VITLINDJA E BOGDANIT

Me arritjen e përmendores së “mrekullibërësit të gjuhës shqipe”, Pjetër Bogdanit, në Shkup, autorit të vargut antologjik “Me Diell veshun’, e mbathuni me Hanë”, lindën polemika rreth vitit të lindjes dhe të vdekjes së tij, që ishin shënuar në pllakën e përmendores, pra 1630 – 1686.

Shkruan, Salajdin SALIHU

Polemikat nuk u zhvilluan në mesin e studiuesve të letërsisë, që do të ishin të vlefshme, por nga njerëz që nuk e kanë pasur në fokus të interesimit të tyre jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit.

Duke mos qenë studiues i periudhës së “letërsisë së vjetër” dhe pa dashur që të bëhem pjesë e debateve që lidhen me politikën ditore, do të tentoj të ofrojë disa të dhëna nga studiues shqiptarë e të huaj mbi këtë çështje, disa prej të cilave, me këtë rast, u përmendën nga poeti Lulzim Haziri dhe studiuesi Xhelal Zendeli, të cilët iu referuan të dhënave të studiuesve dhe jo duke u nisur nga qëllime efemere politike.

Te studiuesit apo biografët e Pjetër Bogdanit nuk ka dilema rreth vitit të vdekjes së tij, pra vitit 1689 dhe jo vitit 1686, sikurse është shënuar në pllakën e përmendores, që duhet të korrigjohet, por ka dilema rreth vitit të lindjes.

Profesor Mahmud Hysa, në librin “Bogdani si e njohim” (Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2008) thotë se “vitlindja e Pjetër Bogdanit ka paraqitur problem për studiuesit e biografisë së tij dhe ajo, varësisht nga studiuesi, është vendosur në mes viteve 1620 – 1630”.

Kristo Frashëri ishte përcaktuar për vitin 1625 (që është shënuar edhe në një bankënotë shqiptare). Ai, siç thotë M. Hysa, përmend dy dokumente ku është bazuar (“Processi Concistoriali, vol.54 aa. 1656-1657, ff. 141-149” dhe “Processi della Detaria, aa. 1655, f.134”).

Në librat Historia e letërsisë shqipe I (Tiranë, 1959) dhe Historia e letërsisë shqiptare (Prishtinë, 1989) apo në ribotime të tjera, gjithashtu thuhet se Pjetër Bogdani ka lindur “rreth vitit 1625”, që dëshmon se nuk është vit i saktë, por i përafërt. I njëjti vit i lindjes, pra “rreth 1625” përmendet edhe në: “Fjalori enciklopedik shqiptar” (ASHSH, Tiranë, 1985), “Fjalori enciklopedik” (Bachus, Tiranë, 2002), “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (ASHSH, Tiranë, 2008) apo në “Fjalori enciklopedik letrar”(Tiranë, 2001).

Studiuesja Odette Marquet (P. Bogdani, letra dhe dokumente, Shkodër, 1997)  citon edhe dy dokumente të tjera, që na flasin edhe për dy vite të tjera të “lindjes” së Pjetër Bogdanit, gjegjësisht vitin 1620 apo 1621.

Studiuesit Ibrahim Rugova (Vepra e Bogdanit, Prishtinë, 1982), Engjëll Sedaj (Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve I, Prishtinë, 1990), Robert Elsie (Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë –  Pejë, 1997), Mahmud Hysa (Hyrje në letërsinë shqiptare, Prishtinë, 2000) dhe të tjerë, janë të mendimit se viti i lindjes së Pjetër Bogdanit duhet të jetë 1630, ndonëse sërish ka dilema. Madje, profesor Mahmud Hysa, në librin “Bogdani si e njohim” hedh dyshimin rreth vitit 1630, që e kishte pranuar më parë. Ai shkruan: “Pjetër Bogdani duhet të ketë lindur më 1628”.

Me sa shihet nga të dhënat e mësipërme, e gjithsesi ka edhe shumë të tjera, për të cilët do të duhej një studim më i gjerë, vazhdon të mbetet e hapur dilema rreth vitit të lindjes së Pjetër Bogdanit. Prandaj, ndoshta, do të ishte më mirë sikur në pllakë të shënohej si vit i lindjes “rreth 1630” dhe si vit i vdekjes 1689.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button