Udhëheqës të retarduar

Njohësit e mirë mendojnë se për shkak të politikës katastrofale të qeverisë, i kemi humbur pakthyeshëm rreth shtatë miliardë eurosh investime direkte dhe dhjetë herë më shumë kur të kemi parasysh se këta projekte do të ishin në eksploatim për shekuj. Kjo dëshmon se aq sa mund të prishin një grusht udhëheqësish me mendje të sëmurë, s’ka shanse ta rregullojnë miliona njerëz të shëndoshë.

Në qershor të vitit 2002, Unioni Evropian pat themeluar – Projektin Rajonal Ballkanike për Infrastrukturë – REBIS (Regional Balkans Infrastructure Study), i cili u referohet vendeve të Ballkanit – Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Qëllimi i projektit REBIS është të ndihmojë këta vende në zhvillimin e strategjive koherente në infrastrukturën transportuese (hekurudhore, rrugore, etj). Ky projekt është i fokusuar veçanërisht në zhvillimin e rrjetit infrastrukturor kryesor rajonal me financim ndërkombëtar, që t’i lidhë mes veti shtatë kryeqytetet rajonale, si dhe qytetet tjera të mëdha në rajon, plus Banja Llukën. Projekti ka të bëje edhe në portet e Selanikut, Durrësit, Rijekës, Splitit, Dubrovnikut, Ploçës, Barit dhe Vlorës.

Rrjeti kryesor përfshin rreth 6.000 km rrjet rrugor (nga korridoret IV, V, VII, VIII dhe X) dhe 4,300 km hekurudhë si dhe shumë projekte tjera. Proekti i Komisionit Evropian për infrastrukturën transportuese dhe energjetike për Europën Juglindore – TEISEE (Transport and Energy Infrastructure in South East Europe), ka rol të përcaktojë rrjetet më të mëdha në rajon, duke pas parasysh logjikën ekonomike të tyre.

Për këta projekte, REBIS kishte parashikuar mjete prej më tepër se 2,5 miliardë eurosh, më së shumti për ata rrugore. Një përzgjedhje e detajuar edhe për ata hekurudhore do të varej nga përgatitja e biznes planeve nga vet kompanitë hekurudhore. E gjithë kjo vëzhgohet dhe koordinohet nga organizata rajonale SEETO (South Eastern Europe Transport Observatory). Faktikisht ky institucion bënë edhe vlerësimin e situatës politike për secilin shtet. Deri në fund të vitit 2017, janë parashikuar të harxhohen mbi 4 miliard euro, kurse afatgjatë mbi 12 miliardë euro.

 A do ta anashkalojë Korridori 8 Maqedoninë?

UE vazhdon të investojë në komponentët e Korridorit 8 në Bullgari dhe Shqipëri, por shumë pak në Maqedoni. Në fakt, kemi investime të mëdha në portin e Durrësit në Shqipëri ku edhe duhet të mbarojë pjesa tokësore e Korridorit 8, e që më tej të vazhdojë rrjeti ujor nëpër Adriatik. Kurse, Bullgaria tashmë është duke adaptuar hekurudhat e veta për shpejtësi prej 200 km në orë. Po ashtu është e qartë ë se tani rrjeti rrugor i K8 pëson ndryshime thelbësore. Së pari, qeveria e Maqedonisë përveç që ka udhëhequr politikë katasrofale, ajo në takime të rëndësishme rajonale në vend të ekspertëve meritor, ka dërguar aktivist partiak për mëditje. Pra, vazhdimisht janë dërguar nivele të ultë dhe jo profesionale të cilët as që dinin se për çka bëhet fjalë. Kjo bëri që Maqedoninë nga një shtet udhëkryq rajonal të shndërrohet në shtet qorrsokaku ballkanik.

Praktikisht me fajin tonë EU ka eliminuar pjesën e K8 për territorin e Maqedonisë me të gjithë komponentët e këtij korridori (rrugët, hekurudhat, gazsjellësit, largpërçuesit elektrik, kablloja optike, relejet radidifuziv etj). Kjo është një humbje marramendëse, edhe atë jo vetëm për shkak të investimeve të humbura në disa miliardë evro dhe mbetjes faktikisht pa infrastrukturë të K8, por edhe për shkak të taksave të transitit që ky vend do t‘i merrte, e që mesatarisht do të ishin rreth 80 milion euro në vit. Njëherit do të hapeshin shumë vende të reja punë – për mirëmbajtje të infrastrukturës, për shërbime hotelierike, pompa të benzinës, etj. Por, pushteti jonë gjithë kohën iu përkushtua populizmit negative duke krijua një historie të re po aq të çuditshme sa edhe vetvetja, me çka financa të  mëdha përfunduan në gips e beton. Të paktën sikur ata para të ishin investuar në shëndetin publik, shteti tani do të ishte një qendër rajonale e shërbimeve elite rajonale mjekësore me dhjetëra miliona euro të fituara në vit.

