Sa para janë mbledhur dhe shpenzuar në fushatën presidenciale

Pesë muaj para zgjedhjeve në fushatë veçmë janë harxhuar mbi 1 miliardë dollarë

Zgjedhjet presidenciale janë të shtrenjta. Për të zhvilluar një kampanjë të suksesshme presidenciale në SHBA duhen gjithnjë e më tepër para. Megjithëse ende nuk kanë përfunduar as zgjedhjet brenda partive dhe ka akoma pesë muaj deri në zgjedhjet presidenciale, të dhënat tregojnë se deri tani kandidatët kanë mbledhur dhe shpenzuar shifra marramendëse dollarësh. Sipas të dhënave që ka mbledhur gazeta Nju Jork Tajms, e që u referohet burimeve zyrtare federale, deri me datë 30 Prill janë mbledhur gjithsej 1 miliardë e 271 milionë dollarë, prej të cilave janë shpenzuar 1 miliardë e 129 dollarë.

Fondet për zgjedhje në SHBA vijnë në dy mënyra, secila me specifikat e saj. Pikë së pari fonde për zgjedhje mund të mbledhin dhe harxhojnë vetë kandidatët. Por përveç tyre shuma marramendëse mbledhin edhe grupacione të jashtme, të quajtura SuperPAC (Super Political Action Committee).

Fondet e kandidatëve. Mënyra më direkte e financimit të fushatave është mbledhja e fondeve nga vetë kandidatët. Secili kandidat ka në stafin e tij ekipe të specializuara për të mbledhur donacione. Këto mblidhen në mënyra të ndryshme.

Një burim i madh mjetesh janë pasanikët e mëdhenj të cilët ideologjikisht mund të përkrahin ndonjërin kandidat dhe t’a ndihmojnë atë financiarisht. Të tillë për shembull janë vëllezërit e njohur Koch që financojnë republikanët, ose magnati financiar Soros i cili ndihmon demokratët. Donacionet e tyre zakonisht arrijnë shifra milionëshe.

Një shtresë e mesme donatorësh janë njerëz që ndihmojnë me dhjetëra ose qindra mija dollarë. Forma e zakonshme e grumbullimit të donacioneve të tyre janë darkat e shtruara nga fushatat, ku mes tjerash donatorët prezentë kanë mundësi të fotografohen me kandidatët.

Shtresa e tretë janë donatorët e vegjël, që zakonisht donojnë nëpërmjet internetit. Megjithëse donojnë shifra të vogla, numri i madh i donatorëve të këtillë siguron shuma të mëdha. Në këtë mënyrë sidomos janë financuar mirë Berni Sanders dhe Ted Kruz.

Fondet e mbledhura nga kandidatët shpenzohen për qëllime të ndryshme. Pikë së pari ata mbulojnë shpenzimet e udhëtimeve të kandidatëve dhe ekipeve të tyre, paguajnë stafin në nivel të fushatës ose në nivel lokal, paguajnë qiratë e zyrave, anketuesit e të tjera. Dhe në fund natyrisht fondet shpenzohen për marketing politik, gjegjësisht reklama nëpër televizione, radio, gazeta apo online. Por në marketing një rol shumë më të madh luajën SuperPAC-ët.

Siç mund të shihet nga tabela më poshtë kandidatët deri tani kanë mbledhur 802 milionë dollarë dhe kanë shpenzuar 750 milionë dollarë. Megjithëse janë vetëm dy, kandidatët demokratë kanë mbledhur 50 milionë dollarë më tepër se kandidatët republikanë.

Fondet SuperPAC. Kodi elektoral amerikan vendos kufizime në sasinë dhe mënyrën e donacioneve që mund një individ të japë për ndonjërin kandidat. Mirëpo vite më parë disa organizata kanë paditur qeverinë për ligjin e këtillë, duke thënë se është e drejtë themelore e njeriut të kontributojë sa të dojë dhe si të dojë për të avancuar ndonjë qëndrim politik. Këtë qëndrim e ka mbështetur edhe Gjykata Supreme Amerikane. Si pasojë kanë lindur të ashtuquajtur Komisionet për Aksion Politik, apo PAC. Për shkak të shumave të mëdha që shpenzojnë këto Komisione, me kohë iu është ngjitur emri SuperPAC.

