Ndryshimet në qëndrimet e partive shqiptare, manipulime politike apo kompromise reale?

Lufta politike zhvillohet dhe fiton në esencë me anë të kompromiseve, por ajo e humb esencën kur zhvillohet me manipulime dhe në dëm të së mirës së përgjithshme. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare shpesh kanë ditur të thirren në kompromise për të mirën e përgjithshme atëherë kur kanë dashur ta mbulojnë dështimin apo një akt jo në të mirë të shoqërisë.

Kalkulimet gjatë situatës së fundit politike sa u përket zgjedhjeve, ndryshimet në qëndrime pa menduar në pasoja për shoqërinë edhe më tepër e vërteton tezën tonë të ngritur, analizon Portalb.

Analiza në gjuhën maqedonase gjendet në këtë link.

 

Të rikujtojmë, deklaratat e Ali Ahmetit dhe bashkëpartiakëve të tij, për zgjedhjet e 5 qershorit, për t’i vërtetuar ndryshimet në qëndrime, brenda 2 muajve.

(23.02.2016) Po afrohet 5 qershori, një datë e shënuar për të gjithë ne, dita e themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim si subjekt pasardhës dhe trashëgues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në këto 14 vite gjithmonë qëndruam bashkë dhe u ballafaquam me sukses më të gjitha sfidat para nesh si dhe arritëm shumë në të gjitha sferat e jetës shoqërore, por njëkohësisht mbetet edhe shumë punë para nesh të cilën përsëri do ta realizojmë bashkë. Ky përvjetor i joni më 5 qershor do të jetë i veçantë sepse vjen në rrethana shumë sfiduese, prandaj ju ftoj të gjithë juve që të na gjej të përgatitur dhe të bashkuar për ta vijuar rrugën dhe misionin tonë.

(09.03.2016) Ahmeti u shpreh që zgjedhjet e 5 qershorit do të mundësojnë përmbyllje të krizës dhe rikthim të fuqishëm të skenës politike në agjendën Euro- Atlantike dhe fokusim në zgjidhjen e çështjeve që po na mbajnë larg nga integrimi në NATO dhe BE.

(07.04.2016) “Më 5 qershor do ketë zgjedhje, sepse nuk ka alternativë tjetër, në qoftë se ka ndonjë mendje të ndritur si koka e Zeusit le ta paraqesë atë alternativë. Më 5 qershor është sanksionuar (caktuar)data e mbajtjes së zgjedhjeve dhe dakordësi kanë dhënë gjitha forcat parlamentare… Nuk kemi të bëjmë me dhënie apo mbajtje të fjalës, 5 qershor është dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar, me gjithë miqtë tanë që të kontribuojmë në dobi të zgjidhjes së problemeve”, tha Ahmeti.

(12.04.2016) Festim Halili, Zëvendës Kryeministri i ri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në intervistën e tij të parë tha se zgjedhjet e 5 qershorit do të duhet të jenë zgjidhja e krizës. Ai thotë se do të pasojë një periudhë diskutimesh me të gjithë faktorët që të gjithë të marrin pjesë në zgjedhje.

(15.04.2016) Bashkimi Demokratik për Integrim, ende nuk ka të përpiluar një plan B, nëse zgjedhjet nuk do të mbahen në datën e paraparë më 5 qershor, thotë për TV 21, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.

BDI nuk ka plan B. Ne jemi të përkushtuar dhe të koncentruar maksimalisht që të implementohet marrëveshja politike. Kështu që, edhe në ditët në vijim do t’i koncentrojmë të gjitha kapacitetet tona në respektimin e asaj marrëveshjeje që është arritur nga katër liderët e partive më të mëdha parlamentare në vend”, thotë Ademi.

Këto deklarata qarkullonin nëpër media të ndryshme edhe pse bashkësia ndërkombëtare pati theksuar se “askush nuk e di se a do të ketë zgjedhje më 5 qershor“.

Dhe vijmë deri te momenti kur Ali Ahmeti qeshet kur ia përmendin zgjedhjet dhe shprehet se pa opozitën nuk shkohet në zgjedhje.

(25.04.2016) Der Standard: Pyetja ime e parë ka të bëjë me zgjedhjet..
Ali Ahmeti: Për çfarë zgjedhje? Bëni shaka me mua?…

Se zgjedhjet e 5 qershorit tanimë janë vetëm shaka e vërteton edhe zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.

(26.04.2016)  BDI nuk do të shkojë në zgjedhje nëse në proces nuk marrin pjesë të gjitha subjektet politike. Këtë e tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në programin “200”, të Alsat M.

Ali Ahmeti dhe BDI përkrahën VMRO-DPMNE që të shpërndahet Parlamenti dhe të caktohen zgjedhje për më 5 qershor. Mirëpo, BDI vonë kuptoi se kushtet për zgjedhje pa pajtimin e të gjitha palëve janë të pamundshme dhe dorëzoi iniciativë për ta shpallur të pavlefshme shpërbërjen e parlamentit që vet e kishte votuar.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti mendon se puna më e thjeshtë për një parti në pushtet është të ushtrojë arrogancë. Por, sipas saj, në politikë dialogu dhe kompromiset janë vlera të pacenueshme dhe të patjetërsueshme.

