Erdogan s`e ka ndërmend të japë dorëheqje

Pavarësisht akuzave për korrupsion që detyruan tre ministra të japin dorëheqje më herët gjatë javës, Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan ka deklaruar se nuk do të jep dorëheqje.

Në një tubim jashtë aeroportit kryesor të Stambollit ditën e premte, Erdogan bëri thirrje për të luftuar ndaj asaj që shihet si sfida më e madhe për qeverinë e tij në 11 vite detyrë.

Ai e cilësoi hetimin për korrupsion si një “fushatë të pistë” dhe u bëri thirrje mijëra mbështetësve që të votojnë partinë e tij në zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm.

“Ata që e quajnë hetim për korrupsion janë të korruptuar vetë”, tha kryeministri turk.

Gjatë së premtes policia qëlloi gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit në sheshin Taksim të Stambollit, raportojnë mediat ndërkombëtare online.

Protesta u zhvilluan edhe në kryeqytetin Ankara dhe në Izmir, me manifestuesit që brohorisnin “kapeni hajdutin” dhe që i bënin thirrje Erdogan të tërhiqej.

Bilall Erdogan, i biri i kryeministrit turk ka ikur në Gjeorgji pas lajmit se gjyqi turk kishte dhënë urdhër për arrestimin e tij, kanë njoftuar mediet turke.

Disa gazeta turke kanë shkruar se Bilall Erdogan është i përfshirë në aferat korruptive që e kanë përfshirë Turqinë. Hetuesit po shikojnë afarizmin e TURGEV, një OJQ në Stamboll në Këshillit Drejtues të të cilës është i biri i kryeministrit Erdogan.

Sipas shkrimit të gazetës “Radikal”, prokuroria ka dhënë urdhër për arrestimin e tij.

Analistë theksojnë se Erdogan po bëhet nervoz dhe po përpiqet të mbrojë Bilallin të cilin mediet turke shpesh e quajnë princ.

“Oda TV”, një sajt online ka kumtuar se Bilall pa pasaportë përmes, vendkalimit Batum ka hyrë në Gjeorgji.

Ndërkohë, ushtria deklaroi ditë më parë se nuk ka ndërmend të përfshihet në argumente politike, duke iu përgjigjur kështu zërave për një komplot të organizuar prej saj.

Policia turke po heton mbi një transfertë të dyshimtë parash për në Iran dhe për mitmarrje për projektet e ndërtimit, skandal ky që ka shkaktuar rënien e lirës kundrejt dollarit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button