VMRO dhe LSDM akuzojnë njëra tjerën për skandale tenderësh

Partia VMRO-DPMNE sot akuzoi liderin e LSDM-së, Zoran Zaev se në mënyrë të padrejtë i ka ndarë një tender milionësh bashkëshortit të deputetes opozitare Cvetanka Ivanova. Sipas partisë në pushtet ky skandal është kulmi i punës së dyshimtë të Zaevit si kryetar i Komunës së Strumicës.

“Tani më nuk bëhet fjalë vetëm për biznes familjarë, por për biznes shumë mirë të organizuar familjaro-politik, sistem ky për keqpërdorim të parave të qytetarëve. Rrjeta e Zoran Zaevit për thithjen e parave të popullit është ngulitur thellë në shoqërinë e Strumicës. Pyesim Zaevin, edhe sa kompani dhe tenderë milionësh duhet të dalin në pah që ai të dal para opinionit maqedonas dhe të jap sqarime për këto skandale”, tha Daniella Rangellova, VMRO-DPMNE.

LSDM nga ana tjetër sot publikoi një skandal tjetër që ka të bëjë me banesat e pa deklaruara të sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Kiril Bozhinovski në vlerë prej 120 mijë euro. 

“Nuk është i saktë sqarimi i VMRO-DPMNE-së se Bozhinovski nuk ka pasur për obligim të paraqesë këtë banesë pasi ai nuk jeton bashkë me prindërit e tij. Në listën e deklarimit të pasurive përveç 3 mijë eurove që i ka marrë nga shitja e një veture, pronësia tjetër është e prindërve të tij. Sipas logjikës së pushtetit Bozhinovski në listën e deklarimit të pasurive ka pasur për obligim të deklarojë pasurinë e prindërve të tij, por jo edhe banesën e nënës së tij, jo”, u shpreh Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button