2013: Përparimet dhe pengesat në shëndetësinë globale

Zhvillimet në shëndetësi dhe mjekësi, gjatë vitit 2013, janë të shumta dhe përfshijnë një rreze të gjerë prej luftës kundër sëmundjes HIV/AIDS dhe poliomielitit, e deri te përhapja e viruseve të rinj vdekjeprurës. 

Karakteristikë tjetër është zhvillimi i teknologjisë së gjymtyrëve artificiale.

Në vitin 2013 janë parë përparime në luftën kundër sëmundjes HIV dhe AIDS. Shkencëtarët nga Instituti për Kërkime Mjekësore “Queensland”, në muajin janar, kanë shpallur se kanë zbuluar se si të modifikohen proteinat në HIV, për t’u mbrojtur kundër infektimeve të zakonshme.

Profesori David Harrich thotë se nëse testet klinike dëshmohen të suksesshme, atëherë trajtimi mund të jetë një mënyrë efektive për zbutjen e pasojave të sëmundjes AIDS.

“Kjo terapi potencialisht është mjekim për AIDS. Pra, nuk është mjekim për infeksionin HIV, por potencialisht mund ta përfundojë sëmundjen. Kjo proteinë e pranishme në qelizat imune, do të ndihmonte në mbajtjen e sistemit imun të shëndoshë, kështu që pacientët do të jenë në gjendje të ballafaqohen me infektime”, thotë profesori David Harich.

Në një kthesë tjetër, potencialisht madhore, në muajin mars të vitit 2013, shkencëtarët kanë shpallur se një foshnje e lindur me HIV, duket se ishte mjekuar me terapi standarde të ilaçeve. Do të bëhen edhe më tepër testime për të përcaktuar nëse trajtimi mund ta ketë efektin e njëjtë në fëmijë të tjerë, por ky fëmijë nga Misisipi i Shteteve të Bashkuara, nuk ka pasur shenja të infektimit, pas një viti të përdorimit të ilaçeve për HIV.

Sa i përket poliomielitit, përhapja në Pakistan dhe Siri ishte kërcënim për t’i shkatërruar përpjekjet për çrrënjosjen e kësaj sëmundjeje me infeksion të lartë.

Në Pakistan, njëri nga tri vendet ku poliomieliti mbetet endemik, kundërshtimi nga militantët islamikë i ka penguar përpjekjet për imunizimin e fëmijëve, meqë ekipet e vaksinimit, në disa raste, ishin rrëmbyer ose vrarë.

Si pasojë e gjithë kësaj, në Pakistan janë regjistruar më se 70 raste të poliomielitit gjatë vitit 2013, krahasuar me 58, sa ishin në vitin 2012. Në Nigeri janë shënuar 50 raste, krahasuar me 110, sa ishin një vit më parë, në Afganistan vetëm 9 gjatë vitit 2013, ndërsa në vitin 2012 ishin 31 raste.

Në muajin nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka ndërlidhur përhapjen e poliomielitit në Siri, me ç’rast ishin paralizuar 13 fëmijë, me një virus nga Pakistani. Në Siri, poliomieliti ishte çrrënjosur para 14 vjetësh, por programet e vaksinimit kanë pasur probleme të mëdha gjatë tre vjetëve të fundit, për shkak të luftës civile në këtë vend.

Ekspertët botërorë të shëndetësisë kanë shprehur shqetësim për një virus vdekjeprurës të zbuluar për të parën herë në vitin 2012. I ashtuquajturi coronavirus mund të shkaktojë simptoma të rënda, të ngjashme me pneumoninë dhe mund t’i dëmtojë veshkat dhe organet e tjera.

Ky virus është për së afërti i ndërlidhur me atë SARS, që në epideminë globale në vitin 2003 ka shkaktuar vdekjen e afro 800 njerëzve.

Rastet mbeten relativisht në numër të vogël – 160 në Lindjen e Mesme dhe Evropë – por shkalla e vdekshmërisë me 68 vetë, në mesin e pacientëve, është e lartë.

Duket se ky virus ka kapacitet për transmetim prej njeriut në njeri, që e mundëson përhapjen e tij më të lehtë.

Gregory Hartl është ekspert për sëmundjet epidemike në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Virusi është nga e njëjta familje, sikur edhe virusi i zakonshëm i të ftohtit dhe virusi SARS. Ky virus dallon pak nga të dy viruset e përmendur. Duket se për momentin është më pak i transmetueshëm se SARS-i, dhe më pak i transmetueshëm se virusi i zakonshëm i të ftohurit, por në këtë moment, është qartas më vdekjeprurës se të dy këto viruse”, thotë Gregory Hartl.

Frika nga coronavirusi vjen për shkak të raporteve të reja për një virus tjetër vdekjeprurës në Kinë. Afro 140 raste të njerëzve me virusin H7N9, janë raportuar që prej shkurtit, me 45 të vdekur. Megjithatë, nuk ka dëshmi se ky virus i shpezëve mund të shkaktojë transmetim nga njerëzit në njerëz.

Lajm i mirë nga shëndetësia vjen lidhur me një gjymtyrë artificiale, të cilën shfrytëzuesit mund ta kontrollojnë me trurin e tyre.

Dega kërkimore DARPA e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, këtë verë, e ka publikuar një video, në të cilën shihet ish-ushtari Glen Lehman, që e humbi krahun e tij të djathtë gjatë shërbimit në Irak, duke e përdorur gjymtyrën artificiale, me ç’rast e ka ngritur filxhanin e kafesë te goja e tij, e ka vendosur shallin dhe e ka marrë topin e tenisit.

Lajme të ngjashme

Back to top button