Romani “Ndërgjegja e Pleshtit” i shkrimtares Muça-Ziba dhe mesazhet e  paqës në mjedisin shqiptaro-maqedonas.

Romani “Ndërgjegja e pleshtit” i shkrimtares Puntorie  Muça-Ziba mbart  një  temë aktuale. Romani i ngjan një fotografimi  artistik  të realitetit në Maqedoninë e tranzicionit shoqëror. Ngjarjet mbështillen me një stil të zhdërvjellët  metaforik e alegorik  aty-këtu, ku konfliktuojnë  dhe dalin në pah dukuritë sociale, atavizmat e së shkuarës, bashkëjetesës në shoqërine multietnike. Përballë aspiratës mbarëshoqërore për progres dhe nevojës për integrim civilizues demokratik, autorja vë në fokus dhe stigmatizon personazhe, mendësi apo detaje që bëjnë kontrastin dhe pengojnë trendin e zhvillimit. Prej këtej, mendoj, buron edhe titulli intrigues i romanit “ Ndërgjegja e Pleshtit”.

– Tatiana Kurtiqi

Romani fillon me nje ritual tradicional  të trishtë e përtej të zakonshmes, në një ditë kur “shiu rridhte rreshek dhe qulloste floket e funeralit”. Kështu shprehet autorja.  Me penelata të kursyera ajo paralajmeron ngjarjet e zymta që do të rrjedhin në përmbajtje, por ato, gjithsesi nuk mund ta vrasin shpresën. Në  tërë frymen e romanit  dera e shpresës mbetet e çelur përmes besimit të përcjellë edhe në ndodhitë tragjike apo në dramën e personazheve që simbolizojnë paqen, bashkejetesën, progresin… Tragjizmi i tyre është një sakrificë për të nesërmen, që e sotmja, ende e mberthyer nga e vjetra, nuk mundi ta shmangë dot. Autorja e vuan  ketë realitet, vuan për fatin e personazheve të saj, ndërsa  mes dhimbjes prek thelbin e ndryshimit, që çel pikërisht aty ku rrokullisen ngjarjet e trishta.

Në këtë kuptim, romani  në tërësi tingëllon si një thirrje e ditës për të braktisur konturet e së djeshmes së trazuar ballkanike e për ta gjetur perspektivën në zhvillimet e sotme, mes perpjekjeve dhe hapësirave që zgjerojnë frymëmarrjen demokratike, lirinë, paqen sociale, përparimin.

Nëpër këto hapësira zhvillimi  njerëzit e zinj, të krimeve e zullumeve si Petret Kripa, personazhi kryesor, nuk kanë të ardhme. Ata mbeten në kthetrat e historise së pergjakshme, luftës ndëretnike dhe mendësisë së vjetëruar. Këtë pozicion tenton ta braktisë madje edhe Gatali i zi, që në fillim i shërben me zell tutorit të tij kriminel, ndersa me pas e vuan shpirtërisht dilemën ku ka rënë. Mesazhi drithërues që përcjell autorja është  se gjithçka duhet kapërcyer me durim, me gjithë dhimbjet që shkakton, sepse risitë lindin aty ku e keqja kalbëzohet. Kështu  ndodh edhe në  këtë roman  me simbolikën e bukur të dashurisë mes Rudit e Fridës që flet më shumë se sa viktimizimi dhe fundi tragjik i tyre. Përtej kësaj, dritën e besimit tek e nesërmja e përcjell Entori, mik i Rudit dhe i aspiratave të tij. Autorja përcjell idenë se aspiratat e të rinjve nuk vdesin, ato gjejnë një perqafim mbarëshoqëror,duke kapërcyer të shkuarën e strukur në shtëpinë e braktisur të gjëmave të Petret Kripës.

