(FOTO-VIDEO) Tetovarët bllokuan rrugën, kundër ndotjes!

Dhjetëra qytetarë të Tetovës, kanë protestuar sot, si që lajmëruan paraprakisht duke bllokuar rreth rrotullimin e parë në hyrje të qytetit. Kjo protestë është organizuar nga Këshilli protestues STOP ndotjes kancerogjene në Tetovë.

Protestuesit kanë shprehur revoltën e tyre në mënyrë paqësore për shkak të mospërmbushjes së katër kërkesave tani më të njohura:

1. Qeveria dhe ministria të prononcohet me statusin e përmbushjes së kushteve të Planit operativ të Jugohromit dhe gjithashtu të urdhërojë pronarëve të Jugohromit urgjentisht të ndaloj punën deri në vënien e filtrave sipas dokumentit të paraparë. Me këtë rast dëshirojmë t’ia bëjmë me dije opinionit publik, punëtorëve të Jugohromit dhe familjarëve të tyre se Këshilli protestues nuk i ndërmerr këto aktivitete për mbylljen e fabrikës, por për vënien e filtrave me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të të gjithë qytetarëve. 

2. Urgjentisht të zgjidhet çështja e deponive të egra në rajonin e Pollogu.

3. Për arsye se amvisëritë po ashtu njihen si ndotës të ambientit kërkojmë nga Qeveria të subvencionojë me 33 % faturat e rrymës gjatë sezonit të ngrohjes, me qëllim të zvogëlimit të përdorimit të lëndëve djegëse, si dorinjve dhe qymyrit.

4. Inspektoratet qeveritare dhe komunale të mbrojtjes së mjedisit të ndëshkojnë konform ligjeve në fuqi të gjithë ato persona që ilegalisht ndezin goma dhe materiale tjera në komunën e Tetovës, Tearcës, Zhelinës, Jegunocit, Bogovnjës dhe Bërvenicës.

“Ne jemi të qartë në qëllimin tonë dhe me bindjen e plotë themi se qëllimi jonë është tepër human dhe pas kësaj iniciative qëndrojnë qytetarë të shqetësuar për pasojat që sjell kjo ndotje kancerogjene në Tetovë. Ne jemi të vetëdijshëm se do ta kemi të rëndë të zgjojmë vetëdijen qytetare për gjenocidin që shkaktohet mbi natyrën, mbi tokën pjellore dhe para se gjithash mbi banorët e Pollogut. Por njëkohësisht ne nuk do të heqim dorë nga qëllimi jonë për një ambient më të pastër, për shoqëri më të shëndoshë dhe për zvogëlimin e përqindjes së të sëmurëve nga kanceri dhe sëmundjeve tjera të organeve të frymëmarrjes. Kërkojmë përkrahje nga të gjithë në realizimin e këtij qëllimi mjaft fisnik dhe njerëzor” tha para protestuesve anëtarë i Këshillit Arianit Xhaferi.


“Qytetarët meritojnë të thithin ajër më të pastër. Incitucionet përkatëse, gjegjësisht Ministria e Ekologjisë duhet më seriozisht ta trajtojë këtë problem. Inspektorët duhet ta kryejnë punën e vet” tha Bujar Misini, protestues.

Lajme të ngjashme

Back to top button