Për shqiptarët e Malit të Zi

Kur flasim për shqiptarët në rajonin ballkanik, më së shumti kemi parasysh këtë etni që banon në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni. Pak dëgjojmë për shqiptarët të cilët banojnë në jug të Serbisë dhe aq më pak për ata gjysmë milionë shqiptarë që banojnë dhe punojnë si emigrantë kryesisht në Greqi. Kurse rrallë e më rrallë dëgjojmë të flitet për shqiptarët e Malit të Zi. Ndoshta kjo e lidhur me faktin se shteti malazez është vendi me më pak banorë e sipërfaqe në gadishullin ballkanik. Por se për hir të së vërtetës shqiptarët në hapësirën e Malit të Zi i kanë fituar disa të drejta dhe liri. Ndoshta kjo prej faktit se qysh prej shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia ky shtet nuk e ka kthyer më kokën mbrapa por ka ecur në rrugën euro-atlantike. Megjithatë edhe në shtetin malazez shqiptarët i kanë disa probleme.
 
Influenca serbe në Malin e Zi
 
Çështja që dua të shtroj në këto rreshta është fakti se Akademia e Shkencave e Malit të Zi i kishte konsideruar shqiptarët me banim në qytete nën territorialitetin e shtetit malazez si “ardhacakë” apo të tilla stigma që përcjellin inferioritet për një etni të caktuar. Po si ka mundësi të ndodhë kjo? Si mundet që edhe pse jemi në vitin 2016 shqiptarët në shtetet ku ata jetojnë vetëm përçmohen?  Kjo në një kohë që shqiptarët në Malin e Zi konsiderohen autoktonë në tokat e veta. E para arsye mund të jetë fakti se në Malin e Zi akoma influenca e Serbisë është e gjallë përmes etnisë serbe që banon në këtë shtet. Mos harrojmë se Mali i Zi ishte shteti i fundit që u shkëput nga Serbia dhe kjo e fundit jo pak e ka “halë në sy” shtetin malazez prej këtij fakti. 
 
Duke qenë se Serbia e humbi territorialisht Malin e Zi pa kryer luftë, çfarë bën për ta mbajtur Malin e Zi nën kontroll dhe që ta mbajë poashtu këtë shtet sa më larg BE-së dhe NATO-s? Vepron kështu: I përdor serbët e Malit të Zi siç përdor serbët në Kosovë. Partitë serbe në Malin e Zi trubullojnë gjëndjen dhe këta janë ca ultra-nacionalistë që nuk e duan as NATO-n dhe as Bashkimin Europian. Kujtojmë se shumica e opozitarëve sot në Malin e Zi janë serbë. Këta shpesh dalin nëpër demonstrata rrugëve të Podgoricës dhe duan që kryeqyteti malazez të jetë orbitë e Beogradit dhe e Moskës në Ballkan. Këta serbë nëpër demonstrata shpalosin edhe disa parrulla nacionaliste si “Kosova është Serbi” apo “Nuk e duam Malin e Zi në NATO”.
 
Këta serbë janë sot në opozitë në shtetin malazez dhe larg qoftë që ndonjë ditë me këta ide të marrin pushtetin. Gjukanoviç vërtetë akuzohet për korrupsion e akuza të ngjashme por se po e drejton Malin e Zi nëpër proceset euro-atlantike. Serbët opozitarë në shtetin malazez janë më së shumti të brumosur me ide të vjetëruara të nacionalizmit. Serbët këtu në mos duan të jenë pjesë e Serbisë dhe politikën e Podgoricës duan ta drejtojnë për nga vlerat moskovite. Të tillë serbë nuk e duan NATO-n duke e konsideruar organizmin ushtarak perëndimor me stigma njëlloj sikundër vepron Rusia si “fashiste” etj. Kurse duan një shtet me polici dhe shërbime të fshehta të rrezikshme dhe me ushtri të fuqishme e jo  të paktë e kjo me disiplinë e rregull. Kështu duket se Serbia përmes serbëve në Malin e Zi dëshiron modeomos ti realizojë qëllimet e vëna vetes duke përdorur popullsinë me etni serbe për qëllimet e veta të mbrapshta politike.
 
Serbët mund të kenë depërtuar deri në Akademinë e Shkencave në Malin e Zi
 
Serbët në Malin e Zi janë të shumtë. Kjo etni përbën një pjesë të mirë të shoqërisë. Shumica e serbëve janë opozitarë dhe kanë ide që përafrojnë më tepër për nga Moska sesa nga Brukseli. Sigurisht që mundet të ketë edhe serbë që kanë ide pro-europiane dhe përparimtare por se të tillë janë realisht pak. Çfarë ndodh? Patjetër që serbët në Malin e Zi janë të përfaqësuar nëpër institucionet e shtetit dhe disa prej tyre kanë depërtuar deri në Akademinë e Shkencave malazeze. Rrezik jo pak janë serbët akademikë me ide të vjetra të nacionalizmit serb. Këta ka gjasa të përdoren si marioneta nga Beogradi dhe për fat të keq vënë në jetë edhe ide të vjetëruara nacionaliste pan-sllave.
 
Ndryshimi i identitetit nga ana e shqiptarëve në Malin e Zi
 
Në Malin e Zi ka një tendencë e cila pak vihet re ndër shqiptarët të cilët jetojnë në shtete të tjera ballkanike. Këtu shqiptarët edhe janë asimiluar në forma të ndryshme. Ndryshime të identitetit duke nisur qysh nga emri dhe mbiemri kanë pësuar në këtë shtet deri edhe zyrtarë të lartë shqiptar në rangun e deputetëve. Shembulli më ekzemplar mund të konsiderohet Dritan Abazoviç zyrtar shtetëror me etni shqiptare. Me patjetër që është zgjedhje e personit ta ndryshojë edhe emrin e mbiemrin siç e ndjen, por edhe mbajtja e identitetit si shqiptar nuk është se tregon inferioritet siç kërkohet të paraqitet në Malin e Zi. Por sa duket influenca sllave në Malin e Zi dhe propaganda shtetërore është kaq e pranishme saqë i bën shqiptarët me pozita të larta të dëshirojnë të mos ndihen të tillë (pra shqiptarë).
 
Kjo flet për një ide qëndrore propagandistike të Podgoricës se të mos kesh emrin shqiptar është të jesh “i civilizuar”. Dhe duket se kësaj ideje fantastiko-shkencore të dalë nga laboratorët e Akademisë së Shkencave të Malit të Zi iu shkojnë nga pas disa shqiptarë që duan të duken “trendy”, se janë “ndryshe” dhe jo “halabakë e të paqytetëruar”. Në fakt kjo është propagandë shtetërore malazeze e përhapur nga falangat nacionaliste sllave të mbetura në Malin e Zi.
 
Në mos përkundrazi popujt që ngrenë teori se janë më superiorë se të tjerët kanë probleme të hapura me identitetin e vet. Megjithatë të ndryshosh identitetin mbetet zgjedhje personale. Por mundësia është se ndryshimi i këtij identiteti bëhet nën thundrat e propagandës sllave. Është e drejtë e çdokujt ta zgjedhë identetin, por se edhe nuk është turp të jesh shqiptar! 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button