Tre këshilla opozitës shqiptare në Maqedoni!

Të nderuar deputet dhe udhëheqës të opozitës shqiptare në Maqedoni, të nderuar kryetar degësh dhe aktivist lagjesh dhe të nderuar qytetar që edhe ju si unë nuk e pëlqeni mënyrën e Qeverisjes nga kjo strukturë në Qeveri! Ky është shkrim shumë real dhe i sinqert që nuk përmban asnjë lloj frike apo doze vetë cenzure për të mos kritikuar. Është mllefi që ndjej për këtë gjendje dhe situatë ku jemi tani, por jam i sigurt që edhe ju ndjeheni njejtë si unë kur shihni se çka ndodh! Shumë nga ju e ndjeni shijen e hidhur të lëvizjes apo largimit nga puna për arsye se ju nuk mendoni dhe nuk veproni njejtë si ato që na udhëheqin. Për këto dhe shumë probleme tjera ju duhet të ngriheni në këmbë dhe të shpërlani sytë me ujë Sharri për t’u zgjuar nga gjumi sezonal që ju është shëndrruar në gjum i cili fillon kur mbarojnë zgjedhjet dhe zgjat deri sa të shpallen zgjedhje të reja. Habitem shumë edhe si i merrni edhe ato vota nga elektorati që nuk ju sheh të reagoni aq fuqishëm sa duhet! Për këto dhe shumë probleme tjera ju numroj tre këshilla si propozim-zgjidhje që një i ri dhe i pavarur nga politika kërkon ti sheh në ‘’spektaklin’’ që opozita dhe pozita duhet të japin për të luftuar që këtij vendi t’i japin atë që e meriton! 

Protestë e jo komunikatë ose konferencë shtypi! Për probleme të mëdha ku dëmtohet qytetari mos shkruani reagim të thjeshtë i cili nuk është asgjë tjetër përveç një fletë qesharake ku ju në të vërtetë bëni diçka që mos mbeteni pa hiç! Përshkak ajrit të pa pastër gjendja në Pollog por edhe në Shkup është shumë alarmante. Flitet për shëndetin e njerëzve dhe të ardhmen e gjeneratave pasi nga ajri i pa pastër lindin edhe indikacione anësore për shëndetin që jua trashigojmë gjeneratave. Nëse nuk ju intereson për njerëzit atëherë mendoni kështu, nga ky ajër i pa pastër do të pësojnë edhe votuesit tuaj dhe në të ardhmen do të keni më pak koka në kuti! Për këtë duhet një protestë e fortë ku duhet të demostrohet vendosmëri dhe të ndaloni proceset që e sjellin këtë gjendje. Bllokoni rrugën dhe qëndroni në rrugë me ditë së bashku me qytetarët tjerë që nuk janë me ju por duan ambient më të pastër! 

Gërmoni për informacione e mos flisni pa fakte! Fjalimet tuaja që i dëgjoj nëpër tubime dhe nëpër foltore të Parlamentit janë shumë qesharake! Duhet të keni fakte me numra të saktë dhe të vërtetuara me të cilat shpalosni gënjeshtrat e Qeverisë! Me numra të saktë ngritet besimi tek qytetarët të cilët dyshojnë te puna e Qeverisë por gjithashtu duhet të mbani të mirëinformuar aktivistët dhe ushtrinë tuaj që pastaj ata të dalin nëpër vendbanimet e tyre për të shpërndarë informacionin se sa keq punon Qeveria dhe pse ju jeni zgjidhja e duhur për të ju votuar. Duhet patjetër të bazoheni në fakte dhe numra pasi recitimi i vargjeve dhe zhargoneve politike ku dominojnë fjalët “kombi shqiptar”, ‘’flamuri”, “të drejtat tona”, “lufta e 2001”, “zullumi”, “e ardhmja më e mirë”, “hisja në buxhet” dhe shumë fjalë tjera për mua dhe shumë të rinj tjerë janë banale dhe qesharake. Sinqerisht, ju si opozitë duhet të jeni më të moderuar në fushatë, të jeni opozitë e “maleve”, “qiftelisë”, “kobureve”, “marrëveshja kornizë”, dhe “Skëndërbeut”
Moderohuni pak me teknologji! Shumë më vjen keq kur ‘’vajtoni” si kukuvajkat se pushteti ju ka mbyllur dyert e televizioneve. Punë e madhe, keni shumë hapsirë në mediat e reja për të treguar çka doni, e aty nuk depërton dot Qeveria! Sot të gjithë janë online dhe ju duhet të veproni aty duhet digjitalizuar veprimet tuaja. Jam duke ndjekur faqet tuaja zyrtare gjithandej nëpër rrjetet sociale dhe e kam përshtypjen se nuk jeni aq aktiv sa duhet! Mos mendoni shumë se do lodheni, vetëm merreni parasysh ekipin e Kryeministrit Edi Rama dhe do të shihni rezultatin. Nuk është keq që në fushatën e ardhëshme të Partisë Socialiste të dërgoni ndonjë aktivist të forumit tuaj rinor në praksë dhe pastaj i njejti të ju mësoj juve se si duhet të veprohet nëpër rrjetet sociale gjatë fushatës parazgjedhore. 
E di! Ju që i doni shumë liderët dhe politikat e opozitës shqiptare do të më shani dhe do të pyesni, se pse kaq mllef?! Mendoni mirë se pse jeni në opozitë! E shihni? Në opozitë mund të rrihet aq shumë sa të jeni të dobët për të ju treguar qytetarëve se pushteti është ai që duhet të ndërrohet! Kështu fitohen zgjedhjet, me ndryshime radikale! Në udhëheqësi por edhe në veprime konkrete ku shihet qartë se nuk jeni më ato që humbët zgjedhjet e fundit! Demokracia ju lejon veprime radikale për të arritur rezultate më të mira. Ju duhet filloni të punoni në terren e jo të pyetni kush jam unë dhe pse ju thashë këtë që e lexuat! 

Lajme të ngjashme

Back to top button