Nuk ja mbush dot mendjen mendjes time

Ndonjëherë, paturpësisht, mendoj të dorëzohem.

Mundohem ti shpjegoj vetës se është më mirë të përshtatem dhe të pranoj realitetin. Mundohem ti mbush mendjen mendjes time, se rruga e drejtë nuk të çon asgjëkundi. Ajo të sfilit, është plot pengesa e peripeci, ka përpara male, humnera të frikshme, shkretëtira, tunele pambarimisht të gjata, ku drita në fund të tyre mund të shihet vetëm me teleskop. Madje, shpesh herë, më ndodh edhe të inatosem me të. I nxitur nga realiteti mbytës edhe e kam qortuar. I shpjegoja sesi ky vend po i mbyt të ndershmit dhe po i shtrydh të drejtet, por ajo më injoronte me një kryelartësi për ta pasur zili. I thoja sesi ata që punojnë me dinjitet varfërohen çdo ditë, i tregoja sesi një një ekselent ishte vartës i një analfabeti, ndërsa një doktor shkencash ishte i papunë, ja përsërisja shpesh sesi një profesionist karriere u hodh në rrugë për një militant partie, por ajo as që ma vinte veshin.
Ndërkohë që unë i flisja, shpesh i indinjuar dhe rrëmbyshëm, ajo më injoronte vazhdimisht, teksa lexonte e qetë një libër që titullohej “Vlerë shpirtërore”.

Mendja ime është kokëforte, bën vetëm atë që mendon se është e drejtë.

Nuk I bëhet vonë nëse është e dhimbshme, majde as nëse do të ishte fatale.

Ajo nuk bie në grackën e refleksioneve dashakeqe, tunduese, sprovuese, megjithëse të rralla dhe kalimtare. Ajo I ka bërë një premtim vetes, të jetojë me dinjitet e ndershmëri, të pasurohet vazhdimisht me dije dhe kulturë, të luftojë, të rrudhet vazhdimisht, të shtrydhet çdo sekondë të aktivitetit të saj, të përplaset edhe për muri nëse e kërkon nevoja. Ajo beson fuqishëm te vlerat universale, te dashuria për njëri-tjetrin, te paqja, dialogu, solidariteti, ndihma, dinjiteti, humanizmi, barazia, meritokracia. Ka bindjen e palëkundur se këto vlera duhet t’i bashkojnë njerëzit, pasi janë parime mbi të cilat duhet të udhëhiqet njerëzimi. Ndaj, më injoron vazhdimisht sa herë që unë tentoj ti ankohem. Ndryshon sistematikisht biseden, merr një tjetër libër më thotë, telefonoju prindërve, tako një mik që po kalon ca ditë të vështira, fali dashuri njerëzve, fali edhe ata që të lëndojnë, ik 2 orë në një qendër të moshuarish apo fëmijësh jetimë, mbylli për një moment televizorin dhe rrjetet sociale, tako gjyshin këtë fundjavë, ulu poshtë një peme dhe pasi të pastrosh barin e keq që e pengon të rritet, merr frymë thellë dhe falëndero natyrën.

Ajo nuk merr vesh. Don që ti ece vetëm e saja. Nuk shqetësohet për injorimin që më bën. Madje, shpesh herë më përqesh, më tall, më vë në lojë.

Në fund më bind. Më jep mijëra argumente dhe më bën të kuptoj se ajo ka të drejtë. Më thotë se më është dhënë një mundësi spektakolare, t’i shërbej familjes, miqve, njerëzve dhe natyrës. Më kërkon me insistim që të mos tërhiqem, që të luftoj, që të gjykoj drejtë dhe ftohtë, që të jem solidar.

Unë, I turpëruar, më kokën e varur mbi shpatulla, skuqem, më dridhen duart dhe pyes vetën, si mund t’a mendoja një gjë të tillë.

Ajo vetëm buzëqesh, e lumtur edhe për triumfin ndaj meje.

Tani jemi 3. Mendja, zemra dhe unë.

Një treshe e pamposhtuar dhe në harmoni të plotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button