Si fitoi Donald Tramp

Klima politike e pjekur për ndryshime dhe numri i madh i kandidatëve republikanë janë arsyet kryesore pse Tramp fitoi nominimin republikan

Kur Tramp shpalli kandidaturën për president bota politike refuzoi t’a marrë atë seriozisht. Me konsenzus mendohej se gjasat e tij ishin të barabarta me zero dhe se ai ishte kandiduar për motive tjera, për t’i bërë publicitet brendit të tij. Sipas gjithë analistëve gjasat e tij ishin të papërfillshme edhe kur ai udhëhiqte në sondazhe muaj me rradhë.

Sidoqoftë Tramp arriti të korrë fitore, por shtrohet pyetja se si arriti ky bizismen kontrovers, pa pikë përvoje politike, të fitojë nominimin e njërës nga partitë e mëdha amerikane?

Në përgjithësi ishin një sërë rrethanash që mund të grumbullohen në dy kategori: klima politike e kohës dhe shkaqet teknike; të parat që dhanë elektorat të etshëm për ndryshime dhe të dytat me mënyrën si rrodhi fushata republikane.

KLIMA POLITIKE

Pakënaqësia me Uashingtonin. Kriza financiare e vitit 2008 dhe dy luftërat e dekadës së parë të shekullit kanë lëkundur thellë besimin e qytetarëve amerikanë te kapacitetet e institucioneve politike dhe ekonomike të vendit. Gjithnjë e më tepër po besohet se loja është kurdisur në favor të një rrethi të ngushtë njerëzish, elitës Uashingtoniane. Mu për këtë ky vit ka qenë tejet i vështirë për politikanët e establishmentit dhe suksese të papritura kanë korrur autsajderët politikë, njerëz si Tramp, Kruz e Karson te republikanët apo Sanders te demokratët.

Revolta e bazës republikane. Pakënaqësia ka qenë sidomos e theksuar te baza republikane. Kjo bazë i ka dhënë mbështetje dhe i ka siguruar fitore fillimisht Bushit në të 2000-tat, e më pas ka fituar Kongresin në periudhën 2010-2016. Por baza nuk ka marrë asgjë në këmbim. Ajo vazhdon të mundohet ekonomikisht, ndërsa po pëson disfatë pas disfate në rrafshin kulturor, si psh me legalizimin e martesave homoseksuale. Në 2016 si duket revolta e bazës kishte arritur pikën e vlimit dhe ajo nuk ka qenë më e gatshme për kompromise. E gjithë kjo ka shkuar në favor të autsajderëve, sidomos Trampit i cili ka ditur t’a kanalizojë mirë këtë energji zemërimi.

Gjendja ekonomike e shtresës së varfër. Globalizimi ekonomik ka pasur efekt të ndryshëm te shtresa të ndryshme të popullsisë amerikane. Sidomos të goditur kanë qenë punëtorët e krahut, që kanë humbur vendet e punës nga migrimi i fabrikave në vende të botës së tretë si Kina. Kjo shtresë ka qenë e pjekur për populizëm ekonomik, ndërsa i pari që ka kapitalizuar këtë ka qenë Tramp. Në kundërshtimet me parimet konzervative republikane ai ka folur vazhdimisht për luftë tregtare me Kinën, apo kundër imigrantëve që zënë vendet e punës të amerikanëve të varfër.

Njollosja e të huajve-imigrantëve. Si plot populistë tjerë të djathtë Tramp ka fajësuar të huajt për problemet ekonomike të amerikanëve. Së pari ai vuri në shënjestër imigrantët meksikanë, për të vazhduar më pas me muslimanët. Kjo logjikë si duket ka rezonuar mirë me një pjesë bukur të mirë të shtresave më të ulëta të bazës republikane.

Qëndrimet e forta kundër terrorizmit. Paralelisht me njollosjen e të huajve brenda në Amerikë, Tramp ka marrë qëndrime të ashpra kundër të huajve nëpër botë që dëmtojnë interesat amerikane. Fajtor më i përshtatshëm gjithsesi ishte islamizmi radikal i ISIS-it. Kërkesa për intervenim agresiv kundër terrorizmit, duke mos përjashtuar asnjë mjet, ka plotësuar një boshllëk te popullata amerikane, sidomos pasi perceptohet se demokratët nën Obamën dhe Klintonin kanë dështuar thellë në këtë front. Mu për këtë popullariteti i Trampit është rritur pas çdo sulmi terrorist, si ai në Paris apo San Bernardino.