Personazhet gra që vizatohen në roman janë shtëpiake të përvuajtura të një shoqërie maskiliste tipike ballkanike që jetojnë fatin e tyre. Ato paraqiten më të dobëta, apatike, gati të pafuqishme përballë ndryshimit shoqëror dhe rolit qe ka gruaja në këto zhvillime. Të tilla janë edhe  kur kanë gjithë mirësinë e tipareve të mamasë së Fridës, vuajtjen therëse e të heshur të mamasë së Rudit, por edhe kur vihen në një pozicion më të privilegjuar familjar. Nuk ndjehet kurajoja dhe zëri i tyre në shoqëri.

Gjithsesi, subjekti, idetë, personazhet,  mesazhi  përmbyllës  i romanit janë zgjedhje të vetë autorit. Ato gëlojnë në laboratorin e tij krijues, ndërsa  neve, si lexues,  s’na mbetet veçse të gjykojme rreth vlerave të vepres.Vlerat e romanit  “Ndergjegja e pleshtit”  të shkrimtares së mirënjohur Puntorie Muça – Ziba unë i shoh  tek mesazhet e freskëta dhe aktuale që përcjell, me një gjuhë të bukur artistike; tek përparësitë e nevojës për Paqe dhe bashkëjetesë multietnike në mjedisin shqiptaro-maqedon, në Ballkan e më gjerë. Ndjej krenari që autorja është shqiptare e, permes penës së saj faktori shqiptar flet dhe influencon stabilitetin, zhvillimet më të reja në rajonin tonë.

Detajet e përshkruara me mjeshtëri artistike, stili i veçantë, fjalori  i pasur i autores, përplasin ballë njëri–tjetrit personazhe reale  të kësaj bote, të skajshëm, por  të gjallë e të vërtetë. Disa syresh janë po aq edhe “të ngujuar” në kllapinë e së shkuarës, sa që një metaforë e madhe ringjall shpresën nën dritën vezulluese të përshkrimit mjedisor  e shoqëror.

Paralelizmi figurativ që ndjek dukuritë ngroh penelatat e natyres. Akujt e ngrirë të mosmarrëveshjeve e konflikteve të “ngujuara”  nisin  të shkrijnë nga dashuria e brishtë njerëzore. Kështu, tok me mbylljen e romanit duket se përmbyllen edhe dyert e së shkuarës,  për të rifilluar ëndërrat e Rudit, Fridës dhe të rinjve protestues shqiptarë, drejt pikëtakimeve të ardhme. Gjeneratat e sotme të dy a më shume etnive do t’i gjejnë këto pikëtakime dhe do të dinë të udhëtojnë të barabartë. Kam bindjen qe kjo shpresë e paepur  tashmë nuk është vetëm një endërr, por një realitet që jeton e zhvillohet edhe në penën e Puntories. Nga thellësia e të vërtetave dhe  prej lashtësisë  së varreve, trashëgimia më e denjë e etnive tolerante dhe qëndrestare do të dijë t’i përulet vetëm bashkëjetesës së vlerave. Ky është mesazhi tjetër që unë lexoj permes ngjarjeve të romanit.

Edhe personazhet  shtazë  sjellin simbolikën e vet në penën e autores. Krokëllitja e sorrave vërdallë kortezhit të çoroditur “si nje lumë pa shtrat”, sëmundja e tyre vdekjeprurëse dhe detajet e botes perreth janë metafora të gjetura per të percjelle ngjarjet e kobshme. Në mjaft fragmente  këto përshkrime i ngjajnë  prozës poetike, e cila qëndron  natyrshëm në stofin e narracionit të romanit. Shpesh herë frymëzimi poetik ngjyen penën e autores dhe i bën pershkrimet më konçize, ndonse aty-ketu mund të mënjanohej ndonjë teprim a përsiatje e zvargur.

Në përfundim, gjykoj se ky roman evidenton vlera ne formatin e tij të spikatur, ka një gjuhë të pasur e të rrjedhshme. Ai sjell para lexuesit nje shkrimtare me pervojë të gjatë krijuese dhe  pjekuri artistik. I uroj  zonjës Puntorie  sukses në vijim dhe  begati krijuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button