Arifi: Ujësjellësi i Tetovës tani gjendet në buxhetin qeveritar 2014-2015

Në konferencën e sotme për shtyp, kryetarja e Komunës së Tetovë, Teuta Arifi, e karakterizoi vitin që lëmë pas, si një vit të rëndë dhe shpresëdhënës. Ajo tha se gjatë kësaj kohe u dëshmua se mund të kursejmë, durojmë dhe sakrifikohemi për të e shndërruar komunën në një organizatë funksionale që i shërben  qëllimit të vetë parësorë, qytetarëve.

 “Vendosëm bazat e punës transparente dhe të përgjegjshme të organeve të komunës dhe administratës komunale dhe jemi në përfundim të procesit të riorganizimit të administratës komunale me qëllim që ajo të jetë më efektive dhe ti shërbejë në mënyrë profesionale qytetarëve të Tetovës. Procedurat e tenderimit dhe dhënies së lejeve dhe dokumenteve  që i jep komuna sot janë transparente dhe të bazuara në legjislacionin vendor sepse  vetëm qeverisja e drejtë do ta forcojë integritetin e këtij institucioni dhe do ta rikthejë besimin e qytetarit”, tha Teuta Arifi.

Teuta Arifi, tha se “të gjitha vendimet  dhe masat që i kemi ndërmarrë deri tani  kanë për qëllim minimizimin e shpenzimeve dhe stabilizimin financiar të institucionit sepse për gjithë atë që bëmë deri tash mundësitë ishin minimale ndërsa vullneti dhe përkushtimi njerëzor ishte maksimal”.

Në konferencën e sotme për shtyp, Teuta Arifi, potencoi edhe çështjen e ujësjellësit të Tetovës.

“Problemi kryesor i qytetit, projekti i ujësjellësit të Tetovës tani gjendet  në buxhetin qeveritar 2014-2015 ndërsa ne kemi siguruar 1.600 000 euro nga Banka evropiane për investim për rregullimin e stacionit filtrues  ndërsa në buxhetin e vitit 2014 kemi paraparë 17.800.000 denarë për punimin e planit gjeneral urbanistik dhe planeve detale urbanistike për të zgjidhur kaosin urbanistik dhe për ti dhënë qytetit formën, përmbajtjen dhe identitetin e vet urban” . 

“Kemi rindërtuar dhe asfaltuar duke u përmbajtur në standardet më të larta të cilësisë bulevardin kryesor Iliria, hoqëm terasat e lokaleve dhe çliruam hapësirat publike përreth për tua kthyer qytetarëve trotuaret dhe hapësirat e gjelbra në dy anët e bulevardit”, tha Teuta Arifi. 

Një problem në vete sipas Teuta Arifit ka qenë, ndërmarrja publike NPK Tetovë e cila ka qenë afër falimentimit.

“NPK e cila në prill të këtij viti  ishte në prag të falimentimit  arriti të shlyejë rrogat e të punësuarve dhe të bëjë pagesën e rregullt të tyre gjatë tërë vitit 2013. Kjo ndërmarrje investoi mbi 4.000 000 denarë në makinerinë e saj dhe ndërpreu dy kontrata me vlerë prej 5 mijë euro në muaj për shërbimet e dy kamionëve me qira që ishin kontraktuar të kryejnë shërbimet të cilat duhet ti kryejë  dhe sot i kryen NPK Tetova”, tha Teuta Arifi

Lajme të ngjashme

Back to top button