Racizmi latent te republikanët. Me qëndrimet anti-meksikane e anti-islame Tramp ka goditur në nerv te një pjesë e republikanëve ku akoma janë të gjalla ndjenjat raciste, megjithëse mbeten të pathëna. Megjithëse nuk është faktor vendimtar për fitoren e tij siç mund të mendohet, ky racizëm latent më tepër i ka ndihmuar se sa e ka dëmtuar Trampin.

SHKAQET TEKNIKE

Të gjitha këto megjithatë nuk janë arsye të mjaftueshme që Tramp të korrte fitore. Përveç kësaj klime politike te republikanët, ku kanë qenë të pjekura kushtet për paraqitjen e një populizmi të djathtë, janë plot faktorë tjerë teknikë që i kanë ndihmuar atij. Pa këto rrethana ai vështirë se do mund të kurorëzohej si i nominuar republikan:

Numri i madh i kandidatëve. Në garën republikanë fillimisht kanë qenë 17 kandidatë. Përderisa 16 kandidatët tjerë kanë ndarë përkrahjen mes vete, kjo i ka mundësuar Trampit që të dalë dhe të mbajë vendin e parë për një kohë të gjatë, pa patur asnjëherë më tepër se 30% përkrahje.

Hezitimi për të sulmuar Trampin. Duke supozuar, njësoj si analistët, se Tramp është fenomen kalimtar, kandidatët tjerë nuk janë marrë shumë me të. Ata kanë patur hall si të eliminojnë njëri tjetrin, të sigurtë se fituesi eventual mes tyre do të jetë i nominuar eventual i republikanëve. Posaçërisht të ashpra kanë qenë përplasjet Bush-Rubio dhe Rubio-Kruz. Kur filluan votimet dhe u pa se Tramp vërtetë mund të fitojë, kandidatët tjerë nisën të sulmojnë edhe atë, por ai veçmë kishte ndërtuar avantazh të pakapërcyeshëm.

Vazhdimi i gjatë i kandidaturave të pasuksesshme. Disa kandidatë refuzuan të tërhiqen edhe kur ishte e qartë se nuk mund të fitojnë garën. Duke qëndruar në garë përtej logjikës ata dëmtonin kandidatët tjerë, duke i mundësuar Trampit të vazhdojë të qëndrojë në vendin e parë. Fajtor për këtë pikë së pari është Rubio që qëndroi deri në Prill megjithëse nuk kishte fituar askund dhe sidomos Kasiç i cili qëndroi deri në fund edhepse fitoi vetëm në shtetin e vet në Ohajo. Përderisa në zgjedhjet e mëparshme në mars kishte vetëm një kandidat të establishmentit (Romni 2012, Mekejn 2008, Bush 2000), këtë vit establishmenti nuk u bashkua deri në fund.

Refuzimi për të mbështetur Kruzin. Që në fillim ishte e qartë se i vetmi që mund të ndalte Trampin ishte Ted Kruz. Por te establishmenti republikan Kruz ishte po aq i padashur sa Trampi. Madje disa republikanë të njohur si Bob Dol haptazi thanë se do të preferonin Trampin para Kruzit. Me përjashtim të Romnit, Kruz nuk pati mbështetje nga asnjë figurë tjetër e njohur dhe u desh të bëjë i vetëm betejën kundër Trampit, madje duke luftuar paralelisht me Rubion e Kasiçin.

Reklamat falas në media. Rol gjithsesi të rëndësishëm për fenomenin Tramp kanë patur mediumet amerikane. Me apo pa qëllim ata kanë mbuluar Trampin shumë më tepër se çdo kandidat tjetër republikan. Sipas disa llogaritjeve Tramp ka patur ekspozim falas në media (transmetim live të pres-konferencave e tubimeve) që përndryshe do  të kushtonin 2 miliardë dollarë. Me këtë ai vazhdimisht ka dominuar me mediat dhe nuk ka lejuar që ndonjë kandidat tjetër të jetë në qendër të vëmendjes as për një minutë. Gjithsesi merita për këtë ka vetë Trampi i cili ka ditur të shfrytëzojë përvojën e vet si yll mediatik për qëllime politike, gjithmonë duke u paraqitur si kontraverz dhe interesant për shikuesit.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button