“Për BDI do të ishte shumë kollaj që të shkonte në zgjedhje më 5 qershor, me një opozitë në formim e sipër, të pakonsoliduar dhe që vazhdimisht shahet mes vete. Rezultati do të ishte fitore absolute për ne. E megjithatë, ne nuk duam të ushtrojmë arrogancën e pushtetit dhe të shkojmë vet kundër botës. Nëse është vlerësim i përgjithshëm se nuk ka kushte për zgjedhje, nuk ka logjikë që ne të shkojmë në zgjedhje të tilla. Nuk mendoj se këtu ka ndonjë temë siç kam vërejtur të prodhohet në opinion gjatë këtyre javëve. Çështja këtu është se kush është aktor dhe faktor politik për zgjidhjen e krizës dhe ngjarjet po dëshmojnë se faktor dhe garant për tejkalim të këtij ambienti është pikërisht BDI”, shprehet ajo për Portalb.

Ndryshe, analisti politik Xhelal Neziri vlerëson se çdo qëndrim që merr BDI në fakt ka parasysh vetëm interesin partiak, apo të një grushti njerëzish në krye të saj.

“Edhe kur rreshtohet përkrah ndërkombëtarëve edhe kur përkrah VMRO-DPMNE-në, BDI thjeshtë tenton të amortizojë goditjet që mund të marrë, të cilat do të vulosnin karrierat politike të shumë funksionarëve të saj. Me pozicionin vendimtar që ka për zgjidhjen e krizës, figurativisht thënë partia e Ali Ahmetit ecën nëpër tehun e shpatës duke shpresuar se në fund do të arrijë pa asnjë lëndim. Në këtë situatë kur VMRO dhe LSDM kanë aq dallime të mëdha, roli i BDI-së është determinues andaj i tërë presioni ushtrohet mbi këtë parti. Për këtë arsye, Ahmeti është detyruar disa herë t’i ndryshojë qëndrimet me qëllim që të shpëtojë nga goditjet eventuale. Roli i PDSH-së, ndërkaq, duket më pasiv por deri më tani ka qenë më dinjitoz në raport me përpjekjet për kapërcimin e krizës”, tha për Portalb Neziri.

Edhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi ka ditur të befasoj opinionin me retorika të ndryshme, por jo edhe me vepra. Ai në një moment pat deklaruar se do t’i braktisë bisedimet nëse nuk plotësohen pikat e Marrëveshjes së Përzhinos. Megjithatë, as Marrëveshja e Përzhinos nuk u plotësua, as kreu i PDSH-së nuk i lëshoi bisedimet. Por, nga ana tjetër në bisedime me ndërkombëtarët ai ka insistuar në plotësimin e kushteve, pa deklaruar ndonjë datë për zgjedhje.

Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së ndryshimet tek qëndrimet e BDI-së i cilëson si të palogjikshme.

“Nëse i analizon veç e veç veprimet e BDI-së , vështirë se mund të japësh sqarime logjike dhe politike. Çdo njeriu normal, vendimet e BDI-së i duken të pamatura, të papjekura dhe jo konsekuente. Atë që BDI e thotë në mëngjes, menjëherë e ha për darkë. Por nëse ulesh dhe analizon veprimet e BDI-së , në suaza të projektit të VMRO-së, atëherë gjërat bëhen të qarta kristal, atëherë veprimet e BDI-së marrin kuptimin e plotë”, deklaroi Fazliu.

Ai vë në theks se VMRO dhe BDI gjatë gjithë kohës kanë veprime të koordinuara mjaft mirë. “Herë pas here, krijojnë kriza virtuale, siç ishte shpallja e zgjedhjeve të njëanshme dhe abolimi i Ivanovit. Pastaj po të njëjtët këta krijues të krizave, kërkojnë “zgjidhje” përmes institucioneve të delegjitimuara, përmes pikërisht atyre institucioneve të delegjitimuara që prodhuan krizën , e që nuk janë asgjë tjetër përveç se tentim për bllokim apo zvarritje të procesit të dekriminalizimit të skenës politike”, nënvizoi Fazliu.

Profesori universitar Sefer Tahiri vlerëson se PDSH në këtë periudhë nuk mund të ketë pasur ndonjë zig – zag në qëndrime, sepse që nga fillimi ka konstatuar se nuk është me rëndësi data. Sipas tij, pavarësisht qëndrimit destruktiv të anëtarit të PDSH-së, Bedredin Ibrahimi në KSHZ, në planin politik ka pasur një lloj konsistence politike.

Ndërkaq, shton me tutje profesori, ndryshimi i qëndrimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me zgjedhjet është rezultat i ripërshtatmërisë së kësaj partie konform rrethanave politike dhe marrëveshjeve që kjo parti i ka me VMRO-DPMNE-në.

“Vlerësoj se votimi i qeverisë së vjetër në kushte kur kemi situatë të re politike është në kundërshtim me qëndrimet e faktorit ndërkombëtar, ngjashëm siç është edhe vendimi parcial që presidenti të ketë të drejtë të tërheq vendimet e tij për abolicion vetëm nëse këtë e kërkojnë palët e përfshira me këtë proces. Kjo është sjellje karikaturale e partive në pushtet që me vetëdije falin disa politikanë të dyshuar për krime të ndryshme dhe veprime të paligjshme”, tha për Portalb Tahiri.

Ai pohon se BDI dëshmon është një partneritet serioz në qeverisje, sidomos në raport me VMRO-DPMNE-në dhe kur është në pyetje ky relacion BDI e mban fjalën.

Se ndryshimet e qëndrimeve nuk kanë qenë si rezultat i kompromiseve në dobi të së mirës së përgjithshme dëshmon gjendja politike. PDSH dhe LSDM nuk votojnë ndryshimet për ligjin e faljeve. Ndërkaq rregull i dalë nga Marrëveshja e Përzhinos ishte që palët për çfarëdo vendimi të vendosin bashkërisht. BDI dhe VMRO, dy parti në pushtet bëjnë kompromis me veten, por jo edhe me opozitën./Portalb

 

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button