Mjegulla

Shikoj për dritareje – mjegull, mjegull e dendur. Jemi në dhjetor. Dimër. E kemi pritur borën, por në vend të borës mjegulla na ka ardhur e ngarkuar me grimca misterioze për të cilat thonë se kanë një spektër helmesh që mund të shkaktojnë me qindra sëmundje. Unë për vete kam dilema për këtë që thonë se mjegulla ka helme… Mjegulla të ketë helme?! Nuk vjen mjegulla me bombola nga Siria… Mjegulla është e këtushme. Vendore.
Lajmet nuk i japin aq shumë  rëndësi mjegullës, por i transmetojnë këshillat e pushtetit popullor: Ministria e ambientit jetësor thotë që ata të cilët janë mbi gjashtëdhjetë vjet mos të dalin në mjegull, madje as mos të shkojnë në punë. Edhe fëmijët. Edhe ata mos të dalin e mos të shkojnë në çerdhe, në shkolla. Se mjegulla ka helm. Po të tjerët? E për të tjerët nuk thotë gjë pushteti popullor. Ata, të tjerët,  sikur janë më të pavlefshëm për institucionet e shtetit. Ndërkaq ka njerëz që më bindin se këshillat që na i jep ministria ose Qeveria (nuk e di të kujt janë) mbase kanë për qëllim të tregojnë ndonjë humanizëm. Ndoshta kujdesen për pensionistët të cilët e kanë vështirë që me pensionet e tyre t’i sigurojnë vetëm barërat. Që mos të harxhojnë para të tjera për barëra. Ndoshta e kanë edhe për të mirën e fëmijëve. Ku ta di. Hakun nuk duhet t’ua hamë. Ndoshta e kanë për atë fjalën e urtë popullore që thotë: ujku do mjegull dhe kështu ata kujdesen mos t’i hajë ujku pleqtë. Këto duhet të jenë argumente. Dhe unë e pranoj argumentin.

Them se ministrat do ta kenë për të mirën tonë, jo për të veten, sepse ata e kanë sakrifikuar veten duke mbetur vite e vite, mandate e mandate në kolltukun e rëndë ministror. E nuk është lehtë të rrish aty. Ata rrinë në kolltukët e mërzitshëm për interesat tona. Këtë e kanë dëshmuar me ndarjen e shkëlqyeshme territoriale, me institucionet e shumta kulturore dhe shkencore  shqiptare që kanë bërë. S’bën të qahemi, jo. Po edhe ne të mirën ua kthejmë me të mirë. E dëgjojmë çdo këshillë të tyre. Shumë veta nuk dalin nga shtëpitë e veta, si unë që rri brenda dhe shikoj nga dritarja mjegullën e cila, ndonëse ndonjëherë na kërcënohet duke marrë ngjyrë ideologjike të kuqe (të cilën pushteti popullor ka thënë se duhet të jetë e kaltër), ka bërë edhe një punë të mirë. Madje shumë të mirë. I ka bërë drurët me kristale akulli dhe ata duken sikur t’i ketë bërë firma Svarovski për stoli të ndonjë spektakli madhështor, ku do të marrë pjesë edhe ndonjë princeshë. Kjo është mirë, veçmas për ne shqiptarët, sepse hapësirat e pushteteve lokale ku jemi me shumicë ne kanë ardhur në përfundim se është haram të stolisen rrugët e qytetit ku janë lagjet tona.