SuperPAC-ët nuk kanë të drejtë të përzihen direkt në zgjedhje dhe nuk mund të konsultohen ose koordinohen direkt me fushatat, pavarësisht se i ndihmojnë ato. Mu për këtë SuperPAC-ët janë specializuar me marketingun politik. Ata kanë fare pak staf apo zyra, nuk kanë kokëçarje logjistike me udhëtime e tubime e të tjera. Thuajse e gjithë shuma e mbledhur nga ndonjë SuperPAC harxhohet në reklama.

Ndryshe nga fondet e kandidatëve, shuma që një individ mund të donojë te SuperPAC-ët nuk janë të kufizuara. Deri me 20 prill SuperPAC-ët e ndryshëm kanë mbledhur 468 milionë dollarë dhe kanë shpenzuar 379 milionë dollarë. Këto shifra me siguri do të rriten shumë në zgjedhjet e përgjithshme kur të kyçen donatorët e mëdhenj si vëllezërit Koch, Soros apo magnati i kazinove Sheldon Adelson. Deri tani këta kanë qëndruar anash duke mos dashur të përzihen në garat brendapartiake.

Është për t’u shënuar se Sanders dhe Tramp kanë refuzuar mbështetjen e SuperPAC-ëve.

Tabela. Ja edhe totalet e mbledhura dhe shpenzuara në miliona dollarë:

  Mbledhura Kandidati Mbledhura PAC Mbledhura Total Shpenzuara Kandidati Shpenzuara PAC Shpenzuara Total
sHillary-ClintonKlinton 212 85 296 182 38 220
sBernie-SandersSanders 213 0 213 207 0 207
sDonald-TrumpTramp 59 1 60 57 1 58
sJeb-BushBush 35 127 162 35 109 145
sTed-CruzKruz 90 65 155 81 45 125
sMarco-RubioRubio 47 62 109 47 60 107
sBen-CarsonKarson 64 13 77 62 12 75
sJohn-KasichKasiç 19 18 37 18 25 43
Tjerë 64 98 162 62 89 151
Total 802 468 1271 750 379 1129

Vendet e para në listë i zënë dy kandidatët demokratë. Bashkërisht ata kanë mbledhur 425 milionë dollarë, ndërsa republikanët vetëm 378 milionë dollarë. Por situata është më ndryshe te SuperPAC-ët, ku republikanët kanë në total 383 milionë dollarë, ndërsa demokratët 85 milionë. Kjo mund pjesërisht të shpjegohet me faktin që kandidatë demokratë janë vetëm dy, e njëri prej tyre refuzon ndihmën e SuperPAC-ëve.

Paratë nuk garantojnë sukses. Megjithëse nuk mund të bëhet fushatë e suksesshme pa para, kjo nuk do të thotë se paratë garantojnë sukses. Këtë më së miri e dëshmon fushata e Bushit i cili është i treti në listë megjithëse ishte në garë vetëm 6 muaj. Siç shihet Tramp arriti të fitojë te republikanët edhepse ka shpenzuar më pak se të tjerët. Por një pjesë e madhe e pallogaritur këtu, e që i ka ndihmuar jashtëzakonisht Trampit, është “marketingu pa para”. Me këtë nënkuptohet koha që kanë shpenzuar mediat duke mbuluar njërin apo tjetrin kandidat. Tramp me retorikën e tij ka qenë në qendër të vëmendjes të të gjithë mediumeve. Sipas disa llogarive ai kështu ka përfituar reklamë pa para, që në kushte tregu do të kushtonte afro 2 miliardë dollarë.

Më tutje. Siç thamë në fillim shifrat e mësipërme tregojnë gjendjen me 30 Prill. Deri në zgjedhjet e nëntorit këto shifra padyshim do të rriten disafish. Vetë Tramp ka thënë se për zgjedhjet e përgjithshme do të mbledhë fonde shtesë nga SuperPAC-ët, ndërsa siç thamë në periudhën e ardhshme me kontribute do të kyçen multimiliarderët e mëdhenj që deri tani kanë qëndruar anash.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button