Jo dhunës me dhunë

“Nëse do të dhunonte fëmijën tim do t’a kisha vrarë”.

Ky ishte reagimi dominues i shoqërisë tonë ndaj aktit barbar ku nje edukatore monstër dhunoi në mënyrë brutale një fëmijë 3 vjeç në kopshtin që vetë administronte. Më i frikshëm sesa akti makabër i kësaj frymoreje, që nuk gjej dot një emër për t’a përkufizuar, është reagimi i shoqërisë. Madje, kishte edhe nga ata që lobojnë dhe shkruajnë kundër gjakmarrjes, që theksonin se do ta kishin vrarë këtë përbindësh nëse do të kishte dhunuar fëmijën e tyre.

Dhunës i përgjigjemi me vdekje, varje në litar, ekzekutim në publik.

Një shoqëri që dhunës kërkon t’i përgjigjet direkt me dhunë, madje me ekzekutim publik, është shumë larg të qënit aty ku pretendojmë të integrohemi.

Jemi një shoqëri dhunuesish, ku më i forti dhunon më të dobtin.

I madhi dhunon të voglin, i forti të ligshtin, i gjati dhunon të shkurtrin, burri dhunon gruan, gruaja dhunon vjehrren dhe vjehrrin, djali dhunon babain e moshuar, vëllai i madh dhunon vëllain e vogël, një grup shoqesh dhunojnë vazhdimisht një shoqën e tyre që mban syze, ndërsa një grup shokësh dhunojnë shokun e tyrë që mban tela për drejtimin e dhëmbëve.

Shteti grabit qytetarin, pronari shfrytëzon punëtorin, drejtori dhunon vartësin, shefi nëpërkëmb punonjësin e ri, ujësjellësi dhe oshee vjedhin konsumatorin, policia dhunon të ndaluarin.

Dhunohen gratë që punojnë në fasoneri, të rinjtë dhe të rejat që punojnë në call center, shitësit ambulantë, punëtorët e ndershëm.
Militanti dhunon profesorin, banditi dhunon intelektualin, i paafti heq nga puna profesionistin, injoranti dhunon të diturin, i pashkolli dhunon studentin, i pasuri dhunon të varfrin.

Qytetarët dhunojnë konviktorët, vendasit dhunojnë të ardhurit, të ardhurit zaptojnë tokat e vendasve, të dehurit dhunojnë kalimtarin, komshiu i bllokon rrugën komshiut, shteti dhunon mediat dhe fjalën e lirë, media dhunon teleshikuesin. Në jug, toskët dhunojnë gegët, në veri, gegët dhunojnë toskët.

Hajduti grabit të moshuarin, nxënësit e bardhë dhunojnë dhe përqeshin romët në klasë.
Ai që ka makinë dhunon atë që ecën në këmbë, të veshurit mirë dhunojnë ata që nuk kanë rroba, i parfumosuri dhunon atë që mban era djersë.

Në vend që të kërkojmë marrjen e përgjëgjësive ligjore për të gjithë ata që lejuan që një kopësht i palicensuar të ushtrojë aktivitetin e tij në mes të Tiranës dhe marrjen e masave që akte të tilla të mos përsëriten dhe që edukatorja monstër të marrë denimin e merituar, ne kërkojmë varje në litar dhe mbjellim vrerë në web.

Sot (dje)  është data 21 qershor 2016 dhe ora shënon 18:35, por fatkeqësisht nuk jemi në vitin 2016.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button