Dhe, se na mjaftojnë drurët e kristalizuar me krahnezë. A i keni parë sa të bukur janë? Ç’na duhen ne dritat, si ata të matanë urës, kur e kemi këtë bukuri me krahneza? Pastaj, më mirë është që ta ruajmë përhimtësinë që e kemi brenda shtëpive ku mundohemi ta lidhim një skaj me tjetrit për ekzistencën lakuriqe këtu në kuartet e mjerimit. Sa të merremi me atë se si t’ia bëjmë nesër, do të merremi me mjegullën dhe errësirën. Se kur e kemi brenda terrin e plotë në çdo aspekt, pse mos ta kemi edhe rrugën plot mjegull, pse mos t’i kemi edhe shtëpitë të mbështjella me terr dhe kësisoj të dallohemi nga ata që s’janë në udhën e drejtë, (siç jemi ne) e që në çdo cep, në çdo degë, në çdo dritare, mbi çdo derë, gjithandej, gjithandej kanë vënë drita. Mos të na mbetet meraku te ata që e kanë mbushur  qytetin me mijëra drita, te ata që e shfrytëzojnë edhe tridhjetë për qindëshin e mjeteve tona që mblidhen nga tatimet për ato drita.
Çfarë na duhen neve dritat, vëlla, që ndoshta janë simbolikë e keqe, (siç ka thënë njëri që e mbajnë për të knushëm) diçka që nuk përputhet ne normat ideologjike të cilat ne i aplikojmë tash e kur dominon ngjyra e zezë në veshjen tonë, në formë të terllëkut të zi (në vend të kësulës së bardhë tradicionale) e në nishanet tjera. Larg drita prej nesh! Larg! Fundja, pasi ne si brez i të moçmëve e kemi kaluar jetën në terr, le ta kalojnë edhe fëmijët tonë – në terr. Kështu do ta kenë më mirë. Se terri i mbulon përçarjet dhe ndarjet tona politike, kulturore  dhe kështu fqinjësia që na rrethon e që s’e fsheh urrejtjen patologjike kundër nesh që nga Beogradi e deri në Athinë nuk e sheh se ku jemi e si i kemi punët. E edhe ne s’i shohim planet plot sherr që i bëjnë e që kanë për qëllim të na zhbëjnë. As veten nuk e shohim ku jemi e i japim hapët kosës nëpër terr. Ndoshta fqinjët tonë i frikëson ndonjëherë ky terr, sepse ata para territ tonë mund ta kenë ndjenjën e udhëtarit, i cili arrin para një pylli të panjohur e s’ia merr mendja ta shkelë më tutje shtegun nëpër mal. Ndoshta. E kështu shtyhet për një kohë plani i zi i fqinjëve i bërë apostafat për ne. Ne atëherë rehatohemi duke i shtrirë në posteqitë e deshve dhe bëjmë politikë të madhe.

Por të kuptohemi, ky terr e ka edhe një varg përparësish të tjera, sepse në terr ne vetë nuk shohim se ku jemi, por vetëm dëgjojmë. Në terr çdo zë ta tërheq vëmendjen. Madje edhe zëri i atyre ministrave tanë që me profesion janë bash ministra dhe se aty ku kanë hyrë në punë të rregullt ministrore dhe aty do të pensionohen. Zëri i tyre është mesele. Dhe, ne dëgjojmë e dëgjojmë në terr nasihate ministrore se si do të bëhet mirë. Dhe, bukur tingëllon e përhapet në terr e në mjegull ajo floskula të cilën e polli dikur pamundësia në Kosovë, kur thoshin “hajt se bëhet mirë” ( si ajo flokula e gomarit kur ka thënë: bëre zot ëndërr) në kohën kur pushteti serb bëri terrorin e paparë shtetëror kur shpërndante mjegull e terr ndër ne dhe kur nuk dukej një dritë në horizont dhe pastaj na ra me fshesë të hekurt që të na zhdukë si mbeturina. (Më falni, u habita dhe e përmenda dritën!)

Në këto këshilla që na vijnë “prej së larti”, ndërkaq ka një hall: kërkohet prej miletit që mos t’i vozisin veturat, në mënyrë që sa më pak gazra helmuese të emetohen në ajër. Mirëpo… Mirëpo, mileti që i ka blerë këto automjete të vjetra nga vendet e Evropës perëndimore e di se ato duhet të shfrytëzohen sa më shumë, sepse edhe ndonjë vjet dy, hajde-hajde tri, këto makina do të përfundojnë në hedhurina. Dhe, i mbyllin veshët me dyllë kur e dëgjojnë këtë këshillë ministrore. Sa  munden vozisin! Fundja, thonë, pse të ecim në këmbë ose me autobus nëpër këtë mjegull? Dhe, çka është kryesorja, edhe mileti ka dëshirë ta japë kontributin e tij në shpërndarjen e dobishme të mjegullës. Këtu ministrat tonë do ta kenë gabim, ndonëse ata e kanë dëshmuar se janë të pagabueshëm.

Megjithatë pjesërisht ministrat kanë të drejtë kur kërkojnë ndalimin e vozitjes së makinave tona të vjetra. Ne nuk duhet të harrojmë se veturat kanë drita dhe këto drita e ndotin mjegullën. Si bredhat e stolisur me drita, matanë urës që e ndotin terrin e preferuar nga ne. Për këtë arsye menjëherë duhet të angazhohen aktivistët e fshatrave tona dhe t’ua bëjnë me dije atyre lart: mileti fuqimisht është angazhuar që të vozisë makina, natyrisht pa drita e nëpër mjegull dhe të kujdeset për drurët e kristalizuar nga krahneza. Dhe për mjegullën. T’i ruaj këto. Drurët të kristalizuar, mjegullën të dendur. Këtë situatë duhet ta mbrojmë si votën tonë… Kështu na mësojnë prej së larti dhe si ka thënë ai hoxha i moçëm: zoti përpara, dërzhava mas saj…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button