Mahmudi: Femrat duhet të shkojnë në xhami për përfitimin e diturive islame (Intervistë)

E a.q. “Xhamia e Re” në “Lagjen e Trimave” është e vetmja xhami në qytetin e Kumanovës ku femrat për çdo ditë gjatë Muajit të Ramazanit falin Namazin e Ikindisë, Jacisë dhe të Teravisë dhe njëherit prezentojnë në ligjëratat e rregullta. Në vijim mund të lexoni intervistën që Portalb realizoi me imamin e xhamisë, Eljasa Mahmudin.

Portalb: Cili është qëndrimi i Islamit për faljen e namazit nga ana e femrave? Ku duhet të falen?
Eljasa Mahmudi: Sa i përket faljes së namazit nga ana e femrave, qëndrimi i Islamit është se ato obligohen me faljen e namazit ashtu siç obligohen edhe meshkujt pa kurrfarë dallimi në këtë drejtim. Ato mundet të falen në shtëpi, mirëpo atyre u lejohet të prezentojnë dhe të falen edhe në xhami. Kjo për shkak se po qe se femrat përfitojnë gjatë të shkuarit në xhami dituri islame përmes përcjelljes së ligjëratave të cilat do të ndikojnë në ngritjen e tyre fetare, atëherë namazi i tyre në xhami është më i pëlqyer. Pra, ato nuk duhet t’i ndalojmë nga prezenca në xhami për shkak se edhe vet i Muhammedi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka porositur: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut të shkojnë në xhami”. Mirëpo, kushtëzohet që femrat t’i përmbahen edukatës islame sa i përket mënyrës së të veshurit, të ecurit dhe të stolisurit.

Portalb: Cilat janë dobitë e faljes së namazit në grup? Me këtë rast në veçanti cilat janë dobitë e femrave?
Eljasa Mahmudi: Dobitë e faljes në grup ose si i themi ne me xhemat janë se namazi në grup është më i vlefshëm se namazi individual për 27 gradë siç potencohet në hadithet e Muhammedit (paqja mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Pra, në këtë kontekst edhe falja e femrave me xhemat në xhami ka vlerë të madhe që ndikon në përforcimin e radhëve, shkëmbimin e mendimeve dhe ngritjen e tyre islame.

Portalb: A mendoni se ekzistenca e objektit fetar (xhamisë) për femra kontribuon në realizimin e plotë të lirisë së besimit, e cila me akte juridike u takon të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie?
Eljasa Mahmudi: Padyshim se xhamia është institucioni më i rëndësishëm ku myslimanët dhe myslimanet tubohen për ta adhuruar Krijuesin e Gjithësisë. Mirëpo, xhamia nuk është vetëm vendadhurim, ajo është edhe vend për përfitimin e njohurive dhe diturive islame. Për këtë shkak aty duhet të jenë prezent edhe femrat në mënyrë që të përfitojnë nga këto dituri.

Portalb: A është xhamia në “Lagjen e Trimave” e vetmja xhami në Kumanovë, që u mundëson femrave faljen e namazit gjatë Ramazanit?
Eljasa Mahmudi: Po, “Xhamia e Re” në “Lagjen e Trimave është e vetmja xhami në qytetin e Kumanovës ku femrat për çdo ditë gjatë Muajit të Ramazanit rregullisht prezentojnë në xhami për shkak të kushteve të përshtatshme, ku ekziston kati i poshtëm i xhamisë dhe hyrja e posaçme. Mirëpo, edhe në dy xhamitë tjera të qytetit gjatë Muajit të Ramazanit organizohen ligjërata për femra së paku dy herë në javë.

Eljasa Mahmudi në Xhaminë e Re
Eljasa Mahmudi në Xhaminë e Re

Portalb: Si dhe kur lindi iniciativa për një gjë të tillë?
Eljasa Mahmudi: Inciativa për një gjë të tillë lindi qysh prej fillimit të ndërtimit të xhamisë. Pra, prej kohës kur u kompletua ndërtimi i xhamisë më vitin 2008, prej atëherë e këndej për çdo Ramazan femrat rregullisht falen në xhaminë tonë.

Portalb: Cilin namaz e falin femrat në xhami, si (kush është imami i tyre)? A kanë femrat ndonjë aktivitet tjetër në xhami pos namazit?
Eljasa Mahmudi: Ato për çdo ditë gjatë Ramazanit prezentojnë në Namazin e Ikindisë dhe atë të Jacisë së bashku me Namazin e Teravisë. Kjo, për shkak se në këto dy kohë zhvillohen edhe ligjëratat e rregullta pas Namazit të Ikindisë dhe para Namazit të Jacisë dhe të Teravisë. Ligjëratat i mbaj unë, ndërsa detyrën e imamit e kryej unë dhe kolegu im hafëz Ramadani. Përveç ligjëratave tona të përditshme, për femrat gjatë Muajit të Ramazanit organizojmë edhe ligjërata të posaçme dy herë në javë nga ana e predikueseve femra.

Portalb: Si ka evoluar ndër vite interesimi i femrave për të falur namaz në xhaminë e lagjes?
Eljasa Mahmudi: Prej vitit në vit interesimi është më i madh dhe mendoj se kjo ka dhënë rezultate drejt edukimit islam të femrës muslimane.

Portalb: A vijnë në xhami edhe banore të lagjeve tjera?
Eljasa Mahmudi:
Po, në xhaminë tonë vijnë edhe banore të lagjeve tjera të qytetit, por jo vetëm të qytetit, vijnë edhe prej fshatrave përreth.

Eljasa Mahmudi është imam i banorëve të lagjes prej vitit 1996, kur ato faleshin në shtëpi të improvizuar për faltore deri në marrjen e lejes për ndërtim të xhamisë. “Xhamia e Re” u ndërtua në vitin 2008, në  vendin e faltores paraprake. Sot ajo ka kushte të mira: nxemje për dimër dhe klimë freskuese për verë./Portalb.mk

Xhamia e Re
Xhamia e Re

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Këto që thotë ky njeri janë përpjekje për nënshtrim, për mobilizim masiv të njerëzve kundër lirisë së individit, kundër lirisë së popullit shqiptar të besimit mysliman dhe janë të kurdisura që të bëjë përçarje midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme, që do të thotë se synimi është t’i ndihmohet Serbisë që t’i shtojë aleatët kundër shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button