Ministri i Arsimit Lutfiu takohet me homologen Nikolla

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu sot qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë ku u takua me ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Në takimin e përbashkët dy ministrat biseduan për bashkëpunimin në sferën e arsimit në mes dy vendeve në bazë të Marrëveshjeve të firmosura bilaterale, dhe njëkohësisht konstatuan se bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen me intensifikimin e të gjitha aktiviteteve të cilat dalin nga ky dokument.

“Biseduam për dinamikën e zbatimit të marrëveshjes për bashkëpunim të nënshkruar në Vlorë dhe Manastir në mes dy vendeve tona. Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si në realizimin  e projekteve të përbashkëta, bashkëpunimin universitar, shkëmbimin e studentëve, për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat e arsimit, si dhe për bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik ndërmjet institucioneve shkencoro – hulumtuese dhe subjekteve  tjera të bashkëpunimit”, tha Lutfiu.

Ndërkaq, ministrja Nikolla theksoi se qeveria shqiptare ka vullnet që të thellojë bashkëpunimin me Republikën e Maqedonisë në të gjitha nivelet e arsimit.

Ndryshe, si rezultat i nevojës për intensifikimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit dhe shkencës, në vitin 2015 në Vlorë  u firmos Marrëveshja,  ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë . Në të njëjtin vit në Manastir gjithashtu  u firmos Programi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në sferën e shkencës teknologjisë dhe arsimit  për periudhën 2015- 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button