LARG DHE AFËR

Koha si shumëçka tjetër që është aq e Vlefshme sa nuk ka çmim, hyn tek kategoritë relative. Rregulli është se rregull nuk ka, krejt varet. Një moment sa një amshim na duket ndonjëherë. Dhe e kundërta, “si fluturoi koha” themi ndonjëherë.

Promovimi i përmbledhjes poetike të ish-kryeministrit boshnjak në kohë lufte Haris Silajxhiq zgjati dy orë, sa çel e mbyll sytë. Promotori Ferid Muhiq dhe autori vetë debatuan, shkurt thënë, mbi Thelbin.

…Mbrëmë Koha m’u duk si pikë e kondensuar, e filtruar deri në ekstrakt.

Shumëçka që e mendoj, e peshoj udhëkryqeve, e dëshiroj apo e ruaj të fshehtë si ëndërr u përmend aty. “Ëndërr e fshehtë” në të vërtetë është term tautologjik. Nëse nuk është vetëm brenda nesh, aty në vend të sigurtë, nëse nuk e flasim vetëm me veten, ajo s’është më ëndrra jonë. Gjakimet e tilla, nëse i kemi, kthehen në barometër, korrektiv moral, bëhen E Paarritshmja…na pëlqen të ecim drejt saj – ndoshta nuk është Caku por është Rruga ajo që ia vlen.

Duke dëshiruar shumë dhe në heshtje, ne i afrohemi vetvetes dhe në fund të këtij rrugëtimi më tepër të bukur se sa të ankthshëm besoj se bëhemi më të mirë. Po, ëndrrat më të fuqishme i mbajmë të ndryra, e ka thënë Migjeni:

“Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme…

Thellë në veten teme kangët e mia jesin e unë jam vullkani që fle i fashitun…”.

Silajxhiq e thotë me tjera fjalë:

“Ne dozivaj me daljino
Ja jos çutim te daleko”.

Kur largësitë mbeten largësi, tha poeti mbrëmë, ne s’pushojmë së dëshiruari, kurse ajo që e imagjinojmë është përherë më e bukur se ajo që e kemi. Me fjalë tjera, ai tha se nuk plaken ata që ëndërrojnë, ata që kureshtarë mbeten.
Ndërsa kur bëhemi Një me Tjetrin, në çfarëdo formati qoftë, vlen poezia e tij e shkëlqyer “Samo s tobom nisam sam” dhe aty, mes tjerash…:

“Jer ja potajno zhelim…
Da ti je manje sunca u oçima
Manje çezhnji u noçima…
I da samo meni josh ruku pruzhash”.

…Në fakt unë desha të shkruaj për fjalimet iluministe mbi Esencën në promovimin e mbrëmshëm të përmbledhjes “Sarjeçja”.

Por përshtypjet e fuqishme duan kohë të pushojnë, “të bien”. E ka thënë Hemingueji “atë që së së shumti të shkruhet lere le të pushojë pak”, kurse Silajxhiq e jep në poezinë titulluar “Ne pishi pjesmu dok je zivis”.

Rekomandime të ngrohta për librin që ndoshta përkthehet edhe në shqip. Vargjet janë në boshnjakisht se s’marr guximin ti përkthej sado që të dua…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button