Si do të duhej të dukej Qeveria e ardhshme e Maqedonisë?

Pas konstatimit të dorëheqjes së ministrit për Punë të Brendshme Oliver Spasovski dhe ministres për Punë dhe Politikë Sociale, Frosina Remenska, në vend janë hapur çështje të reja. Spasovski dhe Remenska u zëvendësuan nga Mitko Çavkov dhe Dime Spasov.

Në media të vendit po spekulohet se prapa “skenës” partitë po dakordohen për një qeveri teknike që do të mund të organizonte zgjedhje kredibile. Por, shtrohet çështja se si do të duhet të dukej qeveria e ardhshme që do të organizonte zgjedhje të besueshme, kur kemi parasysh se tentimi i parë për qeveri teknike dështoi.

Konsolidimi i demokracisë i patjetërsueshëm

Edhe pse de facto Marrëveshja e Përzhinës është e vdekur, profesori universitar Denko Maleski mendon se esenca e Marrëveshjes së Përzhinës duhet patjetër të aplikohet herdo- kurdo.

“Është dokument që bazohet në Raportin e Pribe-s, ku kërkohet konsolidimi e demokracisë në Maqedoni që të funksionojë si sistem demokratik. Po bëhen përpjekje të komplikuara për ta arritur konsolidimin. Këtu janë dy alternativa për të cilat tani po bisedohet, qeveria kalimtare apo siç po e quajnë “qeveri ekspertësh” ose të jetë koalicion i gjerë i partive më të mëdha, po me mundësi të përfshihen edhe partitë e vogla. Të dy variantet i kanë anët pozitive dhe negative. Qeveria e ekspertëve, përvoja ime e parë nga qeveria e 1991, flet se ajo prapë se prapë mbetet në mëshirën e partive. Prandaj mendoj se “koalicioni i zgjeruar” do të jetë alternativa më e mirë, sepse përgjegjësinë do ta merrnin partitë dhe nuk do të mund t’i sabotojnë aksionet e një qeverie ekspertësh. Kështu që në një qeveri me “koalicion të zgjeruar” do të ketë shpërndarje të pushtetit”, theksoi për Portalb Maleski.

Por që cilado alternativë të ketë suksese, Maleski vë në theks se duhet të ketë pajtueshmëri nga të gjithë partitë për atë që do të dakordohen.

Zëvendës-ndihmësi i sekretarit shtetëror amerikan për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Hoyt Brian Yee në vizitën e tij të fundit në Maqedoni Qeverisë aktuale i dha mesazhin e qartë:

“Qeveria të zbatojë reformat që kërkohen me Marrëveshjen e Përzhinës duke lënë institucionet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre”!

Rëndësia e vullnetit për të marrë përgjegjësi

Çelësi i zgjidhjes së krizës nuk mund të vijë pa politikën. Më shumë se sa fokusi tek emrat, duhet shqyrtuar vullneti, apo më mirë thënë presioni që klasa politike të pranojë përgjegjësinë dhe të shprehë qartë dëshiron për tejkalimin e krizës. Kështu vlerëson njohësi i rrethanave politike, gazetari Nazim Rashidi.

“Në të kundërt emrat mund të jenë “teknik” sa të duan por nëse manipulohen vendimet, vendosen stërkëmbëza, pengohen institucionet apo dhe krijohen probleme që të shmanget zgjidhja e krizës, sepse një gjë e tillë do të nënkuptojë edhe vënien para përgjegjësisë të disa politikanëve, atëherë asgjë s’do arrihet. Në një moment ideal, personat në funksione do të duhej të ishin me një kredibilitet të lartë dhe mbi të gjitha drejtësi dashës dhe që realisht e duan të mirën e njerëzve e jo të partive apo sidomos kësaj klase politike”, shton më tutje Rashidi.

Por a përzgjidhen të tillë njerëz?- pyet Rashidi.

Në këtë linjë është edhe përfaqësuesi special gjerman Johanes Hajndëll. Ai në vizitën e tij të fundit në Maqedoni porositi që të shtohet përgjegjësia e politikanëve.

“Gjithmonë ka shpresë, por janë politikanët vendor ata të cilët duhet të shohin përgjegjësitë e tyre dhe duhet të vendosin interesat e vendit të parat”, pat theksuar Hajndëll.

Partitë kanë mesazhet politike të ndërkombëtareve dhe alternativat e ekspertëve vendas, aplikimi i tyre varet nga vullneti dhe dija e tyre për politikën./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button