Avramopulos e “ka prerë” himnin e Maqedonisë

Ministri grek i Mbrojtjes Dimitris Avramopulos dje nuk lejoi të intonohet himni i Maqedonisë gjatë vizitës së ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi.

Mediat greke sot komentojnë se Avramopulos e “ka prerë” himnin e Maqedonisë, i cili sipas grekëve është “provokues, sepse në të madje gjashtë herë përmendet termi Maqedoni”.

“Gjatë pritjes së mysafirit, ministrit të Mbrojtjes Talat Xhaferi, i cili është ministër i parë i Mbrojtjes i vendit fqinj që e viziton Greqinë, nuk u kënduan himnet e të dy vendeve. Në këtë mënyrë u tejkalua pengesa për himnin provokues të Maqedonisë, i cili e përfshin termin ‘Maqedoni’ gjashtë herë”, shkruajnë portalet informative greke.

Mediat përkujtojnë se është e zakonshme, gjatë pritjes të intonohen himnet e nikoqirit dhe mysafirit, por dje kjo nuk ishte një rast dhe në pajtim me rregullat për protokoll, para Ministrisë së Mbrojtjes vetëm ka valuar flamuri i Maqedonisë, menjëherë afër flamurit të Greqisë.

Portali “Nefimerida” (e-gazetë) shkruan se Avramopulos e ka përshëndetur ministrin Xhaferi në shkallët e Ministrisë dhe me “manovrim të tmerrshëm diplomatik nga ceremonia për pritje e ka prerë himnin provokues nacional” të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button