT: Cerga e shkurtër, shpenzimet e mëdha!  

E pësuan investimet kapitale. Qeveria i zvogëloi ato për pothuajse 50 milionë euro. Mirëpo, para për rroga, pensione, subvencione do të ketë. Rritja ekonomike pothuajse është përgjysmuar, mirëpo deficiti buxhetor është thelluar – në horizont shihen hua të reja për financimin e premtimeve të reja. Ekonomistët për analizën javore ekonomike të Portalb.mk vlerësojnë se qeveria përgatiti edhe një buxhet jotransparent, që ka për qëllim blerjen dhe mbështetjen e votuesve.

Еkonomia do të bjerë, borxhet do të rriten!

Ministri i ri për financa, Kiril Minovski i vazhdoi politikat e deritanishme të jotransparencës dhe të shpenzimit pa mbulesë. Përsëri rritet deficiti buxhetor, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë dhe targeteve në dokumentet fiskale, ai duheshte të zvogëlohet, gjegjësisht të konsolidohet, komentojnë një pjesë e ekonomistëve. Me rebalancin, deficiti buxhetor prej 3,2% u rrit në 3,6% ose për rreth 34 milionë euro.

“Dallimi ndërmjet të hyrave dhe shenzimeve, gjegësisht thellimi i deficitit buxhetor nuk është asgjë e re për këtë strukturë në pushtet. Ata kanë treguar se e favorizojnë deficitin, dhe deri tani nuk arritën ta respektojnë atë që e planifikuan si deficit buxhetor. Ai rregullisht tejkalohet, mirëpo mungon sqarimi se për çka harxhohet, gjegjësisht ku përfundojnë paratë e huazuara që kthehen me kamatë” – thotë për Portalb.mk Marjan Nikollov nga Qendra për analiza ekonomike.

Sipas pozitave të reja buxhetore, rritja ekonomike është duke u zvogëluar. Në fakt, prej 4%, tani, me parashikimin e ri, këtë vit ajo do të jetë 2,3%.

“Nëse bëhet një analizë krahasuese, gjegjësisht nëse nga njëra anë qeveria thotë se rritja ekonomike do të ngadalësohet, që do të thotë se do të ketë më pak të ardhura në buxhet, ndërsa nga ana tjetër ka projektuar se do të rritet deficiti buxhetor, kjo do të thotë se borxhi i vendit do të rritet”, komentojnë ekonomistët për Portalb.mk.

Me rebalancin e publikuar, ka shkurtime edhe te të hyrat edhe te shpenzimet, ku “e pësuan” investimet kapitale. Në fakt, zëri për shpenzime kapitale është zvogëluar për pothuajse 50 milionë euro. Një pjesë e ekonomistëve përkujtojnë se ky zë, që është bartës i komponentës zhvillimore të buxhetit, shkurtohet në momentin kur investimet kapitale janë në nivel të ulët, gjegjësisht deri në fund të prillit realizimi i tyre ishte 16 për qind.

“Ky është një buxhet absolutisht jotransparent, gjegjësisht edhe ministri i ri për financa vazhdon me jotransparencën gjatë miratimit të rebalancit të buxhetit. Nuk dihen hipotezat, gjegjësisht shkaqet ekonomike për shkak të të cilave bëhen këto projektime. Askund nuk kishte asnjë diskutim për këtë. Ne vetëm e dijmë se është bërë ndryshim i konsiderueshëm në strukturën e anës së shpenzimeve në kuptim të asaj se ka zvogëlim të investimeve kapitale, të cilat gjatë viteve të fundit kanë realizim ndërmjet 60 dhe 70 për qind”, thotë ekonomisti Nikollov.

Sipas ministrit për financa, Kiril Minovski, i cili e publikoi rebalancin në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, me shpërndarjen e re të parave do të servisohen të gjitha funksionet e ekonomisë.

“Si rezultat i ndryshimeve në rritjen e Prodhimit të brendshëm bruto, ishte e domosdoshme të bëhet edhe ndryshimi adekuat i projektimeve të të ardhurave të përgjithshme dhe të shpenzimeve të përgjithshme. Në anën e shpenzimeve kemi zvogëlim të projektimeve për rreth 2% ose në vlerë absolute për tre miliardë denarë, ndërsa te shpenzimet për 804 milionë denarë në krahasim me atë që është projektuar”, deklaroi ministri Minovski dhe thotë se edhe përkundër shkurtimit të shpenzimeve kapitale, qeveria nuk do të heqë dorë nga investimet shtetërore, dhe vlerësoi se realizimi i zvogëluar i tyre ka qenë pasojë e zgjedhjeve të paralajmëruara, të cilat pastaj u shtynë.

