(FOTO-VIDEO) Tetovë, u protestua kundër ndotjes së ajrit!

Sot në ora 11.55 në sheshin e qytetit të Tetovës u mbajt protesta e qetë e banorëve të Tetovës dhe rrethit me moton: “Stop ndotjes kancerogjene !”

“Ne, pa dallim të përkatësisë politike, ideologjike, fetare dhe etnike e kemi patjetër që bashkërisht dhe në mënyrë energjike të reagojmë që të sigurojmë një ambient normal për jetesë , jo vetëm për ne por edhe për gjeneratat që do vijnë pas nesh”kështu deklaroi mes tjerash Xhelal Neziri, kryetari i këshillit organizativ të protestës.


Kërkesat e protestuesve janë:
 1. Qeveria t’i mbyllë të gjithë kapacitetet industriale që paraqitet si ndotës më të mëdhenj, deri sa t’i implementojnë standardet e nevojshme ekologjike nëpërmjet vënies së filtrave në tymtarët e tyre.
2.Qeveria të subvencionojë me 30 përqind fatuarat e rrymës së amvisërive gjatë sezonit të ngrohjes , me qëllim të zvogëlimit të përdorimit të lëndëve djegëse , si drunjëve dhe qymyrit!
3. Urgjentisht të zgjidhet çështja e deponive të egra në rajonin e Pollogut.
4. Inspektoratet qeveritare dhe komunale të mbrojtjes së mjedisit të ndëshkojnë konform ligjeve në fuqi të gjithë ato persona që ilegalisht ndezin goma dhe materiale tjera në komunën e Tetovës, Tearcës, Zhelinës, Jegunocit, Bogovinës dhe Bërvenicës.

“Problemi i ndotjes së ajrit nuk është i sotëm, por tash ka arritur pikën kulminante. Askush nuk është kundër fabrikave por kërkojmë vendosjen e filtrave dhe respektim të standardeve ekologjike. PËr fat të keq nuk është ndërmarrë asgjë, nuk është vetëm Jugohomi por ka dhe deponit të egra si dhe vetëdija e qytetarëve që vetë e ndotin ambientin” tha profesori Xhemail Neziri.

Këshilli organizativ tha se nëse nuk meren masa për kërkesat e tyre legjitime dhe njerëzore deri me 15 janar ata si këshill protestues do të jenë të detyruar të ndërmarin masa më radikale.

“Masat që i ndërmori Qeveria ishin iniciativa individuale të asaj se kush mund të shkojë në punë, kush mund ti merr veturat apo kush e ndez bërllokun. Po pyetja thelbësore është:Pse aty është bërlloku?Detyrë e Qeverisë është ta evitojë burimin e ndotjes” tha Arta Toçi, profesoreshë.

“Si në Shkup ashtu edhe në Tetovë, ne ajrin e pastër nuk e kemi luks dhe pastërtia e ajrit duhet të jetë prioritet sepse çmimin do ta paguajmë ne dhe fëmijët tonë nëse nuk ndërmarrim masa” tha Gjakush Kabashi, publicist.

“Është e qartë:duhet vetëdijësim të qytetarëve, ndalesë të punës pa filtra të Jugohromit, largim të deponive” tha Razije Jonuzi, drejtoreshë e Qendrës teatore për fëmijë në Shkup.

“Kërkojmë nga kryetarja e Komunës së Tetovës ta vendos në rend dite në Këshill çështjen e diskutimit për ndotjen e ajrit që është çështje qenësore. Në si shoqatë i kemi dhënë sugjerimet për hapat e mëtejme për këto 10 ditët e ardhshme deri sa të ulet niveli i ndotjes” tha Vesa Buklla nga shoqata e ekologjisë “Tetova”.

Qytetarët vazhdojnë të helmohen nga ajri i tejndotur nëpër qytetet më të mëdha në vendit. Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në Shkup, Tetovë dhe Kërçovë gjendja është alarmante për sa i përket ajrit të ndotur. Prezenca e grimcave ‘PM-10’ rezulton shumë më lartë kufirit të lejuar.

Masat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin masa më rigoroze në drejtim të uljes së nivelit të ndotjes, vlerësojnë ekologët.

“Mendoj se kjo që po ndodh lidhur me ndotjen e ajrit në Shkup është jo humane. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se automjetet luajnë një rol të madh në ndotjen e ajrit dhe krijimin e grimcave PM10 dhe më të vogla se PM10 nga fabrikat dhe aktivitetet ndërtimore që po zhvillohen në qytet. Sipas disa hulumtimeve pikërisht këto grimca janë shkaktarë të kancerit në mushkëri dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes”,  deklaroi për Portalb, Frosina Pandurska Dramiqanin, qytetare e Shkupit dhe anëtare e Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë.

“Mënyra e vetme për përmirësimin e situatës është përmes vendosjes së filtrave në fabrika, qytetarët të heqin dorë nga automjetet dhe të shfrytëzojnë biçikletat në vend të tyre, dënime të rrepta për pikat e egra të grumbullimit të mbeturinave dhe djegies së mbeturinave sidomos në lagjet Novo Lisiçe dhe Lisiçe”, sugjeroi Pandruska Dramiqanin.

“Qeveria duhet të jetë më rigoroze në masat për ndalimin e ndotjes së ajrit, t’u vendos kyçin fabrikave që shfrytëzojnë filtra të papërshtatshëm në oxhaqet e tyre, vetëm atëherë do të mund të flasim për masa rigoroze. Megjithatë një hap i tillë fatkeqësisht nuk duhet se do të ndërmerret nga ana e autoriteteve kompetente. Qëndrimi në shtëpi për shkak të ajrit të ndotur është humane por jo masë rigoroze”, shtoi Frosina Pandurska Dramiqanin, qytetare e Shkupit dhe anëtare e Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë.

Dushko Hristov nga OJQ, ‘4x4x4 Urat e Ballkanit’ vlerëson se një pjesë e përgjegjësisë u takon edhe qytetarëve, pasi përkundër apeleve të shumta ata nuk kanë hequr dorë nga përdorimi i makinave të tyre. Për Hristov varfëria është faktori shtesë që ndikon në rëndimin e situatës. Sipas tij mbi 80% të qytetarëve ngrohen me dru pasi nuk ia lejojnë vetes dot të shfrytëzojnë ngrohjen qendrore, si dhe makinat që kanë katalizatorë.   

“Zgjidhja më e mirë është ulja e çmimit të biletave për transportin publik dhe ndalesë në qarkullimin me automjete ne pjesën qendrore të qytetit të Shkupit”, sugjeron për Portalb, Hristov.

Nga ana tjetër nga Inspektorati shtetëror i punës njoftuan se po vazhdojnë të inspektojnë situatën në terren lidhur me respektimin e masave të qeverisë për sa u përket punimeve ndërtimore në kryeqytet.

Ministri për Punë dhe Politikë Sociale Dime Spasov njoftoi se nga 276 kontrollet e realizuara në terren janë konstatuar 70 raste të shkeljes së masës për ndalimin e punimeve para orës 11 dhe pas orës 17. Në 30% të rasteve Inspektorati ka shqiptuar ndalesë për kryerjen e aktiviteteve ndërtimore.  /Portalb

VERZIONI DESKTOP