Gruevski: Me BDI-në shpesh takohemi për të gjetur zgjidhje

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, në një intervistë dhënë për MTV-në, ka shprehur hapur brengën e tij për natalitetin e maqedonasve. Mirëpo ai nuk ka pranuar të flasë me shifra konkrete se sa është ulur numri i maqedonasve, shkruan Shenja.

Sipas tij, problemet demografike tashmë i ndjekin shumë vende të Evropës përfshi këtu edhe Maqedoninë.

“Demografia është problem evropian, pra nuk është vetëmse i Maqedonisë. Sot me këtë çështje ballafaqohen Gjermania, Franca, Italia…”, ka thënë Gruevski. 

Ai ka shtuar se Qeveria e tij tashmë ka ndërmarrë një sërë masash për rritjen e natalitetit.

“E kemi hapur këtë temë. Kërkuam nga universiteti të bëjë hulumtime, pastaj përgatitëm masat për ta stimuluar natalitetin. Kjo është një çështje e vështirë, aq më tepër duhet thënë se nuk ka ndonjë vend që ka arritur ndonjë sukses në këtë fushë”, ka nënvizuar numri një i Qeverisë. 

Gruevski ka folur edhe për raportet me partnerin shqiptar të koalicionit, Bashkimin Demokratik për Integrim.

Ai me këtë rast ka thënë se kanë dallime për disa çështje, por se vazhdimisht janë në bisedime.
“Për disa prej tyre kemi gjetur zgjidhje, për disa jo. Nuk e fshehim se kemi dallime dhe se shpeshherë takohemi për të gjetur zgjidhje”, ka thënë kryeministri, por pa saktësuar se cilat janë ato probleme për të cilat nuk kanë rënë në ujdi përfshi këtu edhe vendosjen e bustit të Car Dushanit. 

Gruevski është pyetur edhe për marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai ka thënë se Maqedonia në këtë rast mbështetet në interesat e veta strategjike.

“Ka kaluar koha kur duhej të përcaktohemi nëse jemi me Lindjen apo Perëndimin. Bota ka ndryshuar dhe tani çdo vend punon për interesat e veta. Përse Gjermania ka të drejtë të bashkëpunojë me Rusinë, kurse ne jo”, ka pyetur Gruevski.

Lajme të ngjashme

Back to top button