Letër e hapur të gjithë lojtarëve dhe tifozëve kuqezi

Po e shkruaj këtë shkrim përderisa po bëhet e qartë gjithnjë e më shumë që kombëtarja nuk do të vazhdojë më tutje garimin në Euro2016. Ndoshta do të kishte qenë më euforik ky shkrim poqese do të vazhdonte ëndërra jonë për ta parë Shqipërinë në raudin e ardhshëm, sikur të kishte akoma shpresë, por si cdo ëndërr e bukur edhe kjo duhet të përfundojë. Paraqitja e kuqezinjve ishte e mahnitshme duke qenë se ishte evenimenti i parë i madh sportiv në të cilin merrnim pjesë. Mua të them të drejtën cdo minutë e ndeshjeve tona më është dukur e pavërtetë, në kuptimin që nuk mund ta besoja që ishim aty, në zemër të Europës duke u ndeshur me titanë të mëdhenj të futbollit botëror. Shumë shpesh e kam shtypur veten si për ta ndjerë që ajo që po e shijonja ishte një realitet.

Një realitet që zbulonte Shqipërinë si reprezentacionin e vetëm ballkanik që bënte pjesë, por mbi të gjitha një realitet që zbuloi që Shqipëria nuk është më ajo kombëtare e cila luante një futboll anarkik, të paorganizuar; falë atij trajneri meritplotë italian që arriti të mbledhë rreth vetes ato 23 lojtarë që dhanë zemrën dhe shpirtin në fushë, të organizuar mirë taktikisht, të determinuar për të treguar që jo rastësisht janë aty ku janë, gjithnjë me një shpirt luftarak që nxiti lëvdata të shumta si nga mediat sportive europjane, ashtu edhe nga kolegët e tyre të sportit që nuk kishin vecse fjalë lëvdate dhe admirimi për një popull të vogël si i joni, pa ndonjë traditë të theksuar futbolli, pa investime të theksuara në zhvillimin e këtij sporti dhe krijimin e lojtarëve të rinj. Këtë fazë zhvillimore neve ia kishim lënë shteteve të tjera ta bëjnë për ne, gjithmonë duke nisur nga fakti që nuk kemi mundësitë reale për investime të mëdha financiare sepse i dijmë kufizimet tona, por që arritëm të grumbullojmë ata djema që në emër të një kauze aq patriotike, aq nacionaliste të bëhen pjesë e një kombëtareje që dhuroi, jo vetëm gjatë Europjanit, një ëndërr të bukur, një shpresë dhe mbi të gjitha krenari një kombi të tërë për të thënë gojëplotë: O sa mir me qen shqiptar!

Me këto pak rreshta, dua të shpreh falenderimin tim personal, në emër të të gjithë shqiptarëve, të atyre që janë gjallë dhe të atyre që e ëndërronin një sukses të këtillë kur ishin gjallë, në këtë rast babai dhe vëllau im, të dy të ndjerë të cilëve jua kam dedikuar shumë nga emocionet që i ndjeja si tifoz sikur të isha pjesë e asaj 11-she në fushë, apo e atyre mijërave që ishin më pranë këtyre heronjve kombëtarë nëpër stadiumet e Francës. Atyre mijëra djemve dhe vajzave që kanë patur vetëm lëvdatat e mediave ndërkombëtare si tifozëria më e bukur, më e qetë dhe e respektueshme ndaj të tjerëve, kreative në tifozërinë e tyre, të dhënë pasionalisht pas kremtimit të secilit moment e sidomos të atij goli të Sadikut dhe fitores ndaj Rumanisë. Atyre lojtarëve dhe tifozëve që u bënë ambasadorët më të denjë të kulturës dhe traditës shqiptare, që nxorrën në pah vlerat e vërteta dhe origjinale të këtij kombi të vogël në numër por shumë të gjërë dhe të mëdhenj në shpirtin tonë shqiptar.

Sonte kombëtarja jonë u eliminua nga Kampionati Europjan, por do të mbetet gjithmonë në retinën e atyre europjanëve që të mësuar me propagandën e popujve dashakeq tanë, u habitën kur panë një shqiptari me vlera më të larta dhe më europjane sesa ata që janë bartës të atyre vlerave – kombeve më të mëdha dhe dominante të Europës. Ajo që ata djem meritojnë tani është një pritje madhështore në cdo qytet dhe cep të trevave të banuara me shqiptarë, për t’jua shtuar urinë dhe motivimin për të arritur akoma më shumë suksese në të ardhmen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button