Organizimi politik kërkon ndryshim rrënjësorë të skemave mentale

Perceptimi i çdo stimuli nënkupton organizim, identifikim, dhe interpretim të informatave shqisore, me qëllim që të përfaqësojmë ose kuptojmë ambientin që na rrethon. I gjith procesi i perceptimit përfshinë sinjale në sistemin nervor, që rezultojnë nga stimulimi fizik dhe kimik i organeve shqisore. Në të njëjtën kohë, duhet kuptuar se procesi i perceptimit nuk është një pranues pasiv i këtyre sinjaleve, por një proces që formësohet nga të mësuarit, kujtesës, dhe vëmendjes.

Në psikologjinë sociale, perceptimi zë vend shumë të rëndësishëm sepse e gjith bota sociale mund të shpjegohet mjaftueshëm, vetëm nëse sëpari kjo botë ka kaluar nëpërmes procesit të perceptimit. Perceptimi social është studim se si njerëzit formësojnë qëndrimet apo përshtypjet për diçka, dhe si arrijnë në konkluza të ndryshme për njerëzit tjerrë në përgjithësi. Ne mësojmë rreth ndjenjave dhe emocioneve të njerëzve tjerrë duke grumbulluar informacione nga dukja e tyre fizike, si dhe komunikimi verbal dhe joverbal. Nëpërmes këtij procesi ne arrijmë deri te një koncept shumë i rëndësishëm, që në psikologjinë sociale njihet si atribuimi. Atribuimi nënkupton shpjegim të sjelljes njerëzore, se njerëzit sillen në këtë ose në atë mënyrë, përshkak të personalitetit ose përshkak të situatës ku njerëzit veprojnë. Ky shpjegim i fenomeneve shoqërore bazohet ekskluzivisht në informacionin e grumbulluar nga obzervimi, dhe më pas fillon procesi i perceptimit të këtyre stimuleve me qëllim që të kuptojmë sjelljet e njerëzve dhe qëndrimi ynë në tërë këtë sistem mjaft kompleks.

Njerëzit krijojnë atribuime të kuptojnë botën rreth tyre me qëllim që të kërkojnë arsye për sjelljen specifike të individit, duke krijuar gjykime dhe modele të ndryshme mentale në trurin e tyre, për të dhënë arsye për shkaqet e sjelljeve specifike. Nga ky proces i atribuimit, individi krijon skema mentale, që përshkruajnë një karakterizim të organizuar të mendimit dhe sjelljes njerëzore. Skemat mentale mund gjithashtu të përshkruhen si një strukturë mentale të ideve të paramenduara, një kornizë që përfaqëson disa aspekte të botës, ose një sistem të organizimit dhe perceptimit të informatës së re. Skemat mentale formohen nëpërmes absorbimit të diturisë dhe përvojës, dhe i gjith ky proces zhvillohet në mënyrë automatike pa mos qenë të vetëdijshëm si formohen, dhe si i nxjerrim në përdorim për të shpjeguar fenomenet shoqërore. Ky proces shndërrohet në një proces rutinorë dhe të zakonshëm sikur me e nga biçikletën, ku aspak nuk mendojmë për të gjitha lëvizjet që bëjmë për të vëndu biçikletën në lëvizje.

Atëherë, përshkak se ky proces është një proces automatik dhe rutinorë, njerëzit nuk harxhojnë shumë kohë në përdorimin e këtyre skemave mentale. Njerëzit rregullisht i vërejnë vetëm  fenomenet që përputhen me skemat mentale të tyre, dhe rregullisht bëjnë reintepretimin e kontradiktave ndaj skemave duke i shtrembëruar, me qëllim që të përputhen me skemat mentale të tyre. Në këtë mënyrë, skemat mentale vazhdojnë të ngelin të gatshme dhe të pandryshuara, qoftë edhe nëse ballafaqohemi me informata kontradiktore.

Tani, përshkak të mbështetjes së madhe rutinore në këto skema mentale, njerëzit zakonisht bëjnë paragjykime kognitive. Këto paragjykime i referohen një karakterizimi sistematik të devijimit nga norma ose racionaliteti në gjykim, ku konkluzionet rreth njerëzve tjerrë dhe situatave mund të arrihet në një mënyrë jologjike. Individët krijojnë realitetin e tyre subjektiv shoqërorë nga perceptimet e tyre, dhe ky konstrukcion individual i realitetit shoqërorë mund të diktojë sjelljen e tyre në botën shoqërore. Si rezultat i gjith kësaj, këto paragjykime kognitive në shumicën e rasteve do të sjellin një shtrembërim perceptual, gjykim jo të drejtë, dhe interpretim jologjik për të gjithë fenomenet shoqërore që rrethojnë botën në përgjithësi.

Sjellja politike në vendin tonë mund lirisht të trajtohet si një fenomen që detyrimisht ka kaluar dhe vazhdon të kalojë nëpërmes këtij koncepti që e shpjeguam deri më tani. Perceptimi politik kryesisht është bazuar në informata që i kemi akumuluar nga kanale të ndryshme, për një periudhë të gjatë kohore. Gjatë kësaj periudhe kohore, ne kemi krijuar skema mentale për sjelljen politike nga këto dituri të akumuluara, dhe këto skema apo modele mentale udhëheqin qëndrimet dhe sjelljet tona për botën e organizimit politik. Interpretimi ynë për të gjithë fenomenet politike bazohet ekskluzivisht në këto skema mentale që dalin nga truri ynë në mënyrë automatike dhe rutinore, sikur me e nga një biçikletë, pavarsisht a bëhet fjalë për lider politik, analist, apo masë e rëndomtë njerëzish.

Mirëpo, nuk duhet harruar aspak se mbështetja në këto modele mentale me automatizëm nënkupton paragjykime kognitive. Qëndrimet politike të njerëzve të rëndomtë, analistëve, apo botës akademike, ndaj sjelljes politike të politikanëve në përgjithësi dhe anasjelltas, bazohen kryesisht në informata dhe dituri që na janë servuar për një periudhë të gjatë kohore, duke u shndërruar në modele mentale, të stërmbushura me paragjykime kognitive. Këto paragjykimeve kognitive jo vetëm që janë shndërruar në modele të fuqishme mentale, por vazhdojnë të udhëheqin sjelljen tonë në mënyrë rutinore dhe të thjeshtë, sikur me e nga një biçikletë.

Fatkeqësisht, bota politike këtu te ne është shndërruar në një institucion të rëndësishëm të organizimit shoqërorë që ta trajtojmë sikur me e nga një biçikletë. Skemat mentale janë bazuar kryesisht në informata mashtruese dhe kjo situatë kërkon ndryshim radikal të perceptimit politik. Të gjitha fenomenet politike që kanë ndodh në Maqedoni që nga pavarsimi i vendit e deri më sot interpretohen nga modele mentale mashtruese, sepse dikushi ka dëshiruar që këto fenomene politike të perceptohen në këtë mënyrë. Tani janë pjekur të gjitha kushtet e nevojshme që të ndryshojë tërrësisht perceptimi politik ndaj gjith këtyre fenomeneve dhe figurave publike, dhe të startojë krijimi i modeleve mentale të shëndosha, të bazuara kryesisht nga informata të vërteta për botën politike. Vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për qëndrime korrekte ndaj organizimit politik në përgjithësi. Është koha të thuhet e vërteta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button