Si zëvendësim për dështimin e pjesës së K8 për Maqedoninë, Greqia tashmë ka përfunduar versionin e vet të “Via Egnatia” (autostrada nga kufiri turk e gjer në Igumenicë), me 76 tunele dhe 1,650 ura. Nga ana tjetër, Shqipëria ka ndërtuar autostradën moderne Durrësi – Morinë e cila vazhdon gjer në Prishtinë dhe së shpejti pritet të filloj ndërtimi i autostradës Prishtinë – Nish, duke vazhduar për në Sofje. Pra, Maqedonia me fajin e vet mbeti në baltë duke mbivlerësuar kot veten në raport me fqinjët.

A do ta humbë Maqedonia edhe krahun e TAP-it?

Më 13 shkurt 2008 kompanitë “EGL Group” dhe “Statoil” dhanë iniciativën për ndërtimin e gasjellësit TAP – Trans Adriatic Pipelines (Gazpërçuesi Trans Adriatik). Ky gaspërçues me ndihmën e mega-tubacion turk TANAP, do të transportojë gaz natyror nga Azerbajxhani, prej fushave “Shah Deniz II” e gjer te kufiri turko-grek, prej nga TAP do të vazhdoj transportin përmes Greqisë veriore dhe Shqipërisë jugore e gjer në Italinë jugore (Brindisi), ku edhe do të lidhej me rrjetin evropian gazsjellës. Qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë i kanë ofruar mbështetje të pakushtëzuar këtij projekti i cili tanimë është në ndërtim e sipër, duke e trajtuar si investim më të madh energjetikë në Ballkan në 100 vitet e fundit. Për shtetet nga të cilët kalon ky projekt tubacioni, përveç përfitimeve të mëdha financiare nga transiti, furnizimi me karburant të lirë dhe hapje të shumë vendeve të punës, këto shtete do të fitonin peshë tejet të madhe gjeopolitike rajonale dhe evropiane.

Projekti TAP parashihet t’i ketë edhe dy krahë ndihmës. I pari do të jetë – Gazsjellësi Jon Adriatik – IAP (Ionian Adriatik Pipelines), në gjatësi prej 516 kilometrash, i cili do të shkëputet në Fier të Shqipërisë dhe do të vazhdojë në drejtim të Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinë dhe Kroacisë, ndërsa krahu i dytë (WBR – Ring Ballkanit Perëndimor), i cili po ashtu do të shkëputet në Fier të Shqipërisë dhe do të kyçet në Strugë dhe duke vazhduar përmes Maqedonisë perëndimore drejtë Kosovës e Serbisë. Këtu praktikisht pa meritë Perëndimi Maqedonisë i jep pozicionin tranzitues për dallim nga projekti paraprak rus që tashmë ka dështuar “Rrjedha Jugore”, i cili Maqedonisë i ofronte vetëm linjë furnizimi, por edhe ajo s’ishte aq e sigurt edhe pse Stavrevski vite me radhë trumbetonte në atë projekt. A tani kur Perëndimi ua ofron lugën drejt në gojë, pushtetarët e këtuit heshtin!!! Si duket ”shërbimet e huaja” që Maqedonisë aspak nuk ia “duan të mirën” qenkan kujdesur për temë shumë se qeveritarët e saj! Megjithatë, nëse qeveria e këtuit vazhdon edhe më tej të jetë injorante, atëherë ndoshta ky krah do të dështojë. Humbja do të jetë e madhe edhe për ne Shqiptarët e këtuit. Siç shihet një udhëheqësi e retarduar me një politik po aq të retarduar, ka shndërruar shtetin nga një lider rajonal në një shtet të retarduar!

Për fat të keq, për një zhvillim serioz si duket akoma nuk janë të përgatitura as partitë opozitare duke përfshi edhe këto të rejat shqiptare! Akoma mbeten peng i do mendjeve të çuditshme për pushtet e që kurgjë s’kanë të përbashkët me projekte të komplikuara e as me interesa të njerëzve, përderisa popullata pakthyeshëm na shpërngulet. Ata mund të shkruajnë përralla fëmijësh ku kafshët flasin si njerëzit, por në jetën tonë politike njerëzit flasin si kafshët. Nuk kishim dashtë që kalit t’i zbret Murto që t’i hyp Kurto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button