Ja deri kur do të qëndrojë EULEX në Kosovë

Qeveria e Kosovës sot mbajti një mbledhje urgjente, pasi që mbrëmë ka arritur letra nga Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian (BE) Federica Mogherini për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e BE-së, me të cilin EULEX-i do të veprojë në Kosovë deri më datën 15 qershor 2018.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi duke dhënë informata të mëtejshme për konfirmimin nga Mogherini, propozoi shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Republikën e Kosovës.

Kuçi theksoi se ky ligj është i ngjashëm me atë që është miratuar paraprakisht por me dy ndryshime, ku e para ka të bëjë me bazën juridike që nënkupton se ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në radhë të parë do të procedohet në kuvend dhe pastaj ky ligj brenda ditës do të procedohet duke bërë përjashtim nga rregullorja e punës së kuvendit.

Ndërsa ndryshimi tjetër ka të bëjë me rrethana të jashtëzakonshme kur EULEX-i për arsye specifike mund të propozojë një rast të ri te prokurori i EULEX-it. Sipas Kuçit këtë në fillim do ta shqyrtojë një komision i përbërë nga kryeprokurori i shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, ndërsa, Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vendos për këtë rast a do t’i bartet apo jo.

Nërkohë sa i përket çështjes së autobusëve të Komunës së Prishtinës, në mbledhje Qeveria ka aprovuar edhe garancinë e kredisë e cila do të merret nga Banka Evropiane për Zhvillim, për blerjen e autobusëve në vlerë prej 10 milionë euro.

Vendimet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë janë dërguar sot në Kuvendin e Kosovës me procedurë të përshpejtuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button