Kuvendi i Kosovës miratoi vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 84 vota pro dhe 6 kundër miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fillim të seancës u mbajt debati ku Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, i cili informoi rreth procesit të negocimit me BE-në për vazhdimin e mandatit të EULEX-it tha se qëllimi kryesor i këtyre negociatave ka qenë forcimi i sovranitetit të institucioneve gjyqësore të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në fjalimin e tij është shprehur se qëndrimi politik i PDK-së është që të vazhdohet mandati i EULEX-it dhe theksoi se ky nuk është vetëm një qëndrim politik i PDK-së, por është një qëndrim dhe alternativë e vetme e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve drejt rrugës evropiane.

Veseli shprehu se çdo dështim që ndodh në komponentin e drejtësisë, përgjegjësinë e marrim ne si kosovarë dhe se drejtësia, gjyqtarët e prokurorët tanë kanë aftësi për këtë.

“Sido që të jetë çdo dështim i cili ndodh në komponentën e drejtësisë në Kosovë përgjegjësinë e marrim ne si kosovarë për arsye se është vendi ynë dhe unë e di se përgjegjësia e komponentës së Bashkimit Evropian e as e përfaqësuesve të tyre nuk është shumë e madhe, në kuptimin e një përgjegjësie e cila është përpara qytetarëve. Është më tepër një pozicion i cili është byrokratik”, u shpreh Veseli.

Në fund Veseli theksoi duhet të ndalohen sulmet dhe paragjykimet ndaj luftës dhe ushtarëve dhe se komponentja e EULEX-it nuk është këtu që t’i luftojë ushtarët e UÇK-së.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa i cili foli në emër të Qeverisë së Kosovës, u shpreh se janë pro vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë dhe se edhe Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet vazhdimin e mandatit.

Mustafa tha se qeveria ka nisur me kohë të përgatitet për vazhdimin e mandatit të këtij misioni dhe se ky ka qenë vendimi i përbashkët nga të gjitha palët e interesit në këtë proces, duke filluar nga presidentja, kryeministri, ministra dhe kryetarët e gjykatave.

“Ne kemi vlerësuar se EULEX-i duhet të mbetet edhe më tutje në mënyrë që të vazhdojë lëndat të cilat i ka EULEX-i sipas asaj që është përfshirë në këto ligje, në mënyrë që të tejkalojmë një zbrazëti juridike, por poashtu që të thellojmë bashkëpunimin për të forcuar sistemin e drejtimit në vend, për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin”, u shpreh Mustafa.

Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca rreth vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, ka theksuar se ky se mision nuk njeh shtetin e Kosovës dhe se ka pamundësuar shtrirjen e institucioneve në veri. Ai shtoi se prania e EULEX-it e vendos papjekurinë e shtetit të Kosovës dhe konsulton pamjaftueshmërinë e vendit.

“Në dokumentin në të cilin u themelua EULEX-i shkruan se EULEX-i e ka për qëllim që në drejtësi, polici dhe dogana të krijojë institucione të pavarura prej ndikimit partiak. Ky ka qenë njëri prej qëllimeve bazike të misionit të EULEX-it. Tetë vite pas është më se e qartë, sidomos drejtësia e policia mbeten institucionet më të kontrolluara nga partitë e pushtetit. Ky është një dështim i EULEX-it që nuk do shumë diskutim”, u shpreh Konjufca.

Kreu i grupit të deputetëve të “Listës Serbe” Slavko Simiç tha se Kosova dhe shoqëria kanë ende nevojë për mbështetje ndërkombëtare dhe ndihmë për reformimin dhe përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe se po kjo është arsyeja që kjo listë e mbështet vazhdimin e mandateve të EULEX-it.

Edhe grupi i deputetëve “6+” u deklarua pro vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, ndërsa partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar bojkotin e saj duke mos marrë pjesë në seancë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button