Akuza të rënda ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së

Rebalanci i buxhetit për vitin 2016, pritet të përfundojë në Kuvend, mirëpo pa deputetët e opozitës. Pas vendimit të LSDM-së që përkohësisht t’i ngrijë mandatet e deputetëve, e me këtë edhe të mos marrë pjesë në punën e parlamentit dhe organeve të tij, ky rebalanc do të miratohet pa prezencën e partisë më të madhe opozitare. Ata thonë se ministri i ri për financa, Kiril Minovski, duke e nënshkruar këtë rebalanc, praktikisht është bërë bashkëautor në politikat shkatërruese ekonomike të pushtetit.

“Publikimi i parametrave kryesorë të propozim-rebalancit të buxhetit për vitin 2016 është diçka që nuk mund të komentohet seriozisht në aspekt ekonomik. Njeriu për të cilin emitimi i eurokambialit është diçka si garancë bankare për Bankën popullore, kapital i freskët dhe diçka me të cilën do të rritet shpenzimi privat, duhet seriozisht ta rishqyrtojë se çfarë obligimi ka marrë përsipër dhe në çfarë funksioni është ulur”, thotë për Portalb.mk zëvendës-ministri i deriparadokohshëm plotësues për financa, Kire Naumov dhe shton:

“Vetëm dikush që e ka marrë përsipër verbërisht ta shpëtojë shefin e tij Gruevski, ka mundësi që me lehtësi të deklarojë se rebalanci propozon shkurtim të investimeve kapitale, e në të njëjtën kohë rritje të deficitit buxhetor. Me disa qindra miliona euro që i planifikon Gruevski, ai dëshiron për momentin të shpëtojë, duke i përdorur ato në mënyrë klienteliste në periudhën parazgjedhore që do të vijë. Me borxhin e ri në kurriz të qytetarëve, ai bën përpjekje që t’i shmanget drejtësisë. Minovski duhet ta dijë se vetëm me propozimin e rebalancit ai bëhet bashkëautor”.

Ministri Minovski tha se do të ketë ngecje në investimet kapitale, ndërsa fajtor i vetëm për gjendjen në vend është LSDM-ja opozitare, thonë nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet.

“Sikur Kire Naumovi të kishte njohuri nga ekonomia dhe sikur eurokambiali të emitohej në shumën e paraparë në dhjetor, shteti do të fitonte mjete plotësuese me kushte shumë më të volitshme. Mirëpo, edhe Kire Naumovi, sikurse edhe të gjithë në LSDM, me përpjekjet e tyre për bllokimin e funksionimit normal të Maqedonisë, kanë bërë vetëm dëm. Me krijimin e krizës politike dhe me ikjen e LSDM-së nga zgjedhjet pamundësohet realizimi i investimeve kapitale”, konsiderojnë nga VMRO-DPMNE-ja dhe thanë se ministri Minoski theksoi se asnjë projekt kapital nuk do të ndërpritet.

“Do të vazhdojë ndërtimi i autostradave dhe i rrugëve rajonale dhe lokale, dhe i hekurudhës. Do të vazhdojnë ndërtimet e shkollave, puna rreth gasifikimit, investimet në shëndetësi dhe në bujqësi. Minoski dje tha se shpenzimet kapitale, mirëpo edhe të hyrat nga tatimet, mbesin në nivel më të lartë se sa në vitin e kaluar”, konsiderojnë nga partia në pushtet, transmeton Portalb.mk.

Përndryshe, prej 1 korrikut, qeveria paralajmëroi rritje të re të kompensimeve sociale, e tashmë e promovoi edhe projektin “Maqedonia punëson 2” për të cilin duhet të sigurohen para me rebalancin e buxhetit. Një pjesë e ekonomistëve konsideron se qeveria edhe më tutje udhëheq politikë e cila gjeneron hua të reja, dhe në afat të mesëm mund të vihet në pikëpyetje kondicioni i vendit për t’i përmbushur obligimet në